Pas aksidentit të rëndë hekurudhor në Spanjë, ku humbën jetën të paktën 69 persona, janë shtuar kërkesat për ndërhyrje në sistemin e transportit hekurudhor, me theks të veçantë te parandalimi i fatkeqësive të ngjashme, transmeton Gazeta Metro.
Personat që kanë përjetuar aksidente të rënda me trena po kërkojnë nga institucionet spanjolle që siguria e udhëtarëve të trajtohet si prioritet, duke kërkuar më shumë vëmendje ndaj gjendjes së infrastrukturës dhe funksionimit të linjave hekurudhore.
Sipas tyre, pa ndërhyrje të mirëfillta dhe masa parandaluese, rreziku i përsëritjes së ngjarjeve me pasoja fatale mbetet shqetësues.
Në të njëjtën linjë, specialistët e infrastrukturës vlerësojnë se zgjerimi i transportit hekurudhor dhe shtimi i pasagjerëve kërkojnë njëkohësisht përmirësimin e kushteve teknike. Ata theksuan rëndësinë e mirëmbajtjes së vazhdueshme të binarëve, si dhe përditësimit të pajisjeve që monitorojnë dhe kontrollojnë lëvizjen e trenave./gazetametro.net