Kisha në mbarë botën lutet për shëndetin e Papës
Kisha në mbarë botën lutet për shëndetin e Papës 12.10.2026 | 03:32
Mesazhe, lutje dhe kremtime liturgjike po pasojnë njëri-tjetrin pas njoftimit që Papa Leoni XIV bëri dje në lutjen e Engjëllit të Tënzot, lidhur me një ndërhyrje të afërt kirurgjikale për heqjen e një nyje të kufizuar në mushkëri. Nga Amerika Latine e deri te bashkëvëllezërit agostinianë, po shprehen dashuria dhe afërsia shpirtërore me Papën.
 
Lajmi për ndërhyrjen kirurgjikale në mushkëri, të cilën Papa Leoni XIV e njoftoi vetë dje, më 11 tetor, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, bëri menjëherë xhiron e botës. Menjëherë pas tij shpërtheu një valë e madhe dashurie dhe përzemërsie për Papën: nga shtegtarët e thjeshtë të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, të prekur nga lajmi i papritur për shëndetin e Papës, deri te institucionet dhe bashkësitë kishtare, të cilat i ftuan besimtarët të luten Zotit për Ipeshkvin e Romës.
 
Kard. Dziwisz: ndërmjetësimi i Shën Gjon Palit II
 
Nga Polonia vjen mesazhi i afërsisë dhe dashurisë i kardinalit Stanisław Dziwisz, kryeipeshkëv nderi i Krakovës dhe sekretar i Shën Gjon Palit II.
 
Kardinali Dziwisz ia beson Virgjrës Mari të Fatimës dhe ndërmjetësimit të Papës së shenjtë Gjon Palit II këtë sprovë shëndetësore.
 
Urimi tij është që kjo periudhë të jetë e përkohshme dhe të sjellë fryte për të ardhmen e shërbesës pjetrine të Papës Leoni XIV dhe për mbarë njerëzimin. “Lajmi që na mbërriti na preku thellësisht. Dobësia juaj e përkohshme shëndetësore na ka afruar edhe më shumë me ju”, shkruan kard. Dziwiszi dhe shpreh besimin se lutja do t'u mundësojë të gjithëve, të gëzojnë së shpejti shëndetin e plotë të Papës, dhe ta shohin sërish në krye të Kishës universale, duke vijuar misionin e tij.
 
Uruguai në lutje
 
Lutjet po shtohen edhe në Uruguai, vend që Papa Leoni XIV do të vizitojë gjatë udhëtimit të tij të gjashtë apostolik, nga 6 deri më 17 nëntor.
 
Ipeshkvijtë, në një postim të publikuar në rrjetin social X, bëjnë të ditur se përgatitjet për ta pritur Papën në vend po vijojnë me shpresë, me dëshirën për të “përjetuar së bashku një gëzim të madh”. Prelatët shprehin urimin që ndërhyrja kirurgjikale të kryhet “pa ndërlikime” dhe që gjithçka të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që Ati i Shenjtë Prevost të rikuperojë shëndetin.
 
Forcë dhe paqe për Papën nga Argjentina
 
Argjentina është ndalesa e dytë e parashikuar e udhëtimit apostolik të Papës. Edhe nga ky vend vjen një mesazh afërsie dhe përkrahjeje. Në një mesazh të nënshkruar nga kryeipeshkëvi Marcelo Daniel Colombo dhe ipeshkvi Raúl Pizarro, përkatësisht kryetar dhe sekretar i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Argjentinës, ipeshkvijtë i ftojnë të gjithë popullin e Zotit të bashkohet në një lutje të veçantë për Papën Leonin, duke i kërkuar Zotit t'i dhurojë forcë dhe paqe, si dhe një shërim të shpejtë. Ajo që i ngushëllon, shkruajnë ata, është qetësia dhe besimi që Papa shfaqi gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot. Në përfundim, sigurojnë se i qëndrojnë pranë me dashuri, duke ia besuar shëndetin e Atit të Shenjtë mbrojtjes dhe ndërmjetësimit të Zojës së Bekuar.
 
Peruja i lutet Zotit të Mrekullive
 
Nga Peruja, vend veçanërisht i dashur për Papën Leonin, ku ai pritet të qëndrojë në ditët e fundit të udhëtimit të tij apostolik në nëntor, vjen edhe mesazhi i kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore, imzot Carlos García Camader.
 
