Bamirësia e Atit të Shenjtë, përmes veprës së Dikasterit vatikanas për Shërbimin e Bamirësisë, nuk njeh kufij gjeografikë. Përveç mbështetjes së vazhdueshme për zonat e shkatërruara nga lufta si Ukraina dhe Lindja e Mesme, ajo karakterizohet nga dërgimi i ndihmave humanitare në pesë kontinente.
Më 6 qershor, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Spanjë, Papa Leoni XIV theksoi urgjencën e bamirësisë, duke thënë se "bamirësia nuk lejon vonesa". Ky pohim u konkretizua përmes nismave të Dikasterit vatikanas për Shërbimin e Bamirësisë, i