Të hënën për vizitë në Republikën e Kosovës ishin senatorët amerikanë amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, ndërsa u takuan me presidenten e Kosovës, Justina Shiroka Pula dhe kryeministrin Albin Kurti.
Në këtë takime u bisedua për zhvillimet e fundit politike, raportet Kosovë-ShBA, sigurinë, etj.
Por, çka thanë presidentja Shiroka-Pula dhe kryeministri Kurti?
Shiroka-Pula kërkoi rikthimin e Dialogut Strategjik me SHBA-në
Në takimin ndërmjet presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin është diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidentja Shiroka-Pula në takimin me senatorët amerikanë theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të SHBA-së, duke e cilësuar atë si aleate strategjike dhe partnere të pazëvendësueshme të Kosovës.
Presidentja ka kërkuar rikthimin e Dialogut Strategjik me SHBA-në, si instrument për thellimin e partneritetit dhe avancimin e prioriteteve të përbashkëta.
Ajo ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet një nga synimet kryesore të vendit.
“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara është kyçe në këtë rrugëtim. Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të thotë më shumë siguri dhe stabilitet jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin”, ka deklaruar Shiroka-Pula.
Presidentja ka falënderuar në veçanti senatoren Jeanne Shaheen për angazhimin dhe kontributin e saj të vazhdueshëm ndaj Kosovës.
Ajo ka vlerësuar qëndrimin e Shaheen në mbështetje të vazhdimit të pranisë ushtarake amerikane në kuadër të KFOR-it, duke e cilësuar si të rëndësishme letrën që senatorja i ka dërguar sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, lidhur me këtë çështje.
Sipas presidentes, prania ushtarake amerikane ka rëndësi të jashtëzakonshme strategjike për sigurinë e Kosovës dhe parandalimin e tensioneve në rajon.
Shiroka-Pula ka rikujtuar gjithashtu reagimin e senatores Shaheen pas sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe thirrjen e saj për vënien para përgjegjësisë të autorëve.
Në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e saj, presidentja i ka ndarë senatores Jeanne Shaheen Medaljen Presidenciale të Meritave, për kontributin në forcimin e sigurisë, ruajtjen e paqes dhe promovimin e stabilitetit në rajon.
Sipas njoftimit, kjo është dekorata e parë që Shiroka-Pula ka ndarë që nga marrja e mandatit të presidentes.
Kurti në takim me senatorët amerikanë në Prishtinë kërkon mbështetje për NATO-n dhe bazën e përhershme të Bondsteel-it
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar të hënën në Prishtinë senatoren amerikane Jeanne Shaheen dhe senatorin Dick Durbin, me të cilët ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sigurinë dhe zhvillimet politike e ekonomike në vend.
Kurti në një postim ka bërë të ditur se takimi me dy senatorët amerikanë vjen pas atij të zhvilluar në Konferencën e Sigurisë në Mynih, në fillim të këtij viti. Ai ka theksuar se Shaheen dhe Durbin e kanë uruar për mandatin e ri qeverisës dhe zgjedhjen e presidentes së Kosovës, që sipas tij kanë rikthyer stabilitetin e plotë institucional në vend.
Kurti ka vlerësuar se të dy senatorët kanë dhënë mbështetje të vazhdueshme për Kosovën dhe kanë kontribuar në forcimin e marrëdhënieve me SHBA-në.
Gjatë takimit, kryeministri ka bërë të ditur se ka kërkuar përkrahjen e tyre për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për shndërrimin e kampit ushtarak Bondsteel në bazë të përhershme ushtarake amerikane.
Duke folur për sigurinë, Kurti ka thënë se paqja dhe siguria në Kosovë janë të qëndrueshme, por ka shprehur shqetësim për veprimet dhe deklaratat kërcënuese të Serbisë.
Ai ka përmendur edhe raportet ndërmjet presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe Milan Radoiçiqit, të cilin e ka cilësuar si “kryekriminel terrorist”. /Telegrafi/