Selia e Shenjtë në OKB: përparimi i vërtetë matet me dinjitetin e njeriut
Selia e Shenjtë në OKB: përparimi i vërtetë matet me dinjitetin e njeriut 14.07.2026 | 03:25
Në një deklaratë të mbajtur dje, më 13 korrik, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, gjatë një takimi mbi “Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm deri në vitin 2030”, delegacioni i Misionit të Vëzhguesit të Përhershëm të Selisë së Shenjtë theksoi se çlirimi i popujve nga varfëria pengohet nga pabarazitë, si ndërmjet vendeve ashtu edhe brenda secilit shtet. Në fund, u ritheksua se masa e çdo zhvillimi të vërtetë është gjithmonë e mira e përbashkët.
 
Në një deklaratë të mbajtur më 13 korrik në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, gjatë takimit të Këshillit Ekonomik dhe Social (ECOSOC), kushtuar Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm deri në vitin 2030, Misioni i Vëzhguesit të Përhershëm të Selisë së Shenjtë theksoi se përparimi i vërtetë nuk matet me zhvillimin e teknologjisë, por me aftësinë e saj për t'i shërbyer njeriut dhe së mirës së përbashkët.
 
«Matësi i vërtetë i përparimit nuk është niveli i sofistikimit të teknologjive të reja, por fakti nëse ato vihen apo jo në shërbim të personit njerëzor dhe të së mirës së përbashkët». Kjo ishte pika qendrore e deklaratës së Selisë së Shenjtë gjatë debatit me temë "Të bëjmë më mirë: të përshpejtojmë veprimin urgjent dhe transformues për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm deri në vitin 2030".
 
Duke iu referuar enciklikës Magnifica humanitas të Papës Leoni XIV, delegacioni vatikanas vuri në dukje se inteligjenca artificiale mund të japë një ndihmesë të rëndësishme në përshpejtimin e arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Megjithatë, paralajmëroi se kjo teknologji nuk mund të quhet përparim i vërtetë nëse cenon dinjitetin e njeriut. Edhe nëse është efikase, fitimprurëse apo novatore, ajo humbet vlerën e saj kur nuk respekton personin njerëzor, i cili, sipas Agjendës 2030, duhet të mbetet gjithmonë në qendër të çdo politike zhvillimi.
 
Deklarata rikujton se zhvillimi i vërtetë synon çlirimin e plotë të popujve nga uria, sëmundjet, analfabetizmi dhe çdo formë privimi. Ky objektiv mund të arrihet vetëm nëpërmjet një pjesëmarrjeje më të drejtë në proceset ekonomike globale, ndërtimit të shoqërive të bazuara mbi solidaritetin dhe forcimit të institucioneve demokratike që garantojnë lirinë dhe paqen.
 
Selia e Shenjtë pranon se rritja ekonomike e viteve të fundit ka nxjerrë miliarda njerëz nga varfëria ekstreme. Megjithatë, ajo vëren se ky zhvillim vazhdon të shoqërohet me pabarazi të thella, si ndërmjet shteteve, ashtu edhe brenda tyre, si edhe me shfaqjen e formave të reja të varfërisë.
 
Në përfundim të deklaratës, delegacioni i Selisë së Shenjtë u bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të përballet me këto padrejtësi dhe të vendosë në qendër dinjitetin e pacenueshëm të çdo personi. Vetëm kështu, theksohet në tekst, do të jetë e mundur të respektohen angazhimet për zhvillimin e qëndrueshëm dhe të ndërtohet një e ardhme që u shërben të gjithë njerëzve./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.