Promovimi i së mirës së përbashkët, njohja e destinacionit universal të të mirave materiale, jetësimi i solidaritetit të vërtetë dhe i subsidiaritetit të përgjegjshëm, si dhe mbrojtja e dinjitetit njerëzor, për të ndërtuar së bashku qytetërimin e dashurisë.
Këto janë boshtet kryesore të fjalimit të Papa Leoni XIV drejtuar lëvizjeve shoqërore dhe përfaqësuesve të botës së punës, me të cilët u takua sot, më 9 nëntor, në Universitetin Katolik të Argjentinës.
Në Aula Magna të Universitetit Papnor Katolik të Argjentinës, në Buenos Aires, Papa Leoni XIV takoi sot, 9 nëntor, punëtorë, sipërmarrës, sindikalistë, përfaqësues të lëvizjeve popullore dhe pedagogë. Pas fjalëve përshëndetëse dhe një çasti artistik, pesë dëshmi sjellin në këtë takim përvoja të ndryshme: ato të një sipërmarrësi, të një përfaqësueseje të sindikatave, të punëtores së një kooperative, të Soledad Cuellar, e angazhuar në një qendër rehabilitimi, si edhe të një pedagogeje. Zëra, që Papa i dëgjon përpara se të marrë fjalën.
“Ashtu si muzika na ndihmon ta lartojmë shpirtin drejt Zotit dhe të kapërcejmë rutinën e jetës së përditshme, po kështu puna na fton të bashkëpunojmë në veprën e mrekullueshme dhe të harmonishme të Hyjit. Në këtë drejtim, Shën Gjon Pali II kujtonte se ‘njeriu, i krijuar në shëmbëlltyrën e Zotit, nëpërmjet punës së tij merr pjesë në veprën e Krijuesit’”.
Njeriu në qendër të ekonomisë
Është dinjiteti njerëzor parimi i Doktrinës Shoqërore të Kishës, që vë në dukje Leoni XIV: ai, nga i cili duhet rifilluar për të vënë në binarë botën e punës, që po kalon transformime të thella, nga kriza ekologjike te përqendrimi i pushtetit ekonomik, deri te shfrytëzimi i njerëzve, që kanë më pak mundësi për të mbrojtur të drejtat e tyre. Papa kujton se vlera e njeriut nuk mund të matet vetëm në bazë të rendimentit të tij.
“Njeriu është autori, qendra dhe qëllimi i gjithë jetës ekonomiko-shoqërore dhe, për këtë arsye, ekonomia duhet të jetë në shërbim të njeriut dhe jo njeriu në shërbim të ekonomisë. Ky pohim mund të duket teorik, por, përkundrazi, është pikë qendrore e Doktrinës Shoqërore të Kishës”.
Deklaratë veçanërisht e rëndësishme për Argjentinën, ku, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Statistikave (INDEC), papunësia arriti në 7,9% në tremujorin e dytë të vitit 2026, ndërsa informaliteti në punë ishte 45%, sipas analizës së Universitetit të Buenos Airesit. Humbja e vendit të punës, vëren Papa, nuk do të thotë vetëm humbje e të ardhurave, por edhe lëndim i dinjitetit dhe i mundësisë për të marrë pjesë në jetën e bashkësisë.
Tokë, strehë dhe punë: zëri i lëvizjeve popullore
Në fjalën e Leonit XIV, një vëmendje e veçantë i kushtohet ekonomisë popullore, kooperativave dhe të gjithë atyre që, të përjashtuar nga tregu formal, organizohen nga poshtë për të krijuar mundësi të reja. Në Argjentinë, këto realitete përbëjnë një rrjet përvojash, ku përfshihen mbledhësit e kartonëve, artizanët, punëtorët e bujqësisë dhe nismat komunitare. Lëvizja e Punëtorëve të Përjashtuar, së bashku me organizata të tjera, kërkon pikërisht njohjen e punës dhe të drejtave përmes tri “T”-ve: tokë, strehë dhe punë.
“Ata nuk presin në mënyrë pasive ndihmën e shtetit, por organizohen nga poshtë për të krijuar zgjidhje komunitare. Me kërkesën e tyre për përfshirje shoqërore, ata mbështesin ato tri ‘T’: tierra, techo y trabajo [tokë, strehë dhe punë], të cilat vetë Papa Françesku i ka vënë shpesh në dukje si kërkesa të drejtësisë shoqërore”.
Solidariteti kundër individualizmit dhe polarizimit
Papa u beson një detyrë edhe sipërmarrësve, të thirrur për të krijuar vende pune pa e absolutizuar fitimin, si edhe sindikatave, që të vazhdojnë të mbrojnë sidomos ata, që nuk kanë zë, përfshirë punëtorët në kushte të pasigurta dhe ata të sektorit informal. Nuk mungon as përmendja e sfidave të reja të inteligjencës artificiale dhe automatizimit, të cilat nuk mund të zëvendësojnë gjykimin njerëzor dhe as të vënë në rrezik vendet e punës.
“Vëllazërimi nuk është utopi abstrakte, por kategori politike dhe teologjike, që na detyron ta konsiderojmë njëri-tjetrin të barabartë, duke shembur muret e indiferencës së globalizuar. Të mos i shmangemi takimit me Krishtin në punën e përditshme, sado e zakonshme dhe e parëndësishme të mund të na duket”.
Perspektiva e Papës Leoni XIV është ajo e një Argjentine të aftë për të rigjetur unitetin përmes dialogut dhe miqësisë shoqërore, duke kapërcyer kundërshtitë. Një udhëtim, në të cilin askush nuk është i padobishëm dhe çdo gjest pune mund të shndërrohet në shërbim për bashkësinë.
“Të punojmë me këmbëngulje, duke e vendosur Zotin në horizontin e veprimit tonë dhe njeriun në qendër të vendimeve tona”: kjo thirrja e fundit e Atit të Shenjtë, marrë nga enciklika e tij “Magnifica humanitas”, me të cilën Papa i beson botës së punës në Argjentinë, por edhe asaj në të gjithë botën, parimet, në zanafillë të Doktrinës Shoqërore të Kishës, siç janë mbrojtja e dinjitetit të njeriut, promovimi i së mirës së përbashkët, njohja e destinacionit universal të të mirave materiale, solidariteti i vërtetë dhe subsidiariteti i përgjegjshëm, për të ndërtuar së bashku qytetërimin e dashurisë./Radio Vatikani