Papa kërkon lutje për migrantët, në ikje nga luftërat
Papa kërkon lutje për migrantët, në ikje nga luftërat 01.03.2020 | 09:35
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku shprehu dhimbjen për bashkësitë e shumta, që dëbohen nga trojet e tyre për shkak të konflikteve. Nga Papa vjen ftesa të lutemi për ta!
 
Në përfundim të lutjes mariane të Engjëllit, Papa Françesku shprehu shqetësimin për popullsitë e dëmtuara rëndë nga luftërat e, prej këndej, të detyruara të emigrojnë:
 
“Jam i trishtuar nga lajmet që vijnë prej shumë njerëzish të izoluar, burra, gra e fëmijë, të dëbuar nga shkaku i luftës, shumë migrantë, që kërkojnë strehë e ndihmë nëpër botë. Këto ditë kjo gjë vijon të bëhet edhe më e fortë: të lutemi për ta”.
 
Kriza në Siri
 
Thirrja e sotme e Papës për lutje në favor të popujve që ikin nga konfliktet, arrin në përkim me krizën migratore shkaktuar nga shkallëzimi i luftës në rajonin sirian të Idlibit, ku rreth 950 mijë të shpërngulur po ikin nga zona e ndeshjes së forcave turke, që mbështesin rebelët, me trupat e ushtrisë siriane, që mbështeten nga Rusia.
 
Kërkohet një takim emergjence i BE-së
 
Presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan kërcënoi përsëri dje se Turqia  do t’ua lërë të hapura kufijtë me Evropën dhjetra mijëra refugjatëve sirianë.
 
E sot një valë e re emigrantësh u dynd drejt kufirit Turqi-Greqi. Rreth dy mijë vetë, ndërmjet të cilëve, shumë gra e fëmijë. Ndërkaq, komisari i BE-së për imigrimin, Margaritis Schinas, kërkoi nga presidenca kroate e turnit në BE të organizojë urgjent një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit të ministrave të brendshëm, për të diskutuar mbi situatën e krijuar në kufijtë me Turqinë.
 
Takimi i Barit
 
Jo më larg se të dielën e kaluar, Ati i Shenjtë, që ishte në Bari me rastin e takimit të ipeshkvijve, me temë: “Mesdheu, kufi i paqes”, i nxiti të krishterët të jenë “veprimtarë të palodhur të paqes” në Mare nostrum. Duke kujtuar pikërisht zonat, që dalin në Mesdhe, Papa foli, jo pa referime kritike, për rolin e politikës në Lindjen e Mesme, duke kujtuar se:
 
 “Sot zona e Mesdheut rrethohet nga shumë vatra, ku mungon stabiliteti e vijon e lufta, si në Lindjen e Mesme e në shtetet e ndryshme në veri të Afrikës, ashtu  dhe ndërmjet etnive ose grupeve fetare e konfesionale. Nuk mund të harrojmë edhe konfliktin ende të ndezur ndërmjet izraelitëve e palestinezëve, me rrezikun e rrugëzgjidhjeve të papërshtatshme që, prej këndej,  paralajmërojnë kriza të reja”./Radio Vatikani
 
Video
List of videos
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.