Në Meshën kremtuar në Shën Pjetër për Ditën Botërore të të Varfërve, Leoni XIV bëri thirrje për zhvillimin e "kulturës së kujdesit" e për të shembur murin e vetmisë, që vijon ndërmjet shumë mungesave materiale, morale dhe shpirtërore, të cilat të rinjtë i jetojnë shpesh. "Nuk mund të ketë paqe pa drejtësi: të varfrit na e kujtojnë këtë në një mijë mënyra: kryesisht me migrimin e tyre, por dhe me britmën, aq shpesh të mbytur nga miti i mirëqenies dhe i progresit, që i injoron të gjithë.
Të mos mbizotërojë indiferenca. Thirrja e lutjes universale në Meshën kryesuar nga Papa në Vatikan për Ditën e 9-të Botërore të të Varfërve jehoi në homelinë, mbështetur vazhdimisht në Nxitjen Apostolike Dilexi te, kushtuar posaçërisht dashurisë për të varfrit. Thirrja drejtuar qeverive për të kontribuar në rritjen e çdo personi dhe për të ndërtuar një bashkësi më mbështetëse, buron nga Populli i Zotit. E Papa e përsëriti më tej këtë ndjenjë, duke ndjekur gjurmët e paraardhësit të tij, Françeskut.
Para Meshës, Papa Leoni XIV u takua me njerëz të ndryshëm të përfshirë në mënyra të ndryshme në ndihmën e të varfërve. I pranishëm ishte edhe Atë Tomaz Mavrič, Eprori i Përgjithshëm i Kongregatë së Misionit (i familjes më të madhe vinçenciane), i cili dorëzoi çelësat e projektit të trembëdhjetë të shtëpive të Jubileut për të pastrehët, në po aq vende. Rreth gjysmë ore para kremtimit në bazilikë, ku ishin mbledhur afërsisht 6,000 besimtarë, Papa u duk dhe përshëndeti Sheshin e Shën Pjetrit të mbushur plot me 12,000 vetë, ku premtoi të kthehej për lutjen e Engjëllit Tënzot.
Disa fjalë mirëseardhjeje e bënë liturgjinë edhe më përfshirëse:
Kur lexojmë Ungjillin, një nga frazat që të gjithë e dimë është "të bekuar janë të varfërit në shpirt, sepse e tyre është mbretëria e qiellit". Ne të gjithë duam të jemi ndërmjet të varfërve të Zotit, sepse jeta jonë është dhuratë nga Zoti dhe e pranojmë me mirënjohje të madhe. Ju falënderoj për praninë tuaj. Bazilika po bëhet pak e vogël... Ju jeni pjesë e Kishës dhe mund ta ndiqni Meshën e Shenjtë edhe në ekranet tuaja. Merrni pjesë me dashuri të madhe, me besim të madh dhe dijeni se të gjithë jemi të bashkuar në Krishtin.
Në mundimet dhe fatkeqësitë e jetës, Zoti nuk na lë vetëm.
Atje ku shpresat njerëzore duket se janë shteruar, të penguara nga ngjarjet dramatike të historisë, ne duhet të ankorohemi ende te burimi i fortë, që është Zoti: Ai nuk lejon të humbasë as edhe një fije floku të kokës sonë, siç na kujton Ungjilli sipas Lukës i dielës së 33të gjatë vitit kishtar.
Në homelinë e tij në Meshë për këtë vit liturgjik, i cili po i afrohet fundit, Papa Leoni nxjerr në pah këtë tipar themelor të fesë së krishterë dhe ngjall guxim, me sigurinë se vepra e të ligjve kundër të pambrojturve dhe të varfërve do të çrrënjoset dhe do të shkëlqejë dielli i drejtësisë. Është e rëndësishme të jemi këmbëngulës dhe dëshmitarë të vërtetë, sepse kështu shpëtohet jeta. Të varfërit ishin të parët që e panë Jezusin; kjo aleancë nuk mund të prishet, mund të ripërtërihet vetëm në gëzim:
Në persekutimet, vuajtjet, vështirësitë dhe shtypjet e jetës dhe të shoqërisë, Zoti nuk na lë vetëm. E zbulon veten si Ai që merr qëndrim për ne. Kjo fije e përbashkët përshkon të gjithë Shkrimet e Shenjta, duke rrëfyer një Zot që është gjithmonë në anën e më të voglit, jetimit, të huajit dhe të vejushës.
