Leoni XIV: “paqja ekziston, i reziston dhunës dhe e mund atë”, edhe “në errësirën e kohëve”
Leoni XIV: “paqja ekziston, i reziston dhunës dhe e mund atë”, edhe “në errësirën e kohëve” 18.12.2025 | 15:03
Mesazhi i Leonit për Ditën e 59-të Botërore të Paqes, me temën “Paqja qoftë me ju të gjithë. Drejt një paqeje të çarmatosur dhe çarmatosëse”.
 
Papa denoncon garën e armatimit që po zhvillohet në botë, me shpenzimet ushtarake që në vitin 2024 janë rritur me 9,4% krahasuar me një vit më parë.Më pas, ftesa drejtuar besimtarëve për të qëndruar vigjilentë ndaj instrumentalizimit të fesë për të bekuar nacionalizmin, luftën e armatosur:
 
“Një blasfemi që errëson emrin e Zotit”
Është një paqe “e çarmatosur dhe çarmatosëse”, një paqe “e përvuajtur dhe këmbëngulëse”, ajo që Papa Leoni e kërkon me lutje drejtuar Zotit për këtë botë në të cilën, për të arritur vetë paqen, bëhet luftë; në të cilën “arrihet deri aty sa të konsiderohet faj” fakti që nuk përgatitesh mjaftueshëm “për t’iu përgjigjur sulmeve” dhe “për t’iu kundërvënë dhunës”. Një botë në të cilën shpenzimet ushtarake janë rritur me 9,4%; në të cilën marrëdhëniet ndërmjet popujve bazohen mbi frikën dhe dominimin; në të cilën bekohet nacionalizmi dhe justifikohet “fetarisht dhuna dhe lufta e armatosur”.
 
Një analizë e ashpër në realizmin e saj, por njëkohësisht ngushëlluese për shpresën që e përshkon, ajo e Leonit XIV në mesazhin për Ditën e 59-të Botërore të Paqes, që do të kremtohet më 1 janar 2026, i botuar sot paradite.
 
“Paqja qoftë me të gjithë ju. Drejt një paqeje të paarmatosur dhe çarmatosëse” është tema e zgjedhur nga Papa amerikan për dokumentin. Janë pikërisht fjalët e para me të cilat ai, Robert Francis Prevost, u paraqit para botës shtatë muaj më parë nga Lozha e Bekimeve të Bazilikës së Vatikan, i porsazgjedhur nga Konklavi.
 
Që nga mbrëmja e zgjedhjes sime si Ipeshkëv i Romës, kam dashur ta përfshij përshëndetjen time në këtë shpallje korale. Dhe dëshiroj ta ritheksoj: kjo është paqja e Krishtit të Ngjallur, një paqe e paarmatosur dhe një paqe çarmatosëse, e përvujatur dhe këmbëngulëse. Ajo vjen nga Zoti, e Zoti që na do të gjithëve pa kushte.
  
Shndërrimi i mendimeve dhe fjalëve në armë
 
Rëndësia e komunikimit është një nga fijet përçuese të mesazhit, në të cilin Leoni i nxit besimtarët të vigjilojnë “mbi përpjekjen gjithnjë e në rritje për t’i shndërruar në armë madje edhe mendimet dhe fjalët”. “Traditat e mëdha shpirtërore, ashtu si edhe përdorimi i drejtë i arsyes, na bëjnë të shkojmë përtej lidhjeve të gjakut apo etnike, përtej atyre vëllazërive që njohin vetëm të ngjashmin dhe refuzojnë të ndryshmin”, shkruan Papa. Sot kjo nuk është aspak e vetëkuptueshme, në një kohë kur priret “të tërhiqen fjalët e fesë në betejën politike, të bekohet nacionalizmi dhe të justifikohet fetarisht dhuna dhe lufta e armatosur”.
 
Besimtarët duhet t’i përgënjeshtrojnë në mënyrë aktive, para së gjithash me jetën e tyre, këto forma blasfemie që errësojnë Emrin e Shenjtë të Zotit.
 
Paqja nuk është një utopi
 
Krahas veprimit, Papa kërkon të “kultivohet lutja, spiritualiteti, dialogu ekumenik dhe ndërfetar si rrugë paqeje dhe gjuhë të takimit ndërmjet traditave dhe kulturave”. Përmes “një krijimtarie baritore të kujdesshme dhe gjeneruese”, duhet “të tregohet se paqja nuk është një utopi”. Sepse “kur e trajtojmë paqen si një ideal të largët”, përfundojmë duke “mos e konsideruar skandaloze që ajo të mohohet dhe madje që të bëhet luftë për të arritur paqen”.
 
