Ditën e sotme në Washington do të mbahet ceremonia hapëse e Bordit të Paqes, ku me ftesë të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, po merr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan Gazeta Metro.
Osmani në Davos të Zvicrës, ka pranuar dhe ka nënshkruar tashmë Kartën e Bordit të Paqes në emër të Republikës së Kosovës, duke e pozicionuar vendin si anëtare themeluese
Presidentja Osmani e cilësoi pjesëmarrjen e Kosovës si anëtare dhe bashkëthemeluese si një hap strategjik në konsolidimin e politikës së jashtme të vendit. Sipas saj, kjo rrit peshën dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
Megjithatë në Kosovë, qëndrimet rreth Bordit të Paqes nuk qëndrojnë të njëjta nga të gjitha partitë politike, pasur parasysh që pothuajse të gjithë krerët e partive të mëdha opozitare i shkuan në zyrë për urim dhe mbështetje Osmanit, ndërsa ekzekutivi deri më tani zgjodhi heshtjen.
Deri më tani, nga kreu i Qeverisë ‘Kurti 3’, Albin Kurti, dhe kabineti i tij politik, nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar, e temës ka tentuar t’i shmanget disa herë në pyetjet e gazetarëve.
Qëndrimi i rezervuar i kryeministrit disa herë është pasur me përgjigjen se “si kryeministër, më tutje do të kontribuoj kudo që ka nevojë për paqe.”
Në vizitë për të njëjtën çështje të parës së vendit i ka shkuar edhe lideri i PDK-së, Bedri Hamza.
Në anën tjetër i rizgjedhuri si kryetar i LDK-së, Lumir Abdixhiku, para më shumë se një jave është takuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, pas ftesës që ia bëri, ku tha se me Osmanin diskutuan për zhvillimet e fundit politike dhe ndërkombëtare me rëndësi për Kosovën. Ai tha se LDK mbetet e përkushtuar ndaj orientimit euroatlantik dhe bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë strategjikë.
“Në këtë takim u informova për iniciativën e Presidentit Donald Trump për themelimin e Bordit të Paqes; një nismë që synon forcimin e stabilitetit, dialogut dhe paqes, dhe që e forcon pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. I shpreha Presidentes Osmanit mbështetjen e plotë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për këtë iniciativë. Forcimi i paqes, i aleancave, në veçanti me SHBA-të, dhe i rolit ndërkombëtar të Kosovës duhet të jetë përparësia jonë.”
Edhe ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se ka zhvilluar një takim me presidenten e Kosovës.
Ish-kreu i kësaj partie ka thënë se në këtë takim kanë diskutuar për Bordin e Paqes dhe zhvillimet politike në vend dhe në rajon, duke thënë se Osmanit ia ka shprehur vlerësimin për pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes, me ftesë të presidentit amerikan Donald J. Trump.
“Çdo partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në çdo iniciativë ku jemi krah njëri-tjetrit, është i rëndësisë së veçantë për Kosovën” – ka vlerësuar Haradinaj.
Ndonëse kaluan pothuajse një muaj nga koha kur Kosova vendosi nënshkrimin për këtë bord, pushteti duket të jetë ‘shumë i ngarkuar’ për të gjetur pak kohë a mundësi së paku për një reagim zyrtar e formal në lidhje me këtë.
Bordi i Paqes, i lansuar në fund të janarit 2026 nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donal Trump, është menduar si një mekanizëm i ri ndërkombëtar që në fazën e parë lidhet me zbatimin e planit të Trumpit për periudhën pas luftës në Gazë.
Përveç Kosovës sot në Bordin e Paqes po merr pjesë edhe Shqipëria e cila po përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama./gazetametro.net