Intervistë me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinalin Parolin mbi ngjarjet në Lindjen e Mesme: i rrezikshëm pohimi i një multipolarizmi të karakterizuar nga primati i fuqisë.
“Është vërtet shqetësues ky dështim i së drejtës ndërkombëtare: forca ka zënë vendin e drejtësisë”. Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, flet me mediat e Vatikanit për luftën në vijim në Lindjen e Mesme dhe vëren me shqetësim se “po pohohet rrezikshëm një multipolarizëm i karakterizuar nga primati i fuqisë dhe vetëreferimi”.
Hirësi, si po i përjetoni këto orë dramatike?
Me dhimbje të madhe, pasi popujt e Lindjes së Mesme, përfshirë komunitetet e krishtera tashmë të brishta, janë zhytur sërish në tmerrin e luftës, e cila këput brutalisht jetë njerëzore, prodhon shkatërrim dhe tërheq kombe të tëra në spirale dhune me pasoja të pasigurta. Të dielën e kaluar gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, Papa foli për një “tragjedi me përmasa gjigante” dhe për rrezikun e një “humnere të pariparueshme”. Janë fjalë më se elokuente për të përshkruar momentin që po kalojmë.
Çfarë mendoni për sulmin amerikan dhe izraelit kundër Iranit?
Mendoj se paqja dhe siguria duhet të kultivohen dhe të ndiqen përmes mundësive që ofron diplomacia, sidomos ajo e ushtruar në organizmat shumëpalësh, ku shtetet kanë mundësinë t’i zgjidhin konfliktet në mënyrë paqësore dhe më të drejtë. Pas Luftës së Dytë Botërore, që shkaktoi rreth 60 milionë të vdekur, etërit themelues, me krijimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, donin t’u kursenin bijve tmerret që ata vetë kishin jetuar. Prandaj, në Kartën e OKB-së deshën të jepnin udhëzime të sakta mbi menaxhimin e konflikteve. Sot, këto përpjekje duken se janë fashitur. Jo vetëm aq, por siç kujtoi Papa para Trupit Diplomatik në fillim të vitit, “një diplomacie që promovon dialogun dhe kërkon konsensusin e të gjithëve, po i zë vendin një diplomaci e forcës, e individëve apo grupeve të aleatëve” dhe mendohet se paqja mund të arrihet “përmes armëve”. Kur flitet për shkaqet e një lufte, është komplekse të përcaktohet se kush ka të drejtë dhe kush ka gabim. Ajo që është e sigurt, megjithatë, është se lufta do të prodhojë gjithmonë viktima dhe shkatërrim, si dhe efekte shkatërruese mbi civilët. Për këtë arsye, Selia e Shenjtë preferon të bëjë thirrje për nevojën e përdorimit të të gjitha instrumenteve të ofruara nga diplomacia për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis shteteve. Historia na ka mësuar tashmë se vetëm politika, me mundimin e negociatave dhe vëmendjen ndaj balancimit të interesave, mund të rrisë besimin midis popujve, të promovojë zhvillimin dhe të ruajë paqen.
Arsyetimi për sulmin ishte parandalimi i realizimit të raketave të reja, shkurt një “luftë parandaluese”...
Siç vëren Karta e OKB-së, përdorimi i forcës duhet të konsiderohet vetëm si rasti i fundit dhe shumë i rëndë, pasi të jenë përdorur të gjitha mjetet e dialogut politik dhe diplomatik, pasi të jenë vlerësuar me kujdes kufijtë e nevojës dhe proporcionalitetit, mbi bazën e verifikimeve rigoroze dhe arsyeve të bazuara, dhe gjithmonë brenda kuadrit të një qeverisjeje shumëpalëshe. Nëse shteteve do t’u njihej e drejta për “luftë parandaluese”, sipas kritereve të tyre dhe pa një kuadër ligjor mbinacional, e gjithë bota do të rrezikonte të gjendej në flakë. Është vërtet shqetësues ky dështim i së drejtës ndërkombëtare: drejtësisë i ka zënë vendin forca, forca e së drejtës është zëvendësuar me të drejtën e forcës, me bindjen se paqja mund të lindë vetëm pasi armiku të jetë asgjësuar.
Çfarë peshe kanë manifestimet masive të javëve të kaluara të mbytura në gjak në Iran? A mund të harrohen?
Sigurisht që jo, edhe kjo ka qenë arsye për shqetësim të thellë. Aspiratat e popujve duhet të merren parasysh dhe të garantohen në kuadrin ligjor të një shoqërie që u mundëson të gjithëve të shprehin lirisht dhe publikisht idetë e tyre, dhe kjo vlen edhe për popullin e dashur iranian. Njëkohësisht mund të pyesim nëse vërtet mendohet se zgjidhja mund të vijë përmes lëshimit të raketave dhe bombave.
Pse e drejta ndërkombëtare dhe diplomacia njohin sot këtë pikë rënieje?
