Misioni i Përhershëm i Vatikanit pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, në një deklaratë, në Asamblenë e Përgjithshme, rikonfirmoi mbështetjen e tij financiare për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), e cila prej mëse 70 vjetësh ofron arsim, kujdes shëndetësor dhe shërbime sociale, duke u garantuar refugjatëve "mundësinë për të jetuar me dinjitet". Selia e Shenjtë shprehu "shqetësimin e saj të thellë" për vrasjen e personelit të kësaj agjencie
Misioni i Përhershëm Vëzhgues i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, në një deklaratë të mbajtur dje, më 30 qershor, në Asamblenë e Përgjithshme, pohoi se pengimi i shpërndarjes së ndihmave humanitare për refugjatët palestinezë në Lindjen e Afërt përbën një "shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare" dhe rëndon edhe më shumë vuajtjet e njerëzve që jetojnë tashmë në kushte tepër të vështira.
Deklarata u lexua më 30 qershor gjatë një mbledhjeje të Komitetit përkatës të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku Selia e Shenjtë riafirmoi mbështetjen e saj për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punësimin e Refugjatëve Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA).
Në deklaratë theksohet se, prej më shumë se 70 vjetësh, UNRWA përbën një mbështetje jetike për miliona refugjatë palestinezë, duke u ofruar arsim, kujdes shëndetësor, ndihmë ushqimore dhe shërbime sociale, si edhe mbrojtje dhe mundësinë për të jetuar me dinjitet. Agjencia u themelua në vitin 1949 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, pas luftës arabo-izraelite të vitit 1948, për t'u ardhur në ndihmë palestinezëve që mbetën pa atdhe.
Përfaqësia e Selisë së Shenjtë shprehu gjithashtu shqetësim të thellë për vrasjen e punonjësve të UNRWA-së, si edhe për sulmet ndaj objekteve të saj në territoret e Shtetit të Palestinës, përfshirë shkollat dhe ndërtesat ku civilët kanë kërkuar strehim.
Duke vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të Agjencisë, Selia e Shenjtë konfirmoi angazhimin e saj financiar në mbështetje të UNRWA-së, si shenjë konkrete solidariteti me refugjatët palestinezë dhe besimi në misionin e saj humanitar.
Në përfundim, Selia e Shenjtë shprehu dëshirën që veprimtaria e UNRWA-së të vazhdojë gjithmonë në respekt të plotë të parimeve të humanitetit, neutralitetit, paanshmërisë dhe pavarësisë, me qëllim ruajtjen e besueshmërisë së Agjencisë dhe përmbushjen e misionit të saj në shërbim të solidaritetit dhe paqes./Radio Vatikani