Duke u takuar me anëtarët e qendrës së pritjes Las Raíces, Leoni XIV dëgjoi dëshmitë e zemrave të plagosura, të ngushëlluara nga ata që i përkushtohen për ta bërë jetën "udhëtim më njerëzor për të gjithë". E i nxiti t'ua kalojnë brezave të rinj trashëgiminë e takimit dhe pasurimit të ndërsjellë ndërmjet popujve.
Të nisesh nuk do të thotë të humbasësh, por të marrësh me vete një botë njerëzimi, ëndrrash dhe kulture, e t'ia ofrosh një toke që, duke e mirëpritur, shndërrohet. Sepse migrimi nuk është rrjedhë: i pasuron ata që mbërrijnë, e ata që mbeten. "Ne të gjithë jemi migrantë", shtegtarë "në udhëtimin drejt atdheut qiellor", e kuptimi i udhëtimit qëndron në udhëtimin "më njerëzor për të gjithë, duke ofruar atë që është në dispozicion të të gjithëve".
Me këtë vështrim, që shikon drejt së ardhmes, gjithë vëmendje ndaj brezave të ardhshëm, Papa Leoni XIV u takua sot paradite, më 12 qershor, me anëtarët e qendrës së pritjes Las Raíces në San Cristóbal de La Laguna, një komunë në Tenerife, ndalesa e fundit e udhëtimit të tij apostolik në Spanjë.
"Dashuria e Zotit nuk njeh kufij"
Las Raíces është kampi më i madh në Ishujt Kanarie dhe, në kulmin e krizës së migracionit, në fund të vitit 2024, priti gati 4.000 vetë. Fjalët e Leonit në lidhje me 600 personat e pranishëm në këtë qendër migrantësh, ishin në përkim me solemnitetin e sotëm të Zemrës së Shenjtë të Jezusit, duke u mbështetur në dëshmitë e "zemrave të plagosura nga kaq shumë vështirësi, por edhe të ngushëlluara nga dashuria e dhuruar falë zemrave të tjera të hapura, bujare dhe të mëshirshme", të cilat i dëgjoi para se të mbante fjalimin.
Është providenciale të jemi në gjendje të takohemi, të shohim njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha të dimë se, pavarësisht nga vendi ynë i origjinës, dashuria e Zotit nuk njeh kufij, nuk bën dallime, u dhurohet të gjithëve dhe na bashkon në unitet.
Nuk është rastësi, vërejti Papa Leoni XIV, që për të shpjeguar universalitetin e dashurisë, Jezusi mori si shembull gjestin e një njeriu "të një populli dhe një feje tjetër", Samaritanin e Mirë, i cili pati dhembshuri për një njeri të plagosur e të keqtrajtuar.
Emigrantë nga Kanariet për të ungjillëzuar
Ishujt Kanarie njihen dramatikisht si pikë zbarkimi të njërës prej rrugëve më vdekjeprurëse të migrimit në botë. Megjithatë, gjatë gjithë historisë, bie në sy shembulli i Vëllait Pjetër dhe i Shën Jozefit de Anchieta, të dy vendas të arkipelagut, të cilët u nisën që këtej në shekujt e kaluar për të shpallur Ungjillin në Amerikë.
Edhe ata ishin emigrantë që u nisën drejt së panjohurës, duke pasur si pasuri të tyre kryesore fenë, shpresën dhe dashurinë.
Në atë tokë të panjohur për ta, shpjegoi Papa, u zhvillua një shkëmbim i ndërsjellë, duke dhënë atë që kishin - e duke mirëpritur atë, që ishte e re.
Prandaj, ju ftoj edhe juve të ofroni thesarin e njerëzimit, të ëndrrave dhe të kulturës që sollët në këto ishuj, të gatshëm për të qenë të hapur e për të marrë atë, që ju është dhënë.
"Ne të gjithë jemi migrantë"
Ati i Shenjtë Leoni XIV nxiti ta jetojmë këtë shkëmbim me përgjegjësi, duke parë të rinjtë, dhe ta transmetojmë "trashëgiminë e një qytetërimi dashurie", në të cilin migrimi, siç thuhet në enciklikën e fundit Magnifica Humanitas, "mund të bëhet mundësi për takim dhe pasurim të ndërsjelltë ndërmjet popujve".
Të dashur vëllezër dhe motra, ne të gjithë jemi - në një farë mënyre - migrantë, ne të gjithë jemi shtegtarë që udhëtojnë drejt atdheut tonë qiellor. Le të ndihmojmë që ky udhëtim të jetë një përvojë më njerëzore për të gjithë, duke ofruar atë që është brenda mundësive të të gjithëve.