Ka dështuar vetëdija se e mira e përbashkët u shërben vërtet të gjithëve, që do të thotë se e mira e tjetrit është një e mirë edhe për mua, prandaj drejtësia, prosperiteti, siguria realizohen në masën që të gjithë mund të përfitojnë prej tyre. Ky parim qëndron në themel të krijimit të sistemit shumëpalësh ose të një projekti guximtar, si ai i Bashkimit Evropian. Kjo vetëdije është zbehur, duke rritur oreksin për interesat vetjake. Kjo ka edhe një pasojë tjetër: sistemi i diplomacisë shumëpalëshe në marrëdhëniet midis shteteve po jeton një krizë të thellë, inter alia (ndër të tjera) për shkak të mosbesimit që këto të fundit kanë ndaj detyrimeve ligjore që kufizojnë veprimin e tyre. Ky qëndrim përfaqëson anën tjetër të vullnetit për fuqi: dëshirën për të vepruar lirisht, për t’u imponuar të tjerëve urdhrin e tyre, duke shmangur mundimin dramatik por fisnik të politikës, të përbërë nga diskutime, negociata, avantazhe për vete dhe lëshime për të tjerët. Po pohohet rrezikshëm një multipolarizëm i karakterizuar nga primati i fuqisë dhe autoreferencialiteti. Mjerisht, po vihen sërish në diskutim parime si vetëvendosja e popujve, sovraniteti territorial, rregullat që disiplinojnë vetë luftën (ius in bello) (e drejta e luftës). Vihet në diskutim dhe gradualisht lihet mënjanë i gjithë aparati i ndërtuar nga e drejta ndërkombëtare në fusha si çarmatimi, bashkëpunimi për zhvillim, respektimi i të drejtave themelore, pronësia intelektuale dhe shkëmbimet e tranzitet tregtare. Dhe mbi të gjitha duket se ka humbur vetëdija për atë që Immanuel Kant shkruante që në vitin 1795: “Shkelja e së drejtës e ndodhur në një pikë të tokës ndjehet në të gjitha pikat”. Edhe më e rëndë, në disa aspekte, është thirrja në të drejtën ndërkombëtare sipas leverdive personale.
Për çfarë bëhet fjalë?
I referohem faktit se ka raste në të cilat komuniteti ndërkombëtar indinjohet dhe mobilizohet, dhe raste në të cilat nuk e bën këtë ose e bën shumë më me butësi, duke dhënë përshtypjen se ekzistojnë shkelje të së drejtës që duhen sanksionuar dhe të tjera që duhen toleruar, viktima civile për t'u vajtuar dhe të tjera që duhen konsideruar si “dëme kolaterale”. Nuk ka të vdekur të kategorisë së parë dhe të dytë, as njerëz që kanë më shumë të drejtë të jetojnë se të tjerët vetëm sepse kanë lindur në një kontinent në vend të një tjetri apo në një shtet të caktuar. Dëshiroj të kujtoj rëndësinë e të drejtës humanitare ndërkombëtare, respektimi i së cilës nuk mund të varet nga rrethanat dhe nga interesat ushtarake e strategjike. Selia e Shenjtë ripohon me forcë dënimin e saj për çdo formë të përfshirjes së civilëve dhe strukturave civile si vendbanime, shkolla, spitale dhe vende kulti, në operacionet ushtarake, dhe kërkon që të mbrohet gjithmonë parimi i paprekshmërisë së dinjitetit njerëzor dhe i shenjtërisë së jetës.
Çfarë perspektivash afatshkurtra shihni për këtë krizë të re?
Shpresoj dhe lutem që thirrja për përgjegjësi që Papa Leoni XIV drejtoi të dielën e kaluar të pranohet dhe të mund të depërtojë në zemrat e atyre që po marrin vendimet. Uroj që të pushojë shpejt zhurma e armëve dhe të kthehemi në negociata. Nuk duhet të boshatiset kuptimi i negociatave: është thelbësore të jepet koha e nevojshme në mënyrë që ato të arrijnë rezultate konkrete, duke punuar me durim dhe vendosmëri. Përveç kësaj, duhet të marrim parasysh se rendi ndërkombëtar ka ndryshuar thellësisht krahasuar me atë të përcaktuar tetëdhjetë vjet më parë me themelimin e OKB-së. Pa nostalgji për të kaluarën, është e nevojshme të luftohet çdo delegjitimim i institucioneve ndërkombëtare dhe të promovohet konsolidimi i normave mbinacionale që ndihmojnë shtetet të zgjidhin paqësisht mosmarrëveshjet, përmes diplomacisë dhe politikës.
Çfarë shprese përballë gjithë kësaj?
Të krishterët shpresojnë sepse besojnë në Zotin e bërë Njeri, Jezu Krishtin, i cili në kopshtin e Gjetsemanit i urdhëroi Pjetrit ta kthejë shpatën në mill dhe i cili në Kryq përjetoi vetë tmerrin e dhunës së verbër dhe të pakuptimtë. Shpresojnë gjithashtu sepse, pavarësisht luftërave, shkatërrimeve dhe pasigurive dhe një ndjenje të përhapur humbjeje, nga shumë pjesë të botës vazhdojnë të ngrihen zëra që kërkojnë paqe dhe drejtësi. Popujt tanë kërkojnë paqe! Kjo thirrje duhet të shkundë qeveritarët dhe ata që veprojnë në kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke i shtyrë ata të shumojnë përpjekjet për paqe./Radio Vatikani