Taktika e fundit e Albin Kurtit, që vetëm një ditë para se të përfundojë afati prej 30 ditëve për konstituimin e Kuvendit të shtyjë punimet dhe të mos kandidojë dikë për kryetar të Kuvendit, ka bërë që të reagojnë edhe ndërkombëtarët, përcjell Gazeta Metro.
Ishte Ambasada Amerikane në Kosovë e cila theksoi se punimet e sotme s’janë në përputhje me legjislacionin, madje kërkon që të respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Udhëheqja politike e Kosovës duhet të bashkëpunojë për të formuar institucionet në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Populli i Kosovës pret nga udhëheqësit e tij që të përmbushin zotimin për të punuar në interesin më të mirë të vendit. Qytetarët e Kosovës presin nga udhëheqësit e tyre që ta përmbushin zotimin për të vepruar në interesin më të mirë të vendit. Ky ngërç i vazhdueshëm politik po i kushton Kosovës mundësi të humbura. Ka ardhur koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, u tha në përgjigjen e Ambasadës Amerikane për Gazetën Express.
Edhe zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se partitë politike në vend duhet të gjejnë zgjidhje për krijimin e institucioneve të reja pa vonesa.
BE tha se vazhdon të jetë e përkushtuar për mbështetjen e Kosovës, por shtoi se asaj i duhen institucionet për të vazhduar rrugën përpara drejt Unionit.
“BE-ja nuk komenton bisedimet politike në zhvillim, negociatat apo marrëveshjet e mundshme për koalicione ndërmjet subjekteve politike. U takon aktorëve politikë të Kosovës të gjejnë zgjidhje dhe të sigurojnë themelimin e institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale. Është e rëndësishme që institucionet e qëndrueshme të krijohen pa vonesë dhe të jenë në gjendje t’u përgjigjen nevojave të qytetarëve, të çojnë përpara reformat e nevojshme dhe të avancojnë agjendën e Kosovës në lidhje me integrimin në Bashkimin Evropian”, u tha në përgjigjen e BE-së.
Deri tani as nga parlamenti nuk mund ta thonë se kur do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit. Kaos institucional./gazetametro.net