Papa për klimën: nuk ka gjithmonë vullnet politik për të zbatuar marrëveshjen e Parisit
Papa për klimën: nuk ka gjithmonë vullnet politik për të zbatuar marrëveshjen e Parisit 18.11.2025 | 03:55
Leoni XIV përshëndeti Kishat e Veçanta të Jugut Global, mbledhur në Muzeun e Amazonës, në Belém, gjatë COP30, me një mesazh video. Theksoi urgjencën e ruajtjes të rritjes së temperaturës globale nën 1.5°C që, siç përcaktohet nga Marrëveshja e vitit 2015, "është mjeti ynë më i fortë për të mbrojtur njerëzit dhe planetin". "Veprimet dhe politikat më të forta për klimën", kujtoi Papa, "janë investim për një botë më të drejtë e më të qëndrueshme".
 
Nuk është Marrëveshja e Parisit e vitit 2015 “që po dështon, por jemi ne që po dështojmë në përgjigjen tonë", sepse "mungon vullneti politik i disave". "Veprimet dhe politikat më të forta për klimën janë njëkohësisht investim në një botë më të drejtë dhe më të qëndrueshme". Ky denoncim, e njëkohësisht propozim, përmbahen në videomesazhin anglisht, që Papa Leoni XIV u dërgoi dje, më 17 nëntor, Kishave të Veçanta të Jugut Global, mbledhur në Muzeun e Amazonës, në Belém. Shumë nga këto Kisha morën pjesë në "Marshimin e Popullit" të shtunën, më 15, ndërsa samiti i OKB-së për klimën COP30 është duke u zhvilluar në qytetin brazilian, në zemër të Amazonës.
 
Amazona, simbol i krijimit, që ka nevojë për kujdes
 
Në përshëndetjen e tij video, Papa bashkohet "me zërin profetik të vëllezërve të tij kardinaj, që morën pjesë në COP30", të cilët, duke përfaqësuar Episkopatet e Amerikës Latine, Azisë dhe Afrikës, paraqitën një dokument për drejtësinë klimatike dhe shtëpinë e përbashkët, duke i kujtuar botës "se rajoni i Amazonës, që vazhdon të jetë  simbol i gjallë i krijimit, ka nevojë urgjente për kujdes".
 
Për shumëkënd ndryshimi i klimës nuk është kërcënim i largët
 
Leoni XIV falënderon, më pas, Kishat e Jugut Global për ndërtimin e "një komuniteti, që punon së bashku", duke preferuar "shpresën dhe veprimin, në vend të dëshpërimit". Kjo, pranon Papa, prodhoi përparim, por shpresa dhe vendosmëria "duhet të ripërtërihen", edhe përmes veprimeve konkrete.
 
Krijimi po bërtet përmes përmbytjeve, thatësirave, stuhive dhe nxehtësisë së pamëshirshme. Një në tre njerëz jeton në situata tejet shqetësuese për shkak të këtyre ndryshimeve klimatike. Për ta, ndryshimi i klimës nuk është kërcënim i largët, ndërsa injorimi i këtyre njerëzve do të thotë mohim i njerëzimit tonë të përbashkët.
 
Marrëveshja e Parisit, ende mjeti më i fuqishëm
 
Ende ka kohë "për të mbajtur rritjen e temperaturës globale nën 1.5°C", siguron Papa, "por dritarja po mbyllet". Prandaj, si "roje të krijimit të Zotit", ne duhet të veprojmë shpejt, "me besim dhe profeci, për të mbrojtur dhuratën që Ai na e besoi".
 
Marrëveshja e Parisit solli përparim konkret dhe vazhdon të jetë mjeti ynë më i fortë për të mbrojtur njerëzit dhe planetin. Por duhet të jemi të sinqertë: nuk është marrëveshja që po dështon, jemi ne që po dështojmë në përgjigjen tonë. Ajo që mungon, është vullneti politik i disave.
 
Veprime të forta klimatike, për një botë më të drejtë
 
Papa Leoni, më pas, u bëri thirrje udhëheqësve botërorë të bëjnë ndryshim përmes "veprimit më të fortë klimatik" që do të "krijojë sisteme ekonomike më të fuqishme dhe më të barabarta". Veprimi dhe politikat më të forta klimatike, thekson ai, "janë të dyja  investim në një botë më të drejtë dhe më të qëndrueshme". Papa vazhdon të flasë me shkencëtarët, udhëheqës dhe barinj të çdo kombi dhe besimi:
 
"Ne jemi kujdestarë të krijimit, jo rivalë për mbetjet e tij. Ta dërgojmë së bashku një sinjal të qartë global: kombe që mbështesin me solidaritet të palëkundur Marrëveshjen e Parisit dhe bashkëpunimin për klimën!
 
Uroj që ky Muze i Amazonës - është urimi përfundimtar - "të kujtohet si vendi ku njerëzimi zgjodhi bashkëpunimin, në vend të përçarjes dhe mohimit"./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.