Shtetet e Bashkuara kanë kryer një valë të re sulmesh ajrore ndaj objektivave ushtarake në Iran, ndërsa Teherani është kundërpërgjigjur me sulme raketore ndaj Bahreinit dhe Kuvajtit, duke e përshkallëzuar ndjeshëm konfliktin mes dy vendeve.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se sulmet u ndërmorën pas vdekjes së një ushtaraku amerikan në Irak.
“I goditëm përsëri shumë fort sonte. Dhe e bëmë këtë në nder të ushtarëve të vrarë”, tha Trump.
Sipas Komandës Qendrore të Ushtrisë Amerikane (CENTCOM), sulmet kishin në shënjestër qendra komanduese ushtarake, sisteme të mbrojtjes ajrore, kapacitete detare, pozicione për lëshimin e raketave dhe dronëve, si dhe rrjete komunikimi iraniane.
Nga ana tjetër, Irani goditi objektiva në Bahrein, ku ndodhet Flota e Pestë e Marinës amerikane, si dhe në Kuvajt. Autoritetet në të dy vendet aktivizuan sistemet e mbrojtjes ajrore për të zmbrapsur raketat.
Ndërkohë, situata në Ngushticën e Hormuzit mbetet kritike. Një anije u përfshi nga flakët pranë brigjeve të Omanit, ndërsa Garda Revolucionare Iraniane deklaroi se kishte vënë në shënjestër cisternat e naftës në këtë korridor strategjik detar.
Përshkallëzimi i konfliktit ka ndikuar edhe në tregjet globale, me çmimin e naftës Brent që u ngjit mbi 90 dollarë për fuçi, duke rritur shqetësimet për një krizë të re energjetike.