Ish-anëtarja e ekipit hetimor në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë, Nevenka Tromp, e ka cilësuar dënimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së si një zhvillim me peshë të veçantë për mënyrën se si do të shkruhet historia e luftës së Kosovës.
Në një intervistë për “Rreth e Qark” në A2 CNN, Tromp ka krahasuar procesin ndaj Thaçit me atë ndaj ish-presidentit serb, Slobodan Millosheviç, i cili vdiq në paraburgim pa marrë një vendim përfundimtar.
Sipas saj, Serbia “doli nga përgjegjësia penale shumë lehtë” pas vdekjes së Millosheviçit dhe mungesës së një përfaqësimi të përshtatshëm politik të të akuzuarve serbë në Tribunalin për ish-Jugosllavinë.Tromp u ndal veçanërisht te dënimi prej 25 vitesh burg për Thaçin, duke thënë se, për shkak të moshës së tij, ai mund të jetë praktikisht i barabartë me burgim të përjetshëm.
Ajo e cilësoi si “mizore” një nga rrethanat lehtësuese të përmendura nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, gjatë përcaktimit të dënimit: fakti që Thaçi, gjatë kohës kur ishte president i Kosovës, kishte bërë gjithçka që mundej për krijimin e Dhomave të Specializuara.“Një president i një shteti të mëparshëm, ish-presidenti i Kosovës, ndihmon në krijimin e kësaj gjykate dhe më pas akuzohet, gjykohet dhe dënohet me atë që, për shkak të moshës së tij, mund të jetë praktikisht burgim i përjetshëm”, tha Tromp.
Ajo hodhi poshtë gjithashtu interpretimet se Thaçi mund të kishte rënë dakord për krijimin e Gjykatës Speciale në këmbim të garancive se nuk do të akuzohej.“Unë mendoj se ky është një nga përshkrimet më të padrejta dhe më të cekëta të rolit të Presidentit Thaçi”, u shpreh ajo.
Sipas Tromp, Thaçi dhe UÇK-ja ishin të orientuar që Kosova të bëhej shtet i pavarur, liberal dhe demokratik dhe për këtë arsye u rreshtuan me shtetet demokratike perëndimore.“Kur angazhohesh për këtë përparim qytetërues, për liberalizmin dhe demokracinë, si mund të thuash më pas, si president i Kosovës: ‘Ne pranojmë gjithçka që vjen nga demokracitë liberale, përveç drejtësisë penale ndërkombëtare?’”, tha Tromp.
Ajo përmendi edhe Ukrainën dhe presidentin Volodymyr Zelensky, duke argumentuar se zhvillime të tilla duhet të jenë shqetësuese edhe për liderët e shteteve që ndodhen në situata të brishta pas luftërave.