Papa Leoni kërkon 24 orë paqe në të gjithë botën për Krishtlindje
Papa Leoni kërkon 24 orë paqe në të gjithë botën për Krishtlindje 24.12.2025 | 03:32
Në Castel Gandolfo, Papa u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve jashtë rezidencës papnore. Për Ukrainën shpreh trishtimin për refuzimin e Rusisë për një armëpushim të Krishtlindjes dhe bën thirrje për të respektuar 24 orë paqe. Më pas kujton vizitën e kardinalit Pizzaballa në Gaza dhe shpreson që marrëveshja për armëpushimin “të vazhdojë”. Leoni XIV shprehet gjithashtu “shumë i zhgënjyer” nga miratimi i një ligji për vetëvrasjen e asistuar në Illinois: “Të reflektohet mbi vlerën e jetës njerëzore".
 
“E bëj edhe një herë këtë kërkesë ndaj të gjithë njerëzve vullnet të mirë që të respektojnë të paktën në festën e lindjes së Shpëtimtarit një ditë paqe”. Kjo është thirrja e Leonit XIV në prag të festës së Krishtlindjes, e bërë këtë mbrëmje, më 23 dhjetor, një ditë para natës së Krishtlindjes, nga Castel Gandolfo.
 
Si çdo javë, Ati i Shenjtë e kaloi në Castel Gandolfo ditën e tij të pushimit dhe të punës. Brohoritjet e njerëzve, të mbledhur në rrugë pavarësisht shiut të dendur, kënga Feliz Navidad dhe këngë të tjera të Krishtlindjes, muzika e bandës bashkiake të Castel Gandolfos e shoqëruan daljen e Leonit XIV nga rezidenca papnore së bashku me famullitarin, don Tadeusz Rozmus, të famullisë Papnore të Shën Tomës nga Villanova, i cili i përcolli Papës urimet në emër të të gjithëve dhe i dha dhuratën e disa produkteve tipike.
 
Një ditë paqe në mbarë botën
 
Siç është bërë tashmë zakon, Leoni XIV u ndal më pas me grupin e gazetarëve të mediave të ndryshme për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre. Lindja e Mesme dhe Ukraina ishin ndër temat e trajtuara. Për Ukrainën, ku në orët e fundit sulme masive ruse kanë goditur disa rajone, Papa Leoni tha: “Vërtet, ndër gjërat që më shkaktojnë shumë trishtim këto ditë është fakti që, me sa duket, Rusia ka refuzuar kërkesën për një armëpushim të Krishtlindjes”. Ipeshkvi i Romës ripohoi kështu thirrjen e tij për respektimin në Krishtlindje të një momenti armëpushimi: “Ndoshta do të na dëgjojnë dhe të ketë 24 orë, një ditë paqe në mbarë botën”.
 
Të vazhdojë marrëveshja e paqes në Lindjen e Mesme
 
Duke e mbajtur vështrimin edhe te një tjetër front lufte, ai i Lindjes së Mesme, ku po diskutohet Faza 2 e armëpushimit, Papa kujtoi “vizitën shumë të bukur” të këtyre ditëve në Gaza të kardinalit Pierbattista Pizzaballa, patriarkut latin i Jerusalemit. “Një orë më parë kam qenë në kontakt me famullitarin”, domethënë me atë Gabriel Romanelli, bariun e Kishës së Familjes së Shenjtë në Gaza City. “Po përpiqen të kremtojnë një festë në mes të një situate ende shumë të pasigurt. Shpresojmë – shtoi Leoni – që marrëveshja për paqen të ecë përpara”.
 
Zhgënjim për ligjin mbi vetëvrasjen e asistuar në Illinois
 
Duke e zhvendosur vëmendjen te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Papa komentoi miratimin e fundit në shtetin e tij të origjinës, Illinois, të një ligji që lejon vetëvrasjen e asistuar për të rriturit me sëmundje terminale me një prognozë gjashtë muaj ose më pak, duke filluar nga shtatori 2026. Leoni XIV shpjegoi se e kishte trajtuar tashmë këtë temë “shumë hapur” me guvernatorin JB Pritzker gjatë audiencës në Vatikan në nëntorin e kaluar: “Në atë kohë projektligji ishte tashmë mbi tryezën e tij”. “Ishim shumë të qartë për nevojën e respektimit të shenjtërisë së jetës, nga fillimi deri në fund. Dhe, për fat të keq, për arsye të ndryshme, ai vendosi ta nënshkruajë atë projektligj. Jam shumë i zhgënjyer nga kjo”, theksoi Ati i Shenjtë Prevost.
 
Më pas ftoi “të gjithë, sidomos në këtë festë të Krishtlindjes, të reflektojnë mbi natyrën e jetës njerëzore, mbi vlerën e jetës njerëzore. Zoti u bë njeri si ne për të na treguar se çfarë do të thotë vërtet të jetosh jetën njerëzore”. Shpresa dhe lutja e Papës është që “respekti për jetën të rikthehet e të rritet në të gjitha momentet e ekzistencës njerëzore, nga ngjizja deri në vdekjen natyrore”./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.