Në Washington sot pritet të mbahet ceremonia hapëse e Bordit të Paqes, një iniciativë e re ndërkombëtare që synon koordinimin e përpjekjeve për stabilitet global, shkruan Gazeta Metro.
Struktura përfshin 26 shtete pjesëmarrëse. Shqipëria dhe Kosova janë ndër vendet që kanë konfirmuar zyrtarisht përfshirjen e tyre në këtë mekanizëm.
Anëtarësimi i Shqipërisë u miratua në Kuvend me 110 vota pro, pas një ftese të drejtuar nga Donald Trump ndaj kryeministrit Edi Rama. Nga ana tjetër, Kosova u përfaqësua në Davos nga presidentja Vjosa Osmani, e cila nënshkroi aktin themeltar të Bordit.
Presidentja Osmani e cilësoi pjesëmarrjen e Kosovës si anëtare dhe bashkëthemeluese si një hap strategjik në konsolidimin e politikës së jashtme të vendit. Sipas saj, kjo rrit peshën dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar të punojë ngushtë me aleatin tonë kryesor, SHBA-të, dhe me Bordin e Paqes për të sjellë rezultate konkrete, për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajonet e prekura nga konfliktet dhe për të promovuar një të ardhme të bazuar në bashkëpunim, siguri dhe prosperitet të përbashkët”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Takimi i parë do të drejtohet nga Trump dhe zhvillohet në një kohë kur e ardhmja e Gazës mbetet e paqartë. Në aktivitet pritet të marrin pjesë përfaqësues nga më shumë se 45 shtete.
Ndër çështjet kryesore që do të diskutohen janë çarmatosja e militantëve të Hamas, përcaktimi i vlerës së fondit për rindërtim si dhe organizimi i ndihmës humanitare për popullsinë e Gazës, e cila është prekur rëndë nga konflikti. Sipas raportimit të Reuters, këto tema pritet të testojnë kapacitetin real të Bordit në fazën e parë të funksionimit.
Presidenti amerikan do t’u drejtohet delegacioneve në Institutin Amerikan të Paqes “Donald J. Trump” në Uashington, objekt që së fundmi është riemërtuar. Ai pritet të bëjë të ditur gjithashtu se vendet pjesëmarrëse kanë grumbulluar 5 miliardë dollarë për mbështetjen e procesit të rindërtimit./gazetametro.net