SHBA-ja si duket po dërgon sinjale mbështetëse për institucionet kyçe të Kosovës në një kohë krize politike, ku Kushtetuta u shkel me dhjetëra herë dhe vendi u detyrua të shkojë në zgjedhjet e dyta parlamentare brenda vitit, shkruan Gazeta Metro.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Nexhmi Rexhepi, priti të martën në takim zyrtarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Lyn Debovoise, i cili është zëvendësdrejtor për Çështjet e Europës Qendrore Perëndimore.
Në njoftimin e lëshuar nga Kushtetuesja thuhet se temë diskutimi ishin roli dhe funksioni i Gjykatës, përbërja e saj aktuale, vendimet me rëndësi, procedura për zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues, si dhe sfidat në punën e deritanishme.
“Kryetari Rexhepi e njoftoi z. Debevoise edhe për angazhimin e Gjykatës në rritjen e efikasitetit për procedimin dhe zgjidhjen e lëndëve gjyqësore, për konsolidimin e praktikës së saj gjyqësore në harmoni me standardet evropiane të drejtësisë kushtetuese”, thuhet në njoftim.
Rexhepi shprehu falënderimin e tij për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara, për mbështetjen e ofruar Gjykatës ndër vite në ngritjen e kapaciteteve të saj profesionale dhe infrastrukturore.
Debovoise takoi sot edhe kryetarin e KQZ’së, Kreshnik Radoniqin, pikërisht pak kohë para zgjedhjeve të reja në Kosovë.
“Gjatë këtij takimi, kryesuesi Radoniqi e njoftoi z. Debevoise për përgatitjet që KQZ është duke i zhvilluar në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të planifikuara të mbahen më 28 dhjetor 2025”, njoftoi KQZ.
Gjykata Kushtetuese ka qenë në sulme të vazhdueshme nga pushteti dhe presidentja, sidomos në kohën e vendimeve sa Kuvendi ishte në ngërç. Sa i përket KQZ-së, vetë SHBA-ja u tregua shumë e qartë në dënimin e saj për veprimet joligjore të anëtarëve të VV-së për moscertifikimin e Listës Serbe, e cila më pas u pranua nga PZAP-ja./gazetametro.net