Papa: Kisha nuk e toleron antisemitizmin; mospajtimet të mos shndërrohen kurrë në armiqësi
Papa: Kisha nuk e toleron antisemitizmin; mospajtimet të mos shndërrohen kurrë në armiqësi 23.10.2026 | 01:55
Në përshëndetjen drejtuar anëtarëve të Komitetit Hebraik Amerikan (American Jewish Committee), Papa rithekson se Kisha “lufton” çdo formë urrejtjeje dhe armiqësie, “për shkak të Ungjillit”. Ati i Shenjtë kujton se miqësia e hebrenjve me katolikët, e “rrënjosur në trashëgiminë e përbashkët shpirtërore”, na bën thirrje “të mbrojmë dinjitetin njerëzor, t’u shërbejmë të varfërve, të mbrojmë lirinë fetare dhe të promovojmë drejtësinë dhe paqen”
 
“Kisha nuk e toleron antisemitizmin dhe e lufton atë, për shkak të vetë Ungjillit”. Këtë e ritheksoi sot, më 22 tetor, Papa Leoni XIV, gjatë audiencës me rreth dyzet anëtarë të Komitetit Hebraik Amerikan (American Jewish Committee) në Sallën e Koncistorit të Pallatit Apostolik, në Vatikan. Ati i Shenjtë e pati shprehur këtë mendim edhe gjatë audiencës së përgjithshme të 29 tetorit 2025, duke vënë në dukje “miqësinë” ndërmjet hebrenjve dhe katolikëve, të rrënjosur në “trashëgiminë e tyre shpirtërore” të përbashkët. Siç nënvizoi Ipeshkvi i Romës, këto marrëdhënie mund të cënohen nga mospajtimet në ide, të cilat, “sado të thella qofshin”, nuk duhet të shërbejnë kurrë si pretekst për të hequr dorë nga mbrojtja e përbashkët e dinjitetit njerëzor dhe nga promovimi i paqes e i drejtësisë.
 
Të refuzojmë çdo formë urrejtjeje
 
Papa e priti delegacionin në ditën kur Kisha përkujton Shën Gjon Palin II, “përpjekjet e të cilit kanë kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në promovimin e miqësisë mes hebrenjve dhe katolikëve”. Leoni XIV përmendi fjalimin e paraardhësit të tij drejtuar Këshillit Drejtues të Komisionit të Komitetit Hebraik Amerikan, në të cilin ai vërente se “dialogu mes të krishterëve dhe hebrenjve duhet të gjejë shprehje të qartë në jetën e të dyja bashkësive”.
 
“E rrënjosur në trashëgiminë tonë të përbashkët shpirtërore, kjo miqësi na bën thirrje edhe të mbrojmë dinjitetin njerëzor, t’u shërbejmë të varfërve, të mbrojmë lirinë fetare dhe të promovojmë drejtësinë dhe paqen. Themelor për këtë impenjim është refuzimi i çdo forme urrejtjeje fetare dhe etnike, si edhe refuzimi i diskriminimit”.
 
Angazhimi për vëllazërimin
 
Në një botë të lënduar nga dhuna dhe mosbesimi, impenjimi për vëllazërimin është më urgjent se kurrë, theksoi Papa.
 
“Mospajtimet në mendime, sado të thella qofshin, nuk duhet të çojnë kurrë në paragjykime dhe armiqësi, të cilat minojnë themelet morale të shoqërisë”.
 
Dëshmia e unitetit, siç ka pohuar tashmë Leoni XIV në takimet me përfaqësues të Kishave, të bashkësive të tjera kishtare, si edhe të feve të tjera, “do të kontribuojë pa dyshim në ndërtimin e një bote më paqësore, ashtu siç e dëshirojnë në zemrat e tyre të gjithë burrat dhe gratë vullnetmira”./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.