"Asnjë stuhi të mos na ndajë" nga Zoti
Papa falënderoi qeverinë dhe institucionet spanjolle për konkretizimin e ndihmës humanitare dhe, së fundi, u përqendrua në emrin e qendrës, që të kujton rrënjët tona. Një pamje, të cilën Papa Françesku e përdori që të tregojë "nevojën për të mos harruar origjinën tonë, për të mbetur të bashkuar dhe për t'i besuar Zotit". Siç thuhet në thirrjen apostolike Christus Vivit, ata që besojnë në Zotin "janë si pemë e mbjellë pranë ujit, që i lëshon rrënjët e saj drejt përroit; nuk ka frikë kur vjen vapa dhe gjethet e saj mbeten të gjelbra".
Ky imazh i rrënjëve ju ndihmoftë të qëndroni të rrënjosur fort në Zot, në mënyrë që asnjë stuhi të mos ju ndajë nga prania e tij, e cila forcon dhe jep jetë. Të dashur miq, ju mbaj në zemrën time dhe ju kujtoj në lutjet e mia.
Udhëtimet e vdekjes mbi cayucos dhe pateras
Takimi i Papës me migrantët në Tenerife u paraqit nga Ipeshkvi i San Cristóbal de La Laguna, Imzot Santiago Eloy Alberto Santiago, i cili kujtoi se si, vitet e fundit, "dhjetëra mijëra njerëz nga kontinenti afrikan mbërritën në ishujt tanë – në kufirin jugor të Evropës". Mijëra nuk kanë arritur në destinacionin e tyre, duke iu nënshtruar një udhëtimi "krejtësisht çnjerëzor dhe të pasigurt" mbi anije të improvizuara, të njohura si cayucos dhe pateras.
Angazhimi i Spanjës, për të luftuar mafien dhe gjuhën e urrejtjes
Fjalët e ipeshkvit u pasuan nga ato të Ministres spanjolle të Përfshirjes sociale dhe Migracionit, Elma Saiz Delgado e cila, nga bindja se "të gjithë ishim të rinj dikur në jetën tonë", kujtoi punën që bëri Spanja gjatë historisë, punë që sot shndërrohet në një politikë migrimi të bazuar në humanizëm, rregull dhe bashkëjetesë, duke luftuar mafien e implikuar në trafikimin e qenieve njerëzore dhe gjuhën e urrejtjes. Nga e gjithë kjo, Spanja "ka mësuar se një shoqëri kohezive nuk lind nga ngritja e mureve ndërmjet fqinjëve, por nga ndërtimi i urave ndërmjet njerëzve".
"Një mundësi e parë"
Pastaj foli drejtori i qendrës së migrantëve, Francisco Navarro. Si përfaqësues i shoqatës ACCEM, OJQ e cila që nga hapja e saj në vitin 2021, ka mirëpritur më shumë se 45,000 njerëz dhe ka punësuar gati gjashtëqind. Las Raíces, përfaqëson një hapësirë ku "shtigjet komplekse të jetës" bashkohen, duke ofruar një "mundësi të parë" për ata që mbërrijnë.
"Dinjiteti"
Janë pikërisht këta njerëz që sjellin dëshmitë e tyre të fundit para Papës. I pari kujtoi vështirësinë e udhëtimit migrator dhe thjeshtësinë e dobishme të ëndrrave që e shoqërojnë: të punosh, të kujdesesh për një familje, të jetosh me dinjitet. Kjo është një perspektivë që Papa përqafon me këtë takim, duke i kujtuar botës "se të gjithë jemi njerëz, se të gjithë kemi nevojë për dashuri, paqe dhe mundësi". Një emigrant i dytë kujtoi se askush nuk e braktis atdheun e tij, rrënjët e tij, duke i bërë jehonë emrit të qendrës, "me vullnetin e tij të lirë, kur mund të jetojë në paqe". Në të vërtetë, kujtimet, të dashurit dhe "një pjesë e zemrave tona" lihen pas. Megjithatë, përpara, udhëtimi është i mbushur me frikë, dhimbje, pasiguri dhe pastaj uri, të ftohtë, dëshpërim. Shumë shpesh, edhe vdekje. E ata që mbërrijnë vuajnë në heshtje, "viktima të mafias që shfrytëzojnë nevojën dhe vuajtjet njerëzore". Thirrja e emigrantëve përmblidhet në dinjitet: "kufijtë nuk duhet të transformohen në mure indiference", emigrantët nuk duhet të jenë numra ose dokumente, por histori, të treguara e për t’u treguar./Radio Vatikani