Vëzhguesi i ri i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, imzot Christophe-Zakhia El-Kassis, ndërhyri më 17 shtator në Nju Jork, në Konferencën botërore për promovimin e dialogut ndërfetar dhe ndërkulturor dhe të tolerancës në luftën kundër nxitjes së urrejtjes. Ai theksoi se fjalët që drejtohen kundër individëve ose komuniteteve për shkak të fesë, përkatësisë etnike, kombësisë apo karakteristikave të tjera, helmojnë debatin publik, ushqejnë ndarjet dhe dëmtojnë lirinë.
“Duke çaktivizuar gjuhën e urrejtjes, hidhen hapat e parë për të thurur pëlhurën e paqes shoqërore dhe për të nxitur një kulturë dialogu, tolerance dhe respekti ndaj dallimeve”, deklaroi Vëzhguesi i ri i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, imzot Christophe-Zakhia El-Kassis gjatë konferencës së zhvilluar në Nju Jork për promovimin e dialogut ndërfetar dhe ndërkulturor dhe të tolerancës në luftën kundër nxitjes së urrejtjes.
Kryeipeshkvi El-Kassis, me origjinë libaneze, i cili më 16 shtator i kishte paraqitur Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, letrat e emërimit, iu referua edhe mësimit të Papës Leoni XIV në enciklikën Magnifica humanitas: “Kontributi i parë që mund t’i japim një qytetërimi më njerëzor është t’u kushtojmë vëmendje fjalëve tona. Fjalët kanë një fuqi të jashtëzakonshme, gjë që e përjetojmë në marrëdhëniet tona të përditshme”.
Nxitja e urrejtjes krijon terrenin për dhunë dhe përndjekje
Konferenca për promovimin e dialogut ndërfetar dhe ndërkulturor, e organizuar nga Mbretëria e Marokut, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Parandalimin e Gjenocidit dhe Përgjegjësinë për Mbrojtjen (OSAPG) dhe Aleanca e Qytetërimeve e OKB-së, i dha mundësi përfaqësuesit të Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara të ripohonte se çdo qenie njerëzore është krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit dhe gëzon një dinjitet të pacenueshëm, të cilin asnjë ideologji, urrejtje apo shprehje përçmuese nuk mund ta zvogëlojë.
Nga kjo e vërtetë themelore, theksoi imzot El-Kassis, buron detyrimi moral për të kundërshtuar çdo formë intolerance, diskriminimi dhe nxitjeje të urrejtjes, që plagos familjen njerëzore dhe cenon kushtet për një bashkëjetesë paqësore. “Nxitja e urrejtjes – qoftë ajo e drejtuar kundër individëve apo komuniteteve për shkak të fesë, përkatësisë etnike, kombësisë apo çdo karakteristike tjetër – bie në kundërshtim me urdhrin për të dashur të afërmin, helmon debatin publik, ushqen ndarjet dhe, shumë shpesh, përgatit terrenin për dhunë dhe përndjekje”, theksoi përfaqësuesi i Vatikanit pranë Kombeve të Bashkuara.
Fjalët e urrejtjes dëmtojnë kushtet për lirinë e vërtetë
Imzot El-Kassis nënvizoi gjithashtu se toleranca e vërtetë nuk nënkupton indiferencë apo relativizëm, por njohjen aktive të dinjitetit të barabartë të çdo personi dhe të lirisë së ndërgjegjes që i takon secilit. Kjo, sipas tij, kërkon përpjekjen e durueshme për dialog, mirëkuptim të ndërsjellë dhe refuzimin e stereotipeve. Në këtë frymë, Selia e Shenjtë e promovon dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor si një rrugë themelore për të kapërcyer paragjykimet dhe për të ndërtuar një botë më të mirë për të gjithë.
Kryeipeshkvi El-Kassis rikujtoi se liria e shprehjes është një e drejtë themelore që duhet mbrojtur, por se ajo shoqërohet edhe me përgjegjësi. “Një diskurs që nxit qëllimisht urrejtjen ose dhunën nuk mund të kërkojë mbrojtjen e lirisë; përkundrazi, ai dëmton vetë kushtet në të cilat liria e vërtetë mund të lulëzojë”, përfundoi përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara./Radio Vatikani