Papa: bijtë janë e ardhmja, sfida demografike vendimtare për Evropën
Papa: bijtë janë e ardhmja, sfida demografike vendimtare për Evropën 26.05.2026 | 14:20
Leoni XIV pret anëtarët e Intergrupit të Parlamentit Evropian për Demografinë, pjesëmarrës sot, 25 maj, në konferencën "Demografia dhe Evropa: çast vendimtar". Citon "pandeminë e vetmisë" si një nga faktorët e rënies së lindjeve, fenomen i cili varet edhe nga "refuzimi i frymëzimit të krishterë të etërve themelues të institucioneve të BE-së". Papa na nxit t’i shmangim politikat kontradiktore, që në dukje janë pro-familjes, por në të vërtetë janë diskriminuese dhe e lavdërojnë abortin.
 
Çështja demografike është sfidë urgjente, "udhëkryq vendimtar" për Evropën. E prekur nga "pandemia e vetmisë", rrezikon të ardhmen e saj. Një Evropë që jeton mbi politika kontradiktore, "në dukje pro-familjes" dhe që diskriminon amësinë, duke lavdëruar "abortin si një e drejtë",  kërkon "parime të pandryshueshme" për t'iu përgjigjur krizave me të cilat përballen burrat dhe gratë e kohës sonë! . Kështu pohoi Leoni XIV sot, 25 maj, në një fjalim mbajtur në anglisht, ndërsa priti në Vatikan anëtarët e Grupit Ndërlidhës të Demografisë të Parlamentit evropian.
 
Rasti i audiencës te Papap është konferenca "Demografia dhe Evropa: një çast vendimtar", që zhvillohet sot pasdite në Zyrën Ndërlidhëse të Parlamentit Evropian, në Romë. Marrin pjesë Eugenia Roccella, ministre për Familjen, Shkallën e Lindjes dhe Mundësitë e Barabarta; Dubravka Šuica, Komisionere Evropiane për Mesdheun me përgjegjësi për Demografinë; Antonella Sberna, Zëvendëspresidente e Parlamentit Evropian; Gudrun Kugler, Përfaqësuese Speciale e OSBE-së për Ndryshimet Demografike; dhe tre bashkëkryetarët e Grupit Ndërlidhës të Demografisë nga grupet ECR, PPE dhe S&D. Do të marrë pjesë edhe një delegacion prej rreth 30 eurodeputetësh nga Grupi Ndërlidhës i Demografisë i Parlamentit Evropian, i përbërë nga grupe vendesh të ndryshme politike, si dhe përfaqësues të organizatave jofitimprurëse, që punojnë në çështjet e familjes, shkallës së lindshmërisë dhe demografisë.
 
Pandemia e vetmisë
 
Papa është shumë i vetëdijshëm se jemi përballë një "sfide urgjente me implikime konkrete për miliona qenie njerëzore". I vetëdijshëm, sepse Evropa konsiderohet prej kohësh "kontinent i vjetër", siç theksoi  Françesku vite më parë. Papa Leoni XIV thekson se "Fëmijët janë e ardhmja!" dhe kujton nevojën për zhvillim integral e të qëndrueshëm, "të penguar pa solidaritet ndërmjet brezave". Kujtoi, në vijim, se pandemia ndikoi thellësisht në shkallën e lindjeve, duke krijuar vetmi dhe frenime. Pastaj shtoi:
 
Fatkeqësisht, ky solidaritet kërkon ekuilibër ndërgjeneracional,që aktualisht mungon në Evropë.
 
Politika kontradiktore
 
"Steriliteti drastik" u theksua gjithashtu, sipas Papës Prevost, nga refuzimi i frymëzimit të krishterë të themeluesve të Evropës. "Shumë njerëzve iu mohua e drejta për të lindur", vëren në fjalimin e tij, duke cituar përsëri paraardhësin. E pastaj thekson paqartësinë e disa politikave:
 
Shpesh herë hasim deklarata kontradiktore nga politika gjoja pro-familjare, të cilat njëkohësisht vlerësojnë diskriminimin kundër amësisë, lartojnë abortin si një e drejtë dhe i minojnë vetë themelet e dëshirës për të krijuar familje. Për fat të mirë, ka disa përjashtime të mrekullueshme këtu, me ne, sot!
 
Evropa ka nevojë urgjente për ide të reja
 
Papa Leoni XIV ripohon shpresën e tij për dialog jo vetëm në nivel institucional, por duke përfshirë edhe shoqërinë civile.
 
Impenjimi juaj, falë ndërthurjes së anëtarëve, mund të luajë rol themelor, e mund të përfaqësojë një forum ideal, për të gjetur mënyra e ide inovative, për të cilat Evropa dhe bota kanë nevojë urgjente. Ky dialog duhet të përfshijë jo vetëm institucionet dhe qeveritë e ndryshme evropiane, por edhe të gjithë ndërthurjen e shoqërisë civile, pjesë integrale e së cilës janë të krishterët.
 
Zbatimi i parimit të subsidiaritetit për familjet
 
"Diskutimet tuaja - këmbëngul Papa Leoni - kanë edhe detyrën e promovimit të përgjegjësisë së përbashkët dhe rolit aktiv të familjeve në jetën shoqërore, politike dhe kulturore". Familiaris Consortio nga Shën Gjon Pali II është ndër tekstet referuese të deklaruara shprehimisht nga Papa, i cili kujton se familja është e themeluar mbi martesën ndërmjet një burri e një gruaje. Parimi i subsidiaritetit duhet të zbatohet - vijon ai - për të shmangur "dy ekstremet e ndërhyrjes së tepërt të shtetit dhe individualizmit".
 
Papa vlerëson punën e përbashkët të Federatës së Shoqatave të Familjeve Katolike në Evropë (FAFCE) dhe të Komisionit të Konferencave Episkopale të Bashkimit Evropian (COMECE).
 
Në përfundim, thekson:
 
Politikat duhet ta shikojnë njeriun në tërësinë e tij dhe të promovojnë gjithmonë dinjitetin e qenieve njerëzore. Për ta zgjidhur, kështu, krizën demografike. Në këtë mënyrë, mund të hapet një rrugë vërtet humane për zgjidhjen e krizës demografike, e orientuar drejt të mirës së përbashkët dhe mirëqenies së brezave të ardhshëm./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.