Të paktën shtatë alpinistë, përfshirë pesë të huaj dhe dy nepalezë, kanë vdekur pasi u goditën nga një ortek në një majë të Himalajeve në Nepalin verilindor, tha agjencia e ekspeditës Seven Summit Treks.
Incidenti ndodhi në orën 09:00 sipas orës lokale) të hënën pranë kampit bazë të malit Yalung Ri në distriktin Dolakha.
Ekipet e shpëtimit gjetën dy trupa dhe ende po kërkojnë pesë të tjerët, të cilët besohet se janë varrosur nga bora. Tetë të tjerë janë shpëtuar dhe ndodhen në kryeqytetin Katmandu duke marrë trajtim për lëndimet e tyre.
Të gjithë këta alpinistë ishin pjesë e një grupi që u nis më shumë se një orë para se të binte orteku, tha shefi i policisë së distriktit për BBC Nepali.
Trupat e pesë alpinistëve të tjerë të vdekur “mund të jenë 10-15 metra nën borë”, tha Mingma Sherpa, kryetar i Seven Summit Treks. “Do të duhet kohë për t’i gjetur ata.”
Në mesin e të vrarëve përfshihen dy italianë, një kanadez, një gjerman, një francez dhe dy nepalezë që shërbyen si udhërrëfyes.
Zëvendësdrejtori lokal i Policisë, Gyan Kumar Mahato, i tha BBC-së të hënën se një helikopter shpëtimi kishte ulur në zonën Na Gaun të Dolakha-s – pesë orë ecje nga kampi bazë i Yalung Ri.
Një nga alpinistët e plagosur i tha The Kathmandu Post se ata kishin kërkuar vazhdimisht ndihmë, por pa sukses. “Nëse shpëtimtarët do të kishin mbërritur në kohë, mund të ishin shpëtuar më shumë jetë”, i tha ai gazetës nepaleze.
Mahato u tha gazetarëve se përpjekjet e shpëtimit u penguan nga moti i keq dhe problemet logjistike, të cilat e bënë të vështirë fluturimin me helikopterë dhe as arritjen në vend në këmbë, transmeton Klankosova.tv.
The Kathmandu Post raportoi se grupi po përgatitej të ngjitej në majën e afërt Dolma Khang, e cila ka një lartësi prej 6,332 m. Ata kishin planifikuar të ngjiteshin në majën 5,630 m të Yalung Ri si pjesë e programit të tyre të aklimatizimit.