Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa uron “një përfshirje bujare të bashkësisë ndërkombëtare” për të ndihmuar popullsinë e vendit afrikan, veçanërisht gratë dhe fëmijët, që po vuajnë për shkak të thatësirës dhe episodeve të dhunës. Duke kujtuar të burgosurit e Luftës së Dytë Botërore, Ati i Shenjt[ fton të mos harrohet e kaluara, “por të mësojmë nga historia, që të mos biem sërish në gabimet e së shkuarës”.
Papa po e ndjek “me shqetësim të madh” krizën humanitare që po përjetohet në disa zona të Somalisë. Këtë e theksoi Leoni XIV pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, këtë të diel, më 20 shtator, duke kujtuar se në vendin e Bririt të Afrikës, “episode dhune dhe dukuri ekstreme klimatike po i përkeqësojnë kushtet tashmë të pasigurta të jetesës së popullsisë, veçanërisht të grave dhe fëmijëve”.
“Uroj një përfshirje bujare të bashkësisë ndërkombëtare, që këtyre vëllezërve dhe motrave tona të mos u mungojë ndihma e nevojshme”.
Thatësira dhe dhuna në Somali
Somalia po përballet me një tjetër periudhë të zgjatur thatësire. Bëhet fjalë për një emergjencë humanitare që rrezikon jetën e miliona njerëzve, mes tyre rreth 2 milionë fëmijë, të cilëve u mungojnë uji dhe ushqimi i mjaftueshëm.
Në tërësi, raportojnë organizatat ndërkombëtare humanitare, rreth 6 milionë somalezë po përballen aktualisht me uri akute. Ky numër është dyfishuar krahasuar me fillimin e vitit 2025. Thatësira e rëndë ka goditur disa zona të veriut të vendit, ndërsa situatës i shtohen konfliktet dhe zhvendosjet e popullsisë, si dhe, në vazhdën e luftës në Iran, rritja e çmimeve të karburanteve dhe plehrave kimike.
Luftërat: të mësojmë nga historia për të mos përsëritur gabimet
Duke përshëndetur shtegtarët e shumtë të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, si edhe ata që ndiqnin përmes mjeteve të komunikimit, Leoni XIV i përcolli bekimin e tij popullsisë së Pescantinës, në provincën e Veronës, “e cila sot mblidhet rreth monumentit kushtuar ish të internuarve, për të kujtuar të gjithë ata që u deportuan dhe u mbajtën të burgosur gjatë Luftës së Dytë Botërore”.
“E bëj këtë për të theksuar se nuk duhet të harrojmë, por të mësojmë nga historia, që të mos biem sërish në gabimet e së shkuarës”.
Përshëndetje për polakët, sllovakët dhe romakët
Në veçanti, Papa përshëndeti ipeshkvin dhe besimtarët e Dioqezës së Torunjës, në Poloni, “që po vizitojnë në Itali vendet e mrekullive eukaristike”, si edhe familjet nga Dioqeza e Spišit, në Sllovaki, ku këtë të diel, në Bratislavë, zhvillohet Marshi Kombëtar për Jetën.
Më pas, Papa përshëndeti Etërit jezuitë që po nisin rrugëtimin e tyre të ri të studimeve në Romë, grupin e famullisë romake të Familjes së Shenjtë të Nazaretit, së bashku me shoqatën sportive Polisportiva Centocelle dhe oratorin “Shën Jozef Manyanet”./Radio Vatikani