UNICEF-i në Kosovë ka nënshkruar Memorandume Mirëkuptimi me gjashtë komuna, me qëllim përmirësimin e jetës së fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve.
Partneritetet janë nënshkruar me komunat e Prishtinës, Fushë Kosovës, Graçanicës, Obiliqit, Prizrenit dhe Mitrovicës së Jugut.
Sipas UNICEF-it, këto marrëveshje përbëjnë një hap të rëndësishëm në zbatimin e Programit të UNICEF-it në Kosovë për periudhën 2026–2030, duke synuar që zotimet e përbashkëta të përkthehen në veprime konkrete në nivel lokal.
UNICEF-i ka bërë të ditur se përmes bashkëpunimit me komunat synon të kontribuojë që fëmijët, veçanërisht ata më të cenueshëm, të kenë qasje në shërbime sociale cilësore dhe gjithëpërfshirëse.
Komunat janë përgjegjëse për një pjesë të rëndësishme të shërbimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e fëmijëve, pasi shumë prej tyre planifikohen, financohen dhe ofrohen në nivel lokal.
“Për fëmijët, cilësia e shërbimeve lokale mund të përcaktojë nëse një politikë shndërrohet në një mundësi reale në jetën e tyre. Përmes këtyre partneriteteve, duam të punojmë krah për krah me komunat, duke përdorur më mirë të dhënat, duke investuar në mënyrë më efektive në fëmijët dhe duke forcuar shërbimet nga të cilat fëmijët dhe familjet varen çdo ditë”, ka thënë Shefja e UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko.
Në kuadër të këtyre partneriteteve, UNICEF-i dhe komunat do të bashkëpunojnë në planifikimin dhe buxhetimin që u përgjigjet nevojave të fëmijëve, përmirësimin e përdorimit të të dhënave dhe dëshmive, forcimin e koordinimit ndërmjet sektorëve dhe rritjen e investimeve në fëmijë.
Partneritetet parashohin edhe promovimin e pjesëmarrjes kuptimplotë të fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve në proceset vendimmarrëse në nivel lokal.
Bashkëpunimi do të fokusohet gjithashtu në rritjen e qasjes së barabartë në shërbime cilësore në fushat kryesore të mirëqenies së fëmijëve, përfshirë kujdesin shëndetësor parësor dhe imunizimin, edukimin në fëmijërinë e hershme, arsimin cilësor dhe zhvillimin e aftësive.
Në fokus do të jetë edhe angazhimi i të rinjve dhe krijimi i mundësive për punësim, si dhe forcimi i shërbimeve të koordinuara për mbrojtjen e fëmijëve dhe mbrojtjen sociale, përfshirë parandalimin dhe reagimin ndaj dhunës ndaj fëmijëve.