Duket se mungojnë idetë e duhura, fjalitë e peshuara, aftësia për të thënë se paqja është afër. Nëse paqja nuk është një realitet i përjetuar, për t’u ruajtur dhe kultivuar, agresiviteti përhapet si në jetën familjare, ashtu edhe në atë publike.
 
Udha “çarmatosëse” e diplomacisë dhe ndërmjetësimit
 
E rëndësishme, nga ky këndvështrim, është edhe dimensioni politik. Papa u drejtohet atyre që janë thirrur e kanë përgjegjësi publike në “instancat më të larta dhe më të kualifikuara”, që “ta shqyrtojnë thellë problemin e rindërtimit paqësor të marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve politike në nivel botëror: një rindërtim i bazuar mbi besimin e ndërsjellë, sinqeritetin në negociata dhe besnikërinë ndaj angazhimeve të marra”.
 
Është udha çarmatosëse e diplomacisë, e ndërmjetësimit dhe e së drejtës ndërkombëtare, e përgënjeshtruar fatkeqësisht nga shkelje gjithnjë e më të shpeshta të marrëveshjeve të arritura me vështirësi, në një kontekst që do të kërkonte jo delegjitimimin, por përkundrazi forcimin e institucioneve mbikombëtare.
 
Përtej parimit të vetëmbrojtjes legjitime
 
Më konkretisht, Leoni XIV vëren se “në marrëdhënien ndërmjet qytetarëve dhe qeveritarëve arrihet deri aty sa të konsiderohet faj fakti që nuk përgatitesh mjaftueshëm për luftë, për t’iu përgjigjur sulmeve, për t’iu kundërvënë dhunës”. Është një logjikë “konfrontuese” që shkon “shumë përtej parimit të vetëmbrojtjes legjitime” dhe që, në planin politik, ushqen “destabilizimin planetar”, i cili po merr çdo ditë përmasa gjithnjë e më dramatike dhe të paparashikueshme. “Jo rastësisht, thirrjet e përsëritura për të rritur shpenzimet ushtarake dhe zgjedhjet që pasojnë prej tyre paraqiten nga shumë qeveritarë me justifikimin e rrezikshmërisë së të tjerëve”, vëren Papa.
 
Forca frenuese e fuqisë dhe, në veçanti, parandalimi bërthamor mishërojnë iracionalitetin e një marrëdhënieje ndërmjet popujve të bazuar jo mbi të drejtën, drejtësinë dhe besimin, por mbi frikën dhe dominimin e forcës.
 
Thirrja e Pacem in terris
 
Për të përforcuar mendimin e tij, Leoni XIV citon Gjonin XXIII dhe enciklikën Pacem in Terris. Qysh gjashtëdhjetë vjet më parë, Papa Roncalli paralajmëronte se “qeniet njerëzore jetojnë nën ankthin e një uragani që mund të shpërthejë në çdo çast me një shkatërrim të paimagjinueshëm” dhe se, me armët në qarkullim, “nuk përjashtohet që një fakt i paparashikueshëm dhe i pakontrollueshëm të ndezë shkëndijën që vë në lëvizje aparatin luftarak”.
 
Rritja e armëve
 
Pikërisht armët, vëren Leoni XIV, kanë shënuar një rritje në nivel botëror në prodhimin dhe tregtinë e tyre gjatë vitit 2024 me 9,4% krahasuar me vitin e mëparshëm, duke arritur shifrën 2.718 miliardë dollarë, ose 2,5% të PBB-së botërore. “Sot, ndaj sfidave të reja duket se dëshirohet të përgjigjet, përveç përpjekjes së jashtëzakonshme ekonomike për riarmatimin, edhe me politika arsimore”, thekson Papa, duke drejtuar gishtin ndaj “fushatave të komunikimit dhe programeve arsimore, në shkolla dhe universitete, si edhe në media, që përhapin perceptimin e kërcënimeve dhe transmetojnë një nocion thjesht të armatosur të mbrojtjes dhe sigurisë”.
 
