Në audiencën e përgjithshme, Papa Françesku paraqiti sot dëshminë Shën Daniele Comboni-t, misionar në kontinentin afrikan. Ishte rast për të nënvizuar se në veprën e ungjillëzimit përfshihen të gjithë e të gjithë janë protagonistë: t’i jepet fund "kolonializmit ekonomik", që robëron Afrikën, kërkoi Ati i Shenjtë.
“Ma kanë pushtuar zemrën, e cila jeton vetëm për ta”: kështu thoshte Shën Daniele Comboni kur fliste për popujt afrikanë, ndërsa duke iu drejtuar atyre, pohonte: “Më e lumtura e ditëve të mia do të jetë ajo, në të cilën mund të jap jetën për ju”. Dëshmia e këtij misionari "plot zell për Afrikën" ishte në qendër të katekezës së Papës Françesku, në audiencën e përgjithshme të kësaj të mërkure, në Sheshin e Shën Pjetrit. Ishte rast për të theksuar vëmendjen e tij ndaj atij kontinenti, që është edhe sot objekt shfrytëzimi e skllavërimi.
Mjaft, mos e mbytni Afrikën
Në dritën e mësimeve të Jezusit, pohoi Papa, Shën Comboni në Afrikë, u bë i vetëdijshëm për të keqen e skllavërisë, që e kthen njeriun në “send”.
Dhe e kuptoi se ajo i ka rrënjët në skllavërinë e zemrës, në skllavërinë "e mëkatit, nga e cila na çliron Zoti". Ati i Shenjtë kujtoi fjalët, që tha në takimin me autoritetet e Republikës Demokratike të Kongos, në Kinshasa, më 31 janar.
“Si të krishterë, jemi të thirrur të luftojmë kundër çdo forme skllavërie. Për fat të keq, skllavëria, ashtu si kolonializmi, nuk i përket së shkuarës.
Fatkeqësisht! Në Afrikën kaq të dashur nga shën Comboni, sot, përshkuar nga shumë konflikte, pas atij politik, shpërtheu një "kolonializëm ekonomik" po aq skllavërues.... Është dramë, para së cilës, shpesh, bota më e përparuar ekonomikisht i mbyll sytë, veshët dhe gojën. Prandaj po e përsëris thirrjen: "Mjaft, mos e mbytni Afrikën: nuk është minierë për t'u shfrytëzuar apo tokë për t'u plaçkitur"”.
Afrika ta shpëtojë Afrikën
Françesku përshkoi historinë e Shën Danielit, i cili, pas një periudhe të jetuar në Afrikë, u detyrua ta linte misionin për arsye shëndetësore, por pikërisht atëherë ndjeu frymëzimin për të ndërmarrë një rrugë të re ungjillëzimi. "Një intuitë e fuqishme", nënvizoi Papa, larg idesë së kolonializmit, të cilën Comboni e përmblodhi me fjalët "Afrika ta shpëtojë Afrikën": pra, njerëzit, të cilëve u shpallej Ungjilli, nuk ishin thjesht "objekte", por "subjekte" të misionit. Ati i Shenjtë theksoi:
“Me këtë frymë, ai mendoi dhe veproi, duke përfshirë klerin vendas dhe duke promovuar shërbimin laik të katekistëve. E konceptoi kështu edhe zhvillimin njerëzor, duke u kujdesur për artet dhe profesionet, duke promovuar rolin e familjes dhe të gruas në shndërrimin e kulturës dhe të shoqërisë. Sa e rëndësishme është, edhe sot, të zhvillohet feja dhe përparimi njerëzor, duke u nisur nga brenda kuadrit të misionit, në vend që të zbatohen modele të jashtme, ose të kufizohemi vetëm në asistencializëm! As modele të jashtme, as asistencializëm. Të merret rruga e ungjillëzimit nga kultura, nga kultura e popujve. Të ungjillëzohet kultura dhe të inkulturohet Ungjilli: ato ecin së bashku”.
Bamirësia, si burim i aftësisë misionare
Papa Françesku vuri në dukje se vepra ungjillëzuese e Shën Comboni-t nuk u mbështet vetëm nga vlera të rëndësishme si liria, drejtësia dhe paqja, por u mbështet "në dashurinë e Krishtit dhe çoi drejt dashurisë për Krishtin". Në themel të misionit të tij ishte bamirësia për vëllezërit e motrat dhe dashuria për Krishtin, e cila, siç shkruante, e bën të ëmbël vuajtjen e madje, edhe martirizimin. Papa nënvizoi:
“Dëshira e tij ishte të shihte misionarë të zjarrtë, të gëzuar, të përkushtuar: misionarë - shkruante ai - "të shenjtë dhe të aftë. ...Së pari: shenjtorë, domethënë të huaj për mëkatin dhe të përvuajtur. Por nuk mjafton: nevojitet bamirësia për t’i aftësuar subjektet. Burimi i aftësisë misionare, për Comboni-n, është, pra, bamirësia, sidomos zelli për t'i përvetësuar vuajtjet e të tjerëve”.
Një Kishë solidare me të kryqëzuarit e historisë
Papa vuri në pah edhe një aspekt tjetër të shën Comboni-it: veprimin e tij gjithnjë brenda bashkësisë, brenda Kishës.
“Zelli i tij ishte plot energji e profeci kundër indiferencës dhe përjashtimit. Në letrat e tij, i bënte thirrje nga zemra Kishës së tij të dashur, e cila e kishte harruar Afrikën prej një kohe tepër të gjatë. Ëndrra e Comboni-t është një Kishë, që jeton me të kryqëzuarit e historisë, për ta përjetuar ringjalljen me ta. Unë, në këtë çast, po ju jap një këshillë. Mendoni për të kryqëzuarit në historinë e sotme: burra, gra, fëmijë, pleq, të gjithë ata, që janë kryqëzuar nga historitë e padrejtësisë dhe të dominimit”.
Comboni na përsërit sot: mos harroni të varfërit
Shën Daniele Comboni, vërejti Françesku, e fton Kishën e sotme të mos i harrojë të varfrit dhe t'i dojë ata, "sepse në ta, është i pranishëm Jezusi i kryqëzuar, që pret të ringjallet". E përfundoi:
“Para se të vija këtu, pata një takim me ligjvënës brazilianë, që punojnë për të varfrit, që përpiqen t’i promovojnë të varfrit me asistencë dhe drejtësi shoqërore. E nuk i harrojnë të varfrit: punojnë për ta. Edhe juve ju them: mos i harroni të varfrit, sepse ata do t'ju hapin derën e Parajsës”./Radio Vatikani