Një kulturë kujdesi për të shembur murin e vetmisë
Papa e vë gishtin mbi plagën e vetmisë, e cila, thotë ai, përshkon format e ndryshme të varfërisë në shoqëritë bashkëkohore, si materiale ashtu edhe shpirtërore, dhe prek veçanërisht të rinjtë. Është ky mur që duhet shembur, duke kapërcyer individualizmin dhe sipërfaqësinë:
[...] duke e parë varfërinë në një mënyrë gjithëpërfshirëse, sepse sigurisht, ndonjëherë është e nevojshme t'u përgjigjemi nevojave urgjente, por në përgjithësi, është një kulturë kujdesi që duhet ta zhvillojmë, pikërisht për të shembur murin e vetmisë. Prandaj, duam të jemi të vëmendshëm ndaj të tjerëve, ndaj çdo personi, kudo që të jemi, kudo që të jetojmë, duke e transmetuar këtë qëndrim tashmë në familjet tona, për ta jetuar konkretisht në vendet tona të punës dhe studimeve, në komunitete të ndryshme, në botën dixhitale, kudo, duke arritur deri në kufij dhe duke u bërë dëshmitarë të butësisë së Zotit.
Qeveritarëve: dëgjojeni britmën e më të varfërve
Shqetësimi i Papës nuk mund të mos drejtohet në skenat e luftës në rajone të ndryshme të botës, të cilat, thekson ai, "duket se paraqesin gjendjen tonë të pafuqisë. Por globalizimi i pafuqisë lind nga një gënjeshtër", thekson ai, "nga besimi se historia ka qenë gjithmonë kështu dhe nuk mund të ndryshojë. Ungjilli, megjithatë, na tregon se pikërisht në trazirat e historisë, Zoti vjen për të na shpëtuar". Thirrja e Papës u drejtohet në veçanti udhëheqësve politikë:
Varfëria sfidon të krishterët, por sfidon edhe të gjithë ata që kanë pozita përgjegjësie në shoqëri. Prandaj i nxis Kryetarët e Shteteve dhe Udhëheqësit e Kombeve të dëgjojnë britmën e më të varfërve. Nuk mund të ketë paqe pa drejtësi, dhe të varfrit na e kujtojnë këtë në shumë mënyra, me migrimin e tyre, si dhe me britmën e tyre, kaq shpesh të mbytur nga miti i mirëqenies dhe i progresit, që i injoron të gjithë dhe, në të vërtetë, harron shumë, duke i lënë ata në fatin e tyre.
Ata që ndihmojnë të varfrit le të jenë ndërgjegje kritike në shoqëri.
"Le të jemi të gjithë të përkushtuar", është nxitja e Pasardhësit të Pjetrit, duke i bërë jehonë fjalëve të Apostullit Pal drejtuar Tesalonikasve, ku një jetë e përqendruar në vetvete nuk ndihmon, ashtu siç nuk ndihmon ajo që Papa e quan "intimizëm fetar që përkthehet në shkëputje nga të tjerët dhe nga historia". Ka njerëz që i vënë zemrat dhe duart në shërbim të më të prekshmëve, atyre që jetojnë si të përjashtuar. Tek ata shkon mendimi i Leonit:
Punonjësve të bamirësisë, vullnetarëve të shumtë, dhe të gjithë atyre që janë të kushtuar për të lehtësuar kushtet e më të varfërve, u shpreh mirënjohjen time dhe njëkohësisht inkurajimin tim për të qenë një ndërgjegje gjithnjë e më kritike në shoqëri.
Tema e së mirës së përbashkët do konsideruar si qëllimi që duhet të udhëheqë shoqëritë gjithnjë e më të shënuara nga pabarazi të thella, ndonjëherë të keqësuara nga zhvillimi teknologjik i paskrupullt: kjo është një nga thirrjet e lutjes universale, në të cilën fitimi i bukës me punë është dëshira e ndarë nga besimtarët.
Mësoni nga shenjtorët që zgjodhën vogëlsinë
Trajtojini të varfrit, duke i çliruar ata nga etiketat sociologjike ose gjykimet e nxituara, por duke i konsideruar në dinjitetin e tyre të plotë. Ky është edhe një herë rekomandimi i Papës, ndërsa shpreson për një hapje që ndërton bashkëjetesën njerëzore, si hapësirë vëllazërie. "Askush i përjashtuar", përsërit ai. "Gjithmonë ekziston rreziku", thekson Papa, "të jetosh si udhëtarë të shpërqendruar, të pavëmendshëm ndaj destinacionit përfundimtar dhe të painteresuar për ata që ndajnë udhëtimin tonë". Prej këndej, referenca ndaj shembullit të shenjtorëve që e bënë zgjedhjen e tyre preferenciale për të varfrit stil jetese, thirrje.
Në këtë Jubile të varfrit le të frymëzohen nga dëshmia e shenjtorëve që i shërbyen Krishtit tek ata që ishin më në nevojë dhe e ndoqën në rrugën e vogëlsisë dhe vetëmohimit. Në veçanti, do të doja të rishikoja figurën e Shën Benediktit Joseph Labre, i cili, me jetën e tij si "vagabond i Zotit", i ka karakteristikat për të qenë shenjti mbrojtës i të gjithë të varfërve të pastrehë./Radio Vatikani