Rreziqet e “makinave”
 
Në këtë drejtim rikthehet thirrja e Etërve të Koncilit të Dytë të Vatikanit në kushtetutën baritore Gaudium et spes, të cilët paralajmëronin rrezikun e përdorimit të armëve më moderne shkencore për të kryer krime dhe për të marrë vendime të tmerrshme, duke i nxitur “qeveritarët dhe komandantët më të lartë ushtarakë” të marrin parasysh “peshën e jashtëzakonshme të përgjegjësisë së tyre”. Leoni XIV i rifreskon këto fjalë, duke pasur parasysh edhe faktin se “përparimi i mëtejshëm teknologjik dhe zbatimi në fushën ushtarake i inteligjencave artificiale e kanë radikalizuar tragjedinë e konflikteve të armatosura”.
 
Po merr formë madje një proces çpërgjegjësimi i udhëheqësve politikë dhe ushtarakë, për shkak të “delegimit” gjithnjë e më të madh te makinat të vendimeve që kanë të bëjnë me jetën dhe vdekjen e qenieve njerëzore. Është një spirale shkatërruese, e paprecedentë, e humanizmit juridik dhe filozofik mbi të cilin mbështetet dhe prej të cilit ruhet çdo qytetërim.
 
“Duhet të denoncohen përqendrimet e mëdha të interesave ekonomike dhe financiare private që po i shtyjnë shtetet në këtë drejtim; por kjo nuk mjafton, nëse njëkohësisht nuk nxitet zgjimi i ndërgjegjeve dhe i mendimit kritik”, nënvizon sërish Papa Leoni XIV.
 
Të mos shkatërrohen ura, të këmbëngulet në dialog dhe dëgjim
 
Në këtë skenar, megjithatë, nuk duhet harruar rëndësia e dialogut, që do të thotë të mos shkatërrohen “urat” dhe të mos këmbëngulet “me regjistrin e qortimit”, por përkundrazi të privilegjohet “rruga e dëgjimit” dhe, sa të jetë e mundur, “takimi me arsyet e tjetrit”. Një mësim ky i marrë nga Shën Augustini, sipas të cilit: “Kush e do vërtet paqen, i do edhe armiqtë e paqes”.
 
Paqja ekziston, dëshiron të banojë në ne, ka fuqinë e butë për të ndriçuar dhe zgjeruar mendjen, i reziston dhunës dhe e mund atë. Paqja ka frymën e së përjetshmes: ndërsa ndaj së keqes i bërtitet “mjaft”, paqes i pëshpëritet “përgjithmonë”.
 
Punonjësit e paqes, rojtarë në natë
 
Papa u drejton së fundi një mendim punonjësve dhe punonjëseve të paqes që, “në dramën e asaj që Papa Françesku e ka quajtur ‘lufta e tretë botërore pjesë-pjesë’, ende i rezistojnë ndotjes së errësirës, si rojtarë në natë”. “Le t’i hapemi paqes!”, është nxitja e Leonit XIV, “ta pranojmë dhe ta njohim atë, në vend që ta konsiderojmë të largët dhe të pamundur. Para se të jetë një synim, paqja është një prani dhe një rrugë. Edhe pse e kundërshtuar si brenda ashtu edhe jashtë nesh, si një flakë e vogël e kërcënuar nga stuhia, ta ruajmë atë pa harruar emrat dhe historitë e atyre që na e kanë dëshmuar”.
 
Edhe në vendet ku kanë mbetur vetëm rrënoja dhe ku dëshpërimi duket i pashmangshëm, pikërisht sot gjejmë ata që nuk e kanë harruar paqen.
 
Dëshmitarë dhe profetë të një paqeje të paarmatosur
 
Në përfundim të mesazhit të tij, Leoni XIV u drejtohet të krishterëve që, “duke kujtuar tragjeditë për të cilat shumë herë janë bërë bashkëfajtorë”, të bëhen “profetikisht dëshmitarë” të paqes së Krishtit të Ngjallur, e cila “është e paarmatosur, sepse e paarmatosur ishte lufta e tij, brenda rrethanave të caktuara historike, politike dhe shoqërore”. Të gjithë të krishterët janë thirrur të “veprojnë me mëshirë” dhe të marrin shembull nga ata vëllezër e motra që “kanë ditur të dëgjojnë dhimbjen e tjetrit dhe janë çliruar nga mashtrimi i dhunës”.
 
“T’i bashkojmë përpjekjet për t’i kontribuar së bashku për një paqeje çarmatosëse, një paqeje që lind nga hapja dhe përvujtëria ungjillore”, është ftesa përmbyllëse e mesazhit për Ditën Botërore të Paqes 2026.
 
Të nisim brenda vetes atë çarmatim të zemrës, të mendjes dhe të jetës, ndaj të cilit Zoti nuk do të vonojë të përgjigjet duke përmbushur premtimet e Tij./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.