Rritja e çmimeve në sektorin e bujqësisë në Kosovë ka vazhduar edhe në tremujorin e parë të vitit 2026, sipas të dhënave të publikuara për indeksin e inputeve bujqësore, shkruan Gazeta Metro.
Rritja e kostos së jetesës po vazhdon të godasë edhe sektorin e bujqësisë në Kosovë. Të dhënat e publikuara për tremujorin e parë të vitit 2026 tregojnë se çmimet e inputeve bujqësore kanë shënuar rritje krahasuar me vitin e kaluar, duke rritur barrën financiare për fermerët në furnizimin me plehra, farëra, energji dhe pajisje të tjera.
Sipas të dhënave të grumbulluara në barnatore bujqësore, farmaci veterinare, kompani dhe tregje të ndryshme në Kosovë, indeksi i përgjithshëm i inputeve bujqësore ka regjistruar rritje prej 4.5 për qind në TM1 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Raporti tregon se Indeksi i Input 1, që përfshin mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi, ka shënuar rritje prej 5.4 për qind krahasuar me TM1 2025.
Ndërkaq, Indeksi i Input 2, që lidhet me investimet në bujqësi, është rritur për 3.7 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve të konsumit aktual në bujqësi përfshihen farërat dhe materiali mbjellës, energjia dhe vajrat, plehrat dhe përmirësuesit e tokës, pesticidet dhe produktet për mbrojtjen e bimëve, shpenzimet veterinare, ushqimi për kafshë, mirëmbajtja e pajisjeve dhe ndërtesave, si dhe shërbime të tjera të lidhura me aktivitetin bujqësor.
Ndërsa në kategorinë e investimeve bujqësore përfshihen makineritë dhe pajisjet, ndërtesat e fermave dhe punë të tjera infrastrukturore që lidhen me zhvillimin e sektorit bujqësor./gazetametro.net