Në mesazhin "Inteligjenca Artificiale dhe Mjekësia: Sfida e Dinjitetit Njerëzor" drejtuar pjesëmarrësve të Kongresit Ndërkombëtar organizuar nga Akademia Papnore për Jetën, Papa Leoni XIV paralajmëron rreziqet e përparimeve teknologjike që "ndikojnë thellësisht në mënyrën tonë të të menduarit, duke na ndryshuar kuptimin e situatave dhe mënyrën se si i perceptojmë veten e të tjerët". Në "kujdesin për njerëzit", "marrëdhëniet njerëzore" janë të pazëvendësueshme.
Nëse zhvillimi teknologjik ka sjellë dhe vijon të sjellë "përfitime të rëndësishme për njerëzimin, veçanërisht në fushat e mjekësisë dhe të shëndetit", për të ndodhë "një progres i vërtetë", është e nevojshme që "dinjiteti njerëzor dhe e mira e përbashkët të mbeten përparësi absolute", si për "individët" ashtu edhe për "entitetet publike". Leoni XIV e thekson këtë në mesazhin drejtuar pjesëmarrësve të Kongresit Ndërkombëtar, organizuar nga Akademia Papnore për Jetën, titulluar "Inteligjenca Artificiale dhe Mjekësia: sfida e dinjitetit njerëzor", që zhvillohet nga 10 deri në 12 nëntor në Romë.
Mesazhi u lexua në mëngjes nga kryetari i Akademisë Papnore për Jetën, Imzot Renzo Pegoraro. Në tekst, Papa përqendrohet tek "potenciali shkatërrimtar i teknologjisë" dhe "kërkimi mjekësor, kur vihet në shërbim të ideologjive anti-njerëzore", duke na nxitur t'i konsiderojmë ngjarjet e kaluara si paralajmërim. "Mjetet që kemi në dispozicion sot janë edhe më të fuqishme dhe mund të prodhojnë efekt edhe më shkatërrues në jetën e individëve dhe të popujve", shkruan Papa, duke pranuar, megjithatë, implikimet pozitive të përdorimit të tyre "në shërbim të njeriut".
Rreziku i humbjes së shikimit nga njerëzit
Ne duhet të reflektojmë mbi "revolucionin dixhital" i cili po çon "në atë që Papa Françesku e ka quajtur 'ndryshim epokal'", nxit Papa Leoni, i cili pranon se "përparimet e reja teknologjike të krahasueshme në disa aspekte me Revolucionin Industrial" janë "më të përhapura". "Ato ndikojnë thellësisht në mënyrën tonë të të menduarit, duke ndryshuar kuptimin tonë të situatave dhe mënyrën se si e perceptojmë veten dhe të tjerët", vëren, duke shtuar se sot "ne bashkëveprojmë me makinat sikur të ishin bashkëbisedues, pothuajse duke u bërë zgjatim i tyre". Por kjo rrezikon “t’i humbësh nga sytë fytyrat e njerëzve" dhe "të harrosh si të njohësh dhe të vlerësosh gjithçka që është vërtet njerëzore".
Rojtarë dhe shërbëtorë të jetës njerëzore
Për Papën, angazhimi i atyre që marrin pjesë në Kongresin Ndërkombëtar të Akademisë Papnore për Jetën "për të zbuluar potencialin e Inteligjencës Artificiale në mjekësi" është "me rëndësi të madhe", sepse "brishtësia e gjendjes njerëzore shpesh manifestohet në fushën e mjekësisë". E nuk duhet të harrojmë dinjitetin e çdo personi, i cili është "i dëshiruar, i krijuar dhe i dashur nga Zoti". Për këtë arsye, Shënimi mbi marrëdhënien ndërmjet Inteligjencës Artificiale dhe Inteligjencës Njerëzore, "Antiqua et Nova", i Dikastereve të Vatikanit për Doktrinën e Fesë dhe për Kulturën dhe Arsimin, thekson se "punonjësit e kujdesit shëndetësor kanë thirrjen dhe përgjegjësinë të jenë rojtarë dhe shërbëtorë të jetës njerëzore". E, sipas Papës Leoni, "e njëjta gjë mund të thuhet edhe për ata që janë përgjegjës për përdorimin e IA-së në këtë fushë".
IA përmirëson marrëdhëniet ndërpersonale
Në "kujdesin për njerëzit", "marrëdhëniet njerëzore" janë të pazëvendësueshme, thekson më pas Papa, i cili për "profesionalizmin mjekësor" i quan të domosdoshme "jo vetëm aftësitë specifike të nevojshme, por edhe aftësinë për të komunikuar dhe për të qenë afër të tjerëve".
Prandaj, "pajisjet teknologjike nuk duhet ta dëmtojnë kurrë marrëdhënien personale ndërmjet pacientëve dhe punonjësve të kujdesit shëndetësor".
Nëse ka ndonjë gjë, IA duhet "të përmirësojë vërtet si marrëdhëniet ndërpersonale, ashtu edhe kujdesin e ofruar", në mënyrë që të jetë "në shërbim të dinjitetit njerëzor dhe të ofrimit efektiv të kujdesit shëndetësor". Së fundmi, përballë "interesave të mëdha ekonomike që shpesh janë në lojë në fushat e mjekësisë dhe të teknologjisë" dhe "luftës" për "kontrollin" e saj, Leoni XIV bëri thirrje për "nxitjen e bashkëpunimit të gjerë", edhe në nivel ndërkombëtar, ndërmjet atyre që "punojnë në sektorin e shëndetësisë dhe të politikës"./Radio Vatikani