Parolin: Qëndrimi i Selisë së Shenjtë për paqen dhe çarmatimin është i vendosur, por sulmet kundër Papës janë të çuditshme
Parolin: Qëndrimi i Selisë së Shenjtë për paqen dhe çarmatimin është i vendosur, por sulmet kundër Papës janë të çuditshme 07.05.2026 | 15:12
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Parolin u përgjigjet gazetarëve jashtë «Augustinianum», ku u paraqit librin «Free Under Grace», një përmbledhje me shkrimet e Leonit XIV. Në prag të audiencës së Marco Rubios në Vatikan, kardinali Parolin shpjegoi se do të trajtohen të gjitha "temat e nxehta" dhe se Papa "nuk do të tërhiqej" nga një telefonatë e mundshme me Trumpin.
 
"A mbështeteni më shumë te Rubio apo te Trump?"
 
"Unë? Unë nuk mbështetem te askush. Unë mbështetem vetëm te Zoti ynë Jezu Krisht." Kështu iu përgjigj, me një buzëqeshje, kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, gazetarëve që po e prisnin jashtë Institutit Papnor Patristik në Augustinianum dje pasdite, më 6 maj, ndërsa e pyesnin për sulmet e presidentit të SHBA-së Donald Trump kundër Papës. "Të sulmosh Papën në këtë mënyrë ose të kritikosh atë që bën më duket disi e çuditshme, pak të thuash."
 
Trumpi u shpreh rëndë kundër Papës Leonit XIV  vetëm disa ditë para audiencës në Vatikan me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio, e planifikuar për sot, 7 maj.
 
Ndërsa dje pasdite, më 6 maj, kardinali Parolin paraqiti librin "Free Under Grace", botuar nga Libreria Editrice Vaticana, që përmban predikime, fjalime, mesazhe dhe letra nga Robert Francis Prevost. Në fillim, Parolin iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, veçanërisht në lidhje me deklaratën e Trump-it se Papa po rrezikon me mijëra katolikë ngaqë pranon se Irani mund të zotërojë armë bërthamore.
 
"Papa po sillet si Papë"
 
Parolin përgjigjet me të njëjtat fjalë ashtu si edhe Papa Leoni: "Duhet të themi të vërtetën". Deklarata e presidentit amerikan "sigurisht nuk është e saktë, në kuptimin që, Selia e Shenjtë ka punuar gjithmonë dhe vazhdon të punojë, pikërisht për çarmatimin bërthamor... ajo ka folur dhe e ka nxitur marrëveshjen që prek ligjshmërinë e zotërimit të armëve bërthamore". Prandaj, ka mbajtur një qëndrim "shumë të qartë" lidhur me këtë çështje.
 
Kardinali nuk u ndal te sulmet e përsëritura të presidentit amerikan, të cilat filluan më 13 prill, ditë kur Leoni XIV u nis për në Afrikë. "Nuk dua të hyj në gjykime, vlerësime personale për këtë çështje. Unë besoj se Papa po bën atë që duhet të bëjë: Papa po sillet si Papë", u shpreh kardinali Pietro Parolin.
 
Takimi me Rubion
 
Lidhur me audiencën e Papës me Rubion, i cili më pas do të takohet me vetë Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinali shpjegon se së pari "ne do ta dëgjojmë atë, nismën e morën ata". Pastaj "do të flasim për gjithçka që ka ndodhur ditët e fundit. Nuk mund ta shmangim bisedën rreth këtyre temave". Në përgjithësi, si gjithmonë në takimet me figurat politike, do të trajtohen "politika ndërkombëtare dhe veçanërisht çështjet e konfliktit", çështje të tilla si Amerika Latine dhe ndoshta edhe çështja kubane. Shkurt, shpjegon kardinali, "të gjitha temat më të nxehta".
 
Nuk do të ketë propozime të mëtejshme nga Selia e Shenjtë në lidhje me zgjidhjen e konfliktit në Iran, përveç atyre që "janë thënë gjithmonë". Domethënë, "dialog". "Këto konflikte nuk mund të zgjidhen me forcë, por duhet të shqyrtohen dhe të zgjidhen përmes bisedimeve. Le të jetë një bisedim me vullnet të mirë, të sinqertë, në mënyrë që të gjitha palët të shprehin pikëpamjet e tyre dhe të gjejnë pika ku puqen me njëra-tjetrën", pohoi Parolin.
 
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten një bashkëbisedues
 
Shtetet e Bashkuara mbeten një bashkëbisedues, shtoi kardinali Pietro Parolin: "Si mund t'i injorosh Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Nuk mund t'i injorosh Shtetet e Bashkuara. Pavarësisht disa vështirësive, ato sigurisht mbeten një bashkëbisedues për Selinë e Shenjtë. Edhe ngaqë ato luajnë një rol në thuajse të gjitha situatat që po përjetojmë sot".
 
Parolin më pas shprehu hapje ndaj "zhvillimeve" të mundshme në marrëdhënien me administratën amerikane. "Është e parakohshme tani" për të thënë nëse do të ketë apo jo një bisedë telefonike midis Papës dhe Trump-it, theksoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit. "Ati i Shenjtë është i hapur për të gjitha mundësitë. Ai kurrë nuk ka refuzuar askënd. Pra, nëse do të kishte një ofertë ose kërkesë për një dialog të drejtpërdrejtë me presidentin Trump, mendoj se ai nuk do të kishte problem ta pranonte atë."
 
Dialogu me ipeshkvijtë gjermanë
 
Kardinali gjithashtu e konsideron "të parakohshme" të pritet që Selia e Shenjtë të ndërhyjë te ipeshkvijtë gjermanë në lidhje me çështjen e bekimeve për çiftet e të njëjtit seks. Tashpërtash, ata po dialogojnë. "Le të shohim se çfarë do të ndodhë". Vendimi i takon Papës, "por sidoqoftë, ne kemi filluar një dialog disa kohë më parë, secili duke shprehur pikëpamjet e veta mbi këtë pikë".
 
Sekretari i Shtetit të Vatikanit beson se është e mundur të "gjehet një zgjidhje" që përfshin mendimet e ndryshme, bashkë me çështjen e sinodalitetit, që do të thotë "se çdo vendim duhet të jetë në përputhje me të Drejtën Kanonike, Koncilin II të Vatikanit dhe traditën e Kishës". Shpresa është "që të mos vendosen kurrë sanksione, që problemet të zgjidhen në mënyrë paqësore, dhe kështu duhet të ndodhë në Kishë"./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.