Ai vë në dukje “qetësinë e thellë” me të cilën Papa njoftoi ndërhyrjen e ardhshme kirurgjikale. Një dëshmi përvujtërie që preku zemrat dhe nxiti menjëherë besimtarët të bashkohen në lutje për shëndetin e Ipeshkvit të Romës. Prandaj, imzot García Camader u bën thirrje bashkësive, familjeve dhe të gjithë besimtarëve t'i drejtojnë lutjet e tyre Señor de los Milagros — Zotit të Mrekullive — që Papa të mund ta çojë deri në fund misionin e tij në Kishë dhe në botë, si lajmëtar i paqes dhe i shpresës, dëshmitar i njësisë dhe i vëllazërimit.
 
Vetëm pak orë pas njoftimit të bërë dje gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kardinali i Limës, Carlos Castillo Mattasoglio, kryesoi një Meshë në Shenjtëroren e Las Nazarenas, për shëndetin e Papës, të cilin e cilësoi si “një anëtar shumë të denjë të kombit tonë”. Kardinali Mattasoglio shprehu besimin që “kjo sëmundje e vogël të mund të kurohet shpejt”, në mënyrë që Leoni XIV të jetë sërish pranë të gjithëve, e sidomos sa më parë.
 
Lutje vijnë edhe nga Dioqeza e Çiklayos, në Peru, ku Prevost shërbeu si ipeshkëv nga viti 2015 deri më 2023. Në një njoftim në Facebook bëhet e ditur se ipeshkvi imzot Edinson Farfán Córdova do të kryesojë një Meshë për shëndetin e Papës. “Së bashku, ia besojmë Atin e Shenjtë duarve të Zotit, duke i kërkuar që ta forcojë dhe ta shoqërojë në çdo çast”, thuhet në mesazh.
 
Bashkëvëllezërit augustinianë
 
Nga Çikagoja, vendlindja e Robert Francis Prevostit, vjen edhe mesazhi i kardinalit dhe kryeipeshkëvit Blase Cupich. Në një deklaratë, ai i fton të gjithë të bashkohen në lutje për “shërimin e tij të shpejtë dhe të plotë”. “Shpirti Shenjt udhëheqtë duart e kirurgëve dhe e Lumja Mari Virgjër e ruajtë Papën Leoni në ditët që vijnë, deri në rikthimin e plotë të shëndetit të tij”, thuhet në mesazh.
 
Edhe kryeipeshkëvia e Canterbury-t, Sarah Mullally, shpreh afërsinë e saj shpirtërore me Papën: “Do të lutem për Papën Leoni XIV në ditët e ardhshme, duke i kërkuar Zotit mbrojtjen, praninë dhe kujdesin e tij. Së bashku me të krishterët në mbarë vendin dhe në mbarë botën, lutem për shërimin e shpejtë të Papës”.
 
“Si augustinianë, lutemi së bashku për shëndetin e Papës Leon XIV”, shkruan në rrjetet sociale familja rregulltare augustiniane së cilës i përket Ati i Shenjtë Prevost. “Zoti e bekoftë Atin e Shenjtë dhe mjekët e tij gjatë ndërhyrjes së ardhshme kirurgjikale për heqjen e një nyje të zbuluar në mushkëri gjatë një kontrolli të kohëve të fundit, siç njoftoi vetë Ati i Shenjtë gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, të dielën, më 11 tetor”.
 
Ndërkohë, në një postim të publikuar në faqen e Shenjtërores së Zojës së Këshillit të Mirë në Genazzano, vend shumë i dashur për Papën Leoni XIV, i cili e ka vizituar dy herë pas zgjedhjes së tij, më 10 maj 2025 dhe më 7 shtator 2026, besimtarët ftohen të marrin pjesë në një lutje të përbashkët sonte, më 12 tetor, në orën 21:00.
 
“Papa Leoni XIV ka kërkuar që ta shoqërojmë me lutje, ndërsa përgatitet t'i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale këtë javë”, thuhet në njoftim.
 
“Le të bashkohemi në lutje, duke ia besuar Atin e Shenjtë ndërmjetësimit të Zojës së Këshillit të Mirë, që ndërhyrja të ketë sukses dhe Papa të mund ta marrë veten sa më shpejt”./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.