Papa: "njerëzimi është në rrezik, sporti flet për paqe, shënon një pikë në favor të saj"
Papa: "njerëzimi është në rrezik, sporti flet për paqe, shënon një pikë në favor të saj" 16.07.2025 | 02:58
Në një video-mesazh për “Ndeshjen e Zemrës” që luhet më 15 korrik, në stadiumin e L'Aquila-s, Itali, Papa kujton se “sfida më e madhe është takimi”, sidomos në këtë kohë “ndarjesh, bombash e luftërash”.
 
Ati i Shenjtë nxit të shikohen sytë e fëmijëve në vështirësi për të “gjetur sërish guximin e mikpritjes dhe për të qenë burra e gra të takimit”.
 
Me dy fjalë - "ndeshje dhe zemër" - përshkruhet një botë e re, një botë afërsie, pranimi, hapjeje ndaj të tjerëve dhe mbi të gjitha, ndihme. Papa Leoni XIV e përshkruan këtë në një video-mesazh me rastin e “Ndeshjes së Zemrës 2025” që luhet sonte, më 15 korrik, në orën 21.30, në Stadiumin “Gran Sasso d’Italia - Italo Acconcia” të L'Aquila-s, Itali, mes Kombëtares së Këngëtarëve, e cila prej rreth 40 vitesh është angazhuar në projekte dhe aktivitete bamirësie, dhe Kombëtares së Politikanëve, e cila, për një mbrëmje, do të bashkojë nën të njëjtën fanellë liderë dhe eksponentë të partive të ndryshme në emër të solidaritetit. Të ardhurat do të shkojnë për “Projektin e Mikpritjes”, realizuar bashkërisht nga Fondacioni “Bambino Gesù” dhe Caritas Italiana, për të ofruar ushqim, strehim dhe mbështetje materiale për familjet e fëmijëve të shtruar në spitalin pediatrik të Romës, që vijnë nga e gjithë Italia dhe nga jashtë.
 
Bashkimi i zemrave të thyera
 
Në fund të fundit, të luash së bashku, thekson Papa, do të thotë të takohesh. Ati i Shenjtë Prevost përmend ndeshjen e luajtur më 25 dhjetor 1914 nga disa ushtarë (gjermanë, francezë dhe anglezë), pranë qytetit të Ypres, në Belgjikë. Një histori e treguar në një film, “Joyeux Noël”, dhe në një këngë të Paul McCartney-t. Nisma, “një kauzë që bashkon”, këtë herë ka të bëjë me fëmijët që kërkojnë ndihmë dhe vijnë nga zona lufte.
 
Është ende e mundur, është gjithmonë e mundur të takohesh, edhe në kohë ndarjesh, bombash dhe luftërash. Është e nevojshme të krijohen mundësitë për ta bërë këtë. Të sfidohen ndarjet, duke ditur se të takohesh është sfida më e madhe sot. Të kontribuojmë së bashku për një kauzë të mirë. T'i bashkojmë zemrat e thyera, zemrat tonat dhe zemrat e të tjerëve. Të mos harrojmë se në zemrën e Zotit jemi një. Dhe se zemra është vendi i takimit tonë me Zotin dhe me të tjerët.
 
Nga ndeshja në takim
 
“Ndeshje dhe zemër – shpjegon Papa – bëhen kështu dy fjalë për t’u bashkuar”, të cilat gërshetohen për një ngjarje bamirësie “që mbledh fonde për jetën, për kujdesin, jo për shkatërrimin dhe vdekjen”.
 
Sporti – kur jetohet mirë, nga ata që e praktikojnë dhe nga ata që bëjnë tifozllëkun – ka këtë madhështi, që e shndërron ndeshjen në takim, ndarjen në përfshirje. Vetmitë në komunitet.
 
Në këtë ndërtim të përbashkët, televizioni që transmeton këtë ngjarje sportive bamirëse, “ndeshjen e zemrës”, bëhet “bashkim shikimesh”, i aftë të gjenerojë një shikim të ri drejt të tjerëve, “me dashurinë në vend të urrejtjes”.
 
Së bashku për të mirën e të gjithëve
 
Është domethënëse për Leonin XIV që përballen dy skuadra futbolli: ajo e këngëtarëve dhe ajo e politikanëve nga Italia. E para kujton se muzika pasuron me domethënie “fjalët dhe kujtimet tona”; e dyta se mund të punohet së bashku për të mirën e përbashkët.
 
Politika mund të bashkojë në vend që të ndajë, nëse nuk kënaqet me propagandën që ushqehet me krijimin e armiqve, por angazhohet në artin e vështirë dhe të nevojshëm të konfrontimit, që kërkon të mirën e përbashkët.
 
Një armëpushim që ndalon urrejtjen
 
Papa e përfundon video-mesazhin duke ftuar të shikohen fëmijët që “kanë pastërtinë e zemrës” dhe “e cila u mundëson atyre të shohin Zotin”. Duhet të mësojmë prej tyre dhe të gjejmë atë që ka vërtet rëndësi.
 
Të gjejmë sërish guximin e mikpritjes dhe të jemi burra e gra të takimit. Të gjejmë forcën për të besuar dhe për të kërkuar një armëpushim, në këtë kohë, që të ndalojë garën e urrejtjes. Është në lojë njerëzimi ynë. Kjo ndeshje futbolli që flet për paqe shënoftë një pikë në favor të saj, në favor të paqes./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.