Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, imzot Christophe Z. El-Kassis, shpreh shqetësimin e madh për përhapjen e armëve konvencionale autonome. Shpenzimet e mëdha ushtarake pengojnë ndërtimin e një paqeje të drejtë e të qëndrueshme. Prandaj, është urgjente që investimet të orientohen drejt nevojave të njerëzve që jetojnë në varfëri.
Përhapja dhe përdorimi i armëve konvencionale, që ushqejnë konfliktet dhe e përjetësojnë dhunën, dobësojnë besimin e ndërsjellë dhe pengojnë arritjen e një paqeje të drejtë e të qëndrueshme. Po aq shqetësues është edhe rritja e pandalshme e shpenzimeve ushtarake në nivel botëror, të cilat në vitin 2025 arritën në afro 2,9 trilionë dollarë.
Këto shifra bien në kontrast të thellë me nevojën urgjente për ndihmë humanitare dhe zhvillim. Kështu u shpreh imzot Christophe Z. El-Kassis, Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, gjatë ndërhyrjes së tij në takimin kushtuar armëve konvencionale, në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që po zhvillohet në Nju Jork.
Ndalime ligjore për sistemet autonome të armëve vdekjeprurëse
Imzot El-Kassis shprehu shqetësimin edhe për tërheqjen e disa shteteve nga Konventa për Minat Kundër Personelit dhe Konventa për Municionet Thërrmuese, duke kërkuar që integriteti i të dyja marrëveshjeve të ruhet dhe ato të promovohen në mbarë botën.
Ai bëri gjithashtu thirrje për miratimin e një instrumenti juridikisht detyrues, që të përcaktojë ndalime dhe rregulla të qarta për sistemet autonome të armëve vdekjeprurëse. Në këtë drejtim, Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara vlerësoi përparimin e bërë gjatë këtij viti nga Grupi i Ekspertëve Qeveritarë.
Duke iu referuar dokumentit Magnifica humanitas të Papa Leoni XIV, Imzot El-Kassi kujtoi se vendimi për të përdorur forcën vdekjeprurëse nuk mund t'u lihet proceseve të paqarta ose të automatizuara. Një vendim i tillë duhet të mbetet nën kontrollin efektiv të njeriut, i cili duhet të veprojë me vetëdije dhe përgjegjësi.
Pasojat shkatërruese të armëve shpërthyese në zonat e banuara
Një tjetër arsye për shqetësim të thellë janë pasojat e rënda humanitare të përdorimit të armëve shpërthyese në zonat e banuara. Shkatërrimi i infrastrukturës civile dhe vuajtjet afatgjata të komuniteteve të prekura dëshmojnë nevojën që Deklarata Politike për Armët Shpërthyese në Zonat e Banuara (EWIPA) të zbatohet në mënyrë universale. Mbrojtja e popullsisë civile dhe e kushteve themelore të jetesës duhet të jetë në qendër të përpjekjeve ndërkombëtare për të kufizuar pasojat e konflikteve të armatosura.
Luftë kundër tregtisë së paligjshme të armëve të vogla
Në ndërhyrjen e tij, imzot El-Kassis u ndal edhe te tregtia e paligjshme e armëve të vogla dhe të lehta, të cilat ushqejnë dhunën dhe pengojnë zhvillimin. Për këtë arsye, ai theksoi nevojën për të forcuar zbatimin e Programit të Veprimit për parandalimin, luftimin dhe çrrënjosjen e tregtisë së paligjshme të armëve të vogla dhe të lehta në të gjitha aspektet e saj, si edhe të Instrumentit Ndërkombëtar të Gjurmimit.
Burimet për armët të shërbejnë për më të varfrit
Në përfundim, Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, theksoi urgjencën e riorijentimit të burimeve financiare të destinuara për armatimet drejt nevojave të njerëzve që jetojnë në varfëri. Kjo do të thotë të zgjerohet qasja në arsim dhe në kujdes shëndetësor, si edhe të nxitet zhvillimi i gjithanshëm njerëzor, në mënyrë që çdo person të mund të jetojë me dinjitet.
Mesazhi i Selisë së Shenjtë është i qartë: burimet që sot shpenzohen për armët duhet të vihen më shumë në shërbim të jetës, të dinjitetit njerëzor dhe të zhvillimit të popujve. Vetëm përmes zgjedhjeve që vënë në qendër njeriun dhe nevojat e tij mund të ndërtohet një paqe më e drejtë dhe më e qëndrueshme./Radio Vatikani