Nga Armirë Shaqiri
Në një intervistë për “Bota sot”, deputeti shqiptar, Shaip Kamberi ka vlerësuar se bashkimi politik i shqiptarëve në Serbi dhe dorëzimi i listës së përbashkët zgjedhore synojnë forcimin e përfaqësimit të tyre institucional, rritjen e peshës së votës shqiptare dhe realizimin e të drejtave të garantuara me ligje e marrëveshje.
Kamberi ka theksuar se bashkimi i subjekteve politike shqiptare në Luginën e Preshevës është domosdoshmëri përballë sfidave politike. Ai ka nënvizuar se dallimet partiake duhet të tejkalohen kur bëhet fjalë për interesat kombëtare dhe institucionale të shqiptarëve.
Deputeti shqiptar, potencoi se kërkesat kryesore të shqiptarëve në Luginën e Preshevës përfshijnë barazinë para ligjit, përfaqësimin proporcional në institucione, ndalimin e pasivizimit të adresave, mbrojtjen e të drejtave gjuhësore e arsimore dhe zhvillimin ekonomik të rajonit. Ai ka shtuar se përfaqësimi shqiptar do të mbetet i pavarur dhe kritik ndaj pushtetit në Serbi.
I pyetur nga gazeta për pjesëmarrjen e Milan Radoiçiqit në tubimin e Vuçiçit, Kamberi tha se shfaqja e tij në tubimin e SNS-së, ngre pikëpyetje serioze për sundimin e ligjit në Serbi.
Ai ka kërkuar që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të përballen me drejtësinë, duke paralajmëruar se politikat e Beogradit rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.
Intervista e plotë:
Bota sot: Lista shqiptare “Koalicioni Shqiptar” është dorëzuar në Komisionin Zgjedhor Republikan të Serbisë. Cilat janë synimet dhe pritjet tuaja për këto zgjedhje?
Shaip Kamberi: Dorëzimi i listës është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të përfaqësimit politik të shqiptarëve në institucionet e Serbisë. Synimi ynë është që vota shqiptare të ketë peshë më të madhe politike dhe që kërkesat tona të mos mbeten jashtë institucioneve ku merren vendimet.
Pas përvojës së tri mandateve të mia parlamentare, mund të them se përfaqësimi nuk matet vetëm me numrin e deputetëve, por edhe me qëndrueshmërinë e tyre politike, aftësinë për të artikuluar problemet dhe gatishmërinë për të mos heshtur përballë padrejtësive.
Pritja jonë është që shqiptarët ta mbështesin këtë bashkim dhe të sigurojmë sa më shumë mandate. Ne nuk po hyjmë në këto zgjedhje për të qenë dekor institucional apo për të hyrë në pushtet me çdo kusht. Po hyjmë për të mbrojtur interesat e shqiptarëve dhe për të kërkuar zbatimin e të drejtave që na garantohen me Kushtetutë, ligje dhe konventa ndërkombëtare, që të realizohen katër marrveshjet që kemi me Beogradin zyrtar.
Bashkimi ynë nuk është bashkim për hir të zgjedhjeve, por përpjekje për ta kthyer votën shqiptare në një faktor më të fuqishëm institucional.
Bota sot: Sa ndikoi kryeministri Albin Kurti në bashkimin e subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja?
Shaip Kamberi: Bashkimi është rezultat i një nevoje të brendshme politike dhe i vetëdijes se, përballë sfidave me të cilat përballemi, përçarja e dobëson përfaqësimin tonë.
Mbështetja dhe inkurajimi nga Prishtina, natyrisht që kanë rëndësi, sepse Kosova ka një interes legjitim që shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës të jetojnë me dinjitet dhe të gëzojnë të drejta të barabarta. Por marrëveshja ndërmjet subjekteve politike shqiptare është përgjegjësi e jona dhe duhet të vlerësohet mbi bazën e interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Ne kemi dallime politike dhe identitetet tona politike. Nuk pretendojmë se ato janë zhdukur. Ajo që kemi kuptuar është se dallimet nuk duhet të na pengojnë të bashkëpunojmë për çështjet themelore.
Nuk kemi nevojë për një bashkim që i eliminon dallimet, por për një bashkim që i tejkalon ato kur është në pyetje interesi kombëtar dhe institucional i shqiptarëve.
Bota sot: Cilat janë sfidat kryesore të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në prag të zgjedhjeve dhe a mund të garojnë partitë shqiptare në kushte të barabarta me partitë serbe?
