Pak orë pasi Papa u operua, në Poliklinikën romake Gemelli nisën të arrijnë mijëra fjalë afërsie e përzemërsie, me urimin për shërim të shpejtë e të plotë.
Pa përfunduar ende mirë njoftimi i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë për shtrimin e Papës Françesku në spital, nga mbarë bota nisën të arrijnë në Romë, posaçërisht përmes rrjetit shoqëror të komunikimit, mesazhe afërsie të përzemërt dhe urime për shërim të shpejtë e të plotë. Do të mbushej përplot programi i sotëm shqip pranë Radio Vatikanit, vetëm me to…Po ne po mjaftohemi të kujtojmë, së pari, urimin e Kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Kryeipeshkvit Angelo Massafra, që përmbledh mijëra urime e lutje në gjuhën shqipe, për atë Papë, që zgjodhi pikërisht Shqipërinë e vogël e të varfër, për vizitën e tij të parë papnore në viset e Evropës së madhe!
Ta dëgjojmë imzot Masafrën:
Pas urimit të Konferencës Ipeshkёvnore tё Shqipërisë, ai i Kryetarit të Shtetit shqiptar, Presidentit, Ilir Meta:
“Bashkohem me lutjet për suksesin e operacionit të planifikuar kirurgjikal të Atit të Shenjtë, me urimin e përzemërt për shërim të shpejtë dhe të plotë si dhe për rikthimin sa më parë në krye të detyrës së Tij tepër të rëndësishme, në të mirën e njerëzimit dhe të përhapjes së mesazheve hyjnore”.
Afërsia dhe lutja e Patrikut Bartolomeu I
“Urime vëllazërore për shërim të shpejtë” arrijnë edhe përmes një mesazhi të Patrikut të Kostandinopojës, Bartolomeu, që siguron se lutet për suksesin e plotë të operacionit, në mënyrë që - shton - “Të mund t’ju ritakoj për të vijuar misionin e domosdoshëm të bashkimit, për të cilin na bën thirrje Krishti”. Më pas, citon fjalët e Shën Palit Apostull: “Çka në Hyjin duket dobësi, është më e fuqishme se njerëzit" (1Kor 1,25).
Shëndet e të mira nga i gjithë populli italian e nga Kisha
Ndërmjet mesazheve të para të urimit, që arritën në Gemelli, ishte ai i Kreut të Shtetit Italian, Sergio Mattarella, për rrugë drejt Francës: “Urime për shërim të shpejtë” - shkruan - e po këtë i uron Papës edhe kryeministri Draghi, në emër të qeverisë e të gjitha përfaqësive politike.
E natyrisht, edhe ipeshkvijtë italianë luten për Papën, duke ia besuar shërimin e tij, Atit Hyjnor.
Nga mbarë bota: shërim të shpejtë Papës
Për të mos u ndaluar në Itali, kujtojmë se Mesazhe të panumërta vijojnë të arrijnë edhe nga Afrika, Evropa e Amerika Latine. Presidenti i Nigerisë, Muhammadu Buhari jo vetëm që i uron Françeskut shërim të shpejtë, por e fton mbarë popullsinë e vendit të tij të bashkohet në lutje për Papën dashuronjës të të gjithë popujve! E kështu, në vijim, arrijnë urime edhe nga viset më të largëta të Planetit: “Shërim të shpejtë, o Atë, që dëshiron të na bësh “Fratelli tutti”!/Radio Vatikani