Kanë nisur punimet për transformimin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë.
Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama bëri të ditur se ky projekt është një ndër projektet më të mëdha dhe interesante në Prishtinë ndërsa potencoi se do të përfshihen edhe sheshi “Zahir Pajaziti” dhe një pjesë e zonës së Bibliotekës Kombëtare, shkruan Arbresh.info.
Rama para mediave tha se punimet do të bëhen në tri faza dhe është paraparë të zgjasin 240 ditë.
“Po e bëjmë realitet atë që e kemi premtuar. Punimet do të bëhen në tri faza. Faza e parë do të jetë pjesa e sheshit ‘Xhorxh Bush’. Pastaj kjo do të hapet dhe do të fillojmë me sheshin ‘Zahir Pajaziti’ dhe tek pjesa e Bibliotekës Kombëtare e në fund edhe të rrugës ‘Garibaldi’. Arsyeja pse po veprojmë në faza është që mos ta bllokojmë zonat edhe mundësit e njerëzve për qarkullim. Parashihet të jetë 240 ditë pune, projekti arrin vlerën 18.1 milionë në përgjithësi”, tha Rama.
I pari i Prishtinës tha se me realizimin e këtij projekti në këtë zonë të kryeqytetit do të ketë më shumë gjelbërim, zona rekreative, zona të artit e kulturës dhe zona për aktivitete gjatë veres./Arbresh.info