Shaip Kamberi: Sfidat tona janë shumë më të thella sesa vetë fushata zgjedhore. Shqiptarët përballen me probleme të vazhdueshme në punësim dhe përfaqësim proporcional në institucionet shtetërore, në njohjen dhe përdorimin e gjuhës e simboleve kombëtare, në arsim, në zhvillimin ekonomik dhe në realizimin e të drejtave të garantuara.
Një problem veçanërisht serioz është pasivizimi i adresave, i cili po ndikon në ushtrimin e të drejtave elementare qytetare dhe në pjesëmarrjen politike të shqiptarëve. Po ashtu, mospërputhjet e mëdha në regjistrimin e popullsisë në Luginën e Preshevës kërkojnë transparencë dhe trajtim institucional serioz.
Sa u përket zgjedhjeve, barazia formale në ligj nuk nënkupton domosdoshmërisht barazi në praktikë. Partitë shqiptare garojnë në një mjedis ku pushteti shtetëror, burimet publike dhe ndikimi institucional nuk janë të shpërndara në mënyrë të barabartë. Për më tepër, problemet me dokumentet dhe adresat mund të ndikojnë drejtpërdrejt në mundësinë e qytetarëve për të votuar. Mosnjohja e diplomave pondikon në të ardhmen e të rinjve tanë.
Nuk mund të flasim për demokraci të konsoliduar nëse qytetarët e një komuniteti duhet të luftojnë më shumë për ta ushtruar një të drejtë që të tjerët e konsiderojnë të mirëqenë.
Bota sot: Cilat janë kërkesat kryesore që do t’i mbroni në institucionet e Serbisë nëse siguroni përfaqësim politik?
Shaip Kamberi: Kërkesat tona janë të njohura dhe nuk janë të reja. Problemi nuk qëndron te mungesa e kërkesave, por te mungesa e vullnetit politik për t'i realizuar ato.
Së pari, do të kërkojmë barazi të plotë para ligjit dhe zbatimin efektiv të të drejtave të shqiptarëve si pakicë kombëtare, në përputhje me legjislacionin e brendshëm dhe standardet ndërkombëtare.
Së dyti, do të insistojmë në përfaqësimin proporcional dhe të drejtë të shqiptarëve në administratën shtetërore, polici, gjyqësor dhe institucionet e tjera publike, ndalimin e praktikave diskriminuese të pasivizimit të adresave dhe shqyrtimin e rasteve të prekura, përdorimin zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip, si dhe respektimin e simboleve kombëtare, zgjidhjen e problemeve në arsim, përfshirë njohjen e diplomave dhe sigurimin e teksteve shkollore, investime dhe zhvillim ekonomik për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, në mënyrë që qytetarët të mos detyrohen të largohen për shkak të mungesës së perspektivës, trajtimin transparent të mospërputhjeve në regjistrimin e popullsisë dhe garantimin e të drejtave qytetare e zgjedhore.
Këto kërkesa nuk janë favor që i kërkojmë nga ndonjë qeveri. Janë detyrime që burojnë nga ligji dhe standardet që Serbia ka pranuar, nga marrëveshjet që ajo ka nënshkruar me ne.
Përvoja ime parlamentare më ka mësuar se kërkesat duhet të parashtrohen, të dokumentohen dhe të mbrohen vazhdimisht, edhe kur pushteti refuzon t'i trajtojë. Përfaqësimi ynë do të vazhdojë të jetë i pavarur dhe kritik, sepse nuk mund të mbrosh të drejtat e qytetarëve duke u bërë pjesë e mekanizmave që i injorojnë ato.
Bota sot: Si është komunikimi juaj me Albin Kurtin dhe çfarë mbështetjeje prisni nga Qeveria e Kosovës për shqiptarët e Luginës?
Shaip Kamberi: Komunikimi me institucionet e Kosovës ka rëndësi të veçantë, sepse çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës nuk duhet të shihet vetëm si çështje lokale, por edhe si çështje e të drejtave të njeriut dhe e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Vlerësoj lart çdo mbështetje që kontribuon në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve, por mendoj se ajo duhet të jetë e qëndrueshme, institucionale dhe e orientuar drejt rezultateve konkrete.
Nga Qeveria e Kosovës presim që çështjet e shqiptarëve të Luginës të jenë pjesë e vazhdueshme e komunikimit me partnerët ndërkombëtarë, Bashkimin Evropian dhe institucionet e tjera relevante. Presim mbështetje për arsimin, zhvillimin ekonomik, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe adresimin e diskriminimit.
Përvoja me Fondin për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën është një shembull se si solidariteti mund të shndërrohet në mbështetje konkrete. Kjo mbështetje duhet të vazhdojë dhe, aty ku është e mundur, të zgjerohet.
Në të njëjtën kohë, dua të theksoj se përgjegjësia kryesore për garantimin e të drejtave të shqiptarëve brenda territorit të Serbisë i takon shtetit të Serbisë. Mbështetja nga Kosova është e rëndësishme, por ajo nuk mund të zëvendësojë detyrimet e Beogradit.
Ne nuk kërkojmë që dikush të flasë në vendin tonë. Kërkojmë që zëri ynë të dëgjohet dhe të mbështetet në mënyrë që kërkesat tona legjitime të marrin trajtimin e duhur institucional dhe ndërkombëtar.
Bota sot: Si e vlerësoni ndalimin e hyrjes së Arbërie Nagavcit në Serbi dhe çfarë mesazhi përcjell ky veprim?
Shaip Kamberi: E konsideroj këtë veprim të papranueshëm dhe politikisht kundërproduktiv. Sipas raportimeve, znj. Arbërie Nagavci, së bashku me deputete të tjera të Kosovës, synonte të shkonte në Preshevë për të shprehur ngushëllime te kryetarja e Preshevës, por autoritetet serbe ua ndaluan hyrjen.
Kur një përfaqësuese politike e Kosovës pengohet të shprehë ngushëllime dhe solidaritet njerëzor, kemi të bëjmë me një veprim që shkon përtej një mosmarrëveshjeje politike. Ai dërgon mesazhin se edhe gjestet njerëzore mund të bëhen objekt i tensioneve ndërshtetërore.
Në vend që të ndërtojë ura komunikimi dhe besimi, një qasje e tillë i thellon mosmarrëveshjet dhe i dëmton marrëdhëniet ndërmjet qytetarëve.
Nëse Serbia synon të tregojë se është e përkushtuar ndaj standardeve evropiane, ajo duhet të dëshmojë se vendimet e autoriteteve kufitare nuk përdoren në mënyrë arbitrare për të dërguar mesazhe politike. Çdo kufizim duhet të ketë bazë të qartë ligjore, të jetë proporcional dhe të mund të arsyetohet në mënyrë transparente.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk përfitojnë nga izolimi dhe tensionet. Përfitojnë nga komunikimi, bashkëpunimi dhe respektimi i ndërsjellë.
Bota sot: Milan Radoiçiqi u pa në një tubim të SNS-së pranë djalit të presidentit serb. Çfarë mesazhi përcjell kjo, duke pasur parasysh dyshimet për përfshirjen e tij në sulmin në Banjskë?
Shaip Kamberi: Pamjet nga tubimi parazgjedhor i SNS-së në Kragujevc, më 9 tetor, ku Milan Radoiçiqi u filmua pranë Danilo Vuçiqit, djalit të Aleksandar Vuçiqit, ngrenë pyetje serioze politike dhe institucionale. Radoiçiqi ka marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit të përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023, ndërsa në lidhje me atë ngjarje është kërkuar nga autoritetet dhe figuron në kërkim ndërkombëtar.
Për mua, çështja nuk është vetëm se ku është parë një person, por çfarë sinjali i dërgohet publikut kur një person i lidhur me një ngjarje kaq të rëndë shfaqet në afërsi të njerëzve të lidhur me majën e pushtetit.
Politikisht, pamjet ngrenë një pyetje legjitime: si është e mundur që një person i lidhur me një sulm terrorist me pasoja tragjike shfaqet publikisht në një tubim të partisë në pushtet, ndërsa përgjegjësia për atë ngjarje ende kërkon trajtim të plotë institucional? Si është e mundur që Serbia injoron kërkesat e Bashkësisë ndërkombëtare pë të procesuar fajtorët e këtij sulmi terrorist?
Nëse Serbia dëshiron të dëshmojë sundimin e ligjit dhe përkushtimin ndaj stabilitetit rajonal, ajo duhet të tregojë se askush nuk është mbi ligjin dhe se hetimet e përgjegjësitë trajtohen pa dallim politik. Por, siç kemi parë, aspiratathegjemoniste të Serbisë së Vuçiqit janë kërcënimi më serioz që po i bëhet paqes dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimorë./Bota Sot