Gati një orë ka zgjatur takimi i tretë mes kryeministrit Albin Kurti që është lider i Vetëvendosjes, me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Megjithatë edhe ky takim nuk përfundoi me një zgjidhje për emrin e presidentit, por vetë Kurti tha se ai shkoi në atmosferë konstruktive.
“Takimi shkoi në atmosferë konstruktive,mirëpo kur ka diçka të re do t’iu njoftojmë. Ende nuk i kemi zgjidhjet, mirëpo do t’iu njoftojmë së shpejti”, deklaroi shkurt ai.
Takohen sërish Kurti e Abdixhiku
Me një tjetër takim mes liderit të Vetëvendosjes, kryeministrit Albin Kurti me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku ka nisur kjo e martë, derisa vendi po numëron orët deri te skadimi i afatit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Takimi i tretë brenda pak ditësh po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës, nga aty ku liderët e këtyre dy subjekteve politike një ditë më parë dolën pa një dakordim për zgjedhjen e të parit të Republikës.
Një ditë më parë Kurti tha se vendit i duhet një emër që siguron 84 deri në 85 vota në kuti, derisa paralajmëroi se për të evituar zgjedhjet do të vazhdojë të punojë deri në arritjen e një rezultati.
Ndërkohë lideri i LDK-së, Abdixhiku ka thënë se e sheh shumë të vështirë konsensusin politik për zgjedhjen e presidentit të shtetit.
Kreu i LDK-së tha se në këtë fazë nuk kanë qëndrime refuzuese ndaj askujt, e aq më pak ndaj Osmanit.
Vjosa Osmani ishte zgjedhur presidente e shtetit më 4 prill 2021, vetëm në rrethin e tretë të votimit, pasi dy herët e para nuk kishte arritur t’i merrte 80 votat e domosdoshme.
Në raundin e tretë ishte LDK-ja që ia bëri kuorumin duke qëndruar në sallë, derisa ajo mori 71 vota të deputetëve për mandatin e saj pesë vjeçar në krye të vendit.
Kushtetuta e Kosovës thotë se zgjedhja e presidentit të Republikës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.
Në garë mund të ketë dy e më shumë kandidatë.
Kandidatët mund t’i hyjnë garës pasi t’i kenë siguruar 30 nënshkrime deputetësh, derisa postin mund ta fitojë pasi t’i marrë dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve.
E nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet president i Republikës.
Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet president, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.