Në përfundim të takimit me rastin e dhjetëvjetorit të Nxitjes apostolike Amoris laetitia, Papa Leoni XIV falënderoi pjesëmarrësit për lutjet dhe punën e përbashkët, duke i nxitur të përcjellin në dioqeza frytet e këtij takimi dhe të vazhdojnë ta shpallin Ungjillin së bashku me familjet.
Në një mesazh drejtuar pjesëmarrësve në takimin që shënoi dhjetëvjetorin e Nxitjes apostolike Amoris laetitia, Papa Leoni XIV theksoi rëndësinë e përfshirjes aktive të familjeve në jetën dhe misionin e Kishës, duke i ftuar ipeshkvijtë që t’i dëgjojnë dhe t’i shoqërojnë ato në dallimin e rrugëve për të ardhmen.
Ati i Shenjtë Prevost, i cili nuk mundi të ishte i pranishëm gjatë ditëve të takimit, për shkak të ndërhyrjes kirurgjikale, i falënderoi pjesëmarrësit për lutjet dhe punën e zhvilluar së bashku. Papa vlerësoi veçanërisht bashkëndarjen e përvojave dhe dëgjimin e vëmendshëm, duke i cilësuar si një dhuratë për mbarë Kishën.
Leoni XIV shprehu mirënjohjen e tij edhe për familjet që dëshmuan gëzimet, vështirësitë dhe shpresat e tyre, si dhe për krerët e Kishave Katolike Lindore dhe kryetarët e konferencave ipeshkvnore, për përgatitjen dhe kohën që i kushtuan këtij takimi.
Duke iu referuar punës së zhvilluar, Papa Leoni XIV bëri të ditur se do t’i lexojë frytet e diskutimeve dhe se, në kohën e duhur, do të ndajë me pjesëmarrësit reflektimet e tij. Ndërkohë, i nxiti ata që përvojat e përjetuara dhe pasuritë e fituara gjatë takimit t’i përcjellin në konferencat ipeshkvnore dhe në dioqezat e tyre.
Të shpallet Ungjilli së bashku me familjet
Në mesazhin e tij, Papa nënvizoi se shpallja e Ungjillit duhet të vazhdojë duke u mbështetur në pasurinë e Amoris laetitia, dokumentit të botuar nga Papa Françesku më 2016, kushtuar dashurisë në familje.
Në këtë perspektivë, Leoni XIV shprehu dëshirën që familjet të mos jenë thjesht përfituese të kujdesit baritor, por pjesëmarrëse aktive në jetën dhe misionin e Kishave vendore, duke ndihmuar edhe në dallimin e hapave që duhen ndërmarrë në të ardhmen.
Në përfundim, Leoni XIV u kërkoi pjesëmarrësve t’u përcillnin bashkësive të tyre afërsinë dhe inkurajimin e tij shpirtëror. Duke ia besuar secilin prej tyre mbrojtjes së Familjes së Shenjtë të Nazaretit, Papa i ftoi të luten për të, ashtu siç ai lutet për ta, dhe u dha të gjithëve Bekimin e tij Apostolik.
Mesazhi mban datën 13 tetor 2026, në Vatikan./Radio Vatikani