Inspektorati Qendror i Punës ka thënë se është herët të nxirren konstatime për përgjegjësitë lidhur me zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë pas vdekjes së një punëtori 26-vjeçar dhe lëndimi të një tjetri nga rrëzimi i vinçit gjatë ditës së djeshme në Prishtinë.
Vdekja e 26-vjeçarit nxiti edhe përplasje politike. Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, e akuzoi drejtpërdrejtë Komunën e Prishtinës, duke kërkuar të japë llogari të menjëhershme dhe të pashmangshme. E shpejtë qe kundërpërgjigja e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se vlerësimi i respektimit të standardeve të sigurisë është kompetencë e Inspektoratit të Punës në nivel qendror.
Inspektorati Qendror i Punës ka thënë se ky rast po trajtohet me prioritet të lartë dhe po bashkëpunojnë ngushtë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe institucionet e tjera kompetente, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe përcaktimit të përgjegjësive.
“Në këtë fazë është ende herët të nxirren konstatime përfundimtare, pasi natyra dhe rrethanat e rastit kërkojnë hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, si dhe përgjegjësitë lidhur me zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë”, thuhet në reagim.
Tutje, Inspektorati ka thënë sqarime shtesë. Ka thënë se mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, në raport me punëmarrësit, kontraktorët, nënkontraktorët dhe personat e tjerë që kanë qasje të autorizuar në kantier, është kompetencë e Inspektoratit Qendror të Punës.
“Ndërkaq, sa i përket sigurisë së palëve të treta dhe parandalimit të dëmeve që mund t’u shkaktohen atyre, Ligji për Ndërtim, përkatësisht neni 35, përcakton se përgjegjësia për mbikëqyrjen e zbatimit të masave të sigurisë në kantieret e ndërtimit i takon inspektorateve të ndërtimit të komunave përkatëse, të cilat janë kompetente të ndërmarrin masa ndaj subjekteve ndërtimore që cenojnë rregullat e sigurisë, duke përfshirë edhe rastet kur rrezikohen pronat ose personat jashtë kantierit”, vijon reagimi.
Po ashtu, sipas tyre, lidhur me lejen ndërtimore dhe përmbushjen e kushteve ndërtimore, Inspektorati Qendror i Punës nuk ka kompetencë ligjore për të vlerësuar nëse janë plotësuar apo jo kushtet për lëshimin e lejes ndërtimore, pasi kjo është përgjegjësi e autoriteteve kompetente sipas legjislacionit në fuqi.
“Nëse nga hetimet konstatohet se ka pasur shkelje të legjislacionit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, Inspektorati Qendror i Punës do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore brenda kompetencave të tij dhe do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë”.
Në funksion të parandalimit të rasteve të ngjashme në të ardhmen, Inspektorati Qendror i Punës ka theksuar se është e nevojshme të forcohet koordinimi institucional ndërmjet autoriteteve përgjegjëse për lëshimin e lejeve ndërtimore dhe institucioneve mbikëqyrëse.
Edhe 10 të vdekur në vende pune sivjet Arbëri 29 pri 2026 10 të vdekur në vende pune sivjet.
“Aktualisht, Inspektorati Qendror i Punës nuk njoftohet në mënyrë sistematike nga komunat për lëshimin e lejeve ndërtimore apo fillimin e punimeve në kantieret e ndërtimit. Për pasojë, planifikimi i mbikëqyrjes inspektuese bazohet në monitorimin e vazhdueshëm të territorit, raportimet e qytetarëve dhe burime të tjera të informacionit, e jo në një mekanizëm ndërinstitucional të shkëmbimit të të dhënave”, thuhet tutje në reagim.
Inspektorati Qendror i Punës ka paralajmëruar se do të iniciojë diskutime me institucionet përkatëse për krijimin e një mekanizmi të rregullt të njoftimit dhe koordinimit, me qëllim të identifikimit sa më të hershëm të kantiereve të reja dhe fuqizimit të mbikëqyrjes parandaluese në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.