Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras ka uruar kryeministrin Albin Kurti dhe qytetarët e Kosovës për formimin e qeverisë së re, duke theksuar se paraliza politike ka marrë fund.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Terras shkruan: “Urime kryeministrit Albin Kurti dhe qytetarëve të Kosovës për formimin e qeverisë së re. Paraliza politike më në fund ka marrë fund”.
Terras ka theksuar se një qeveri funksionale është thelbësore për të avancuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe për të aktivizuar mbështetje financiare shumë të nevojshme.“Kosova i përket familjes së Bashkimit Evropian”, ka shkruar Terras.
Të mërkurën, më 11 shkurt, u konstituua Kuvendi i ri i Kosovës dhe u votua Qeveria e re, me Albin Kurtin në krye.Institucionet e reja formohen pas pothuajse një viti me Qeveri në detyrë dhe Kuvend gati tërësisht jofunksional.
Kjo, pasi Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit, pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, nuk pati vota të mjaftueshme për të krijuar Qeverinë, por këtë e arriti pas zgjedhjeve të dhjetorit të po atij viti, në të cilat fitoi 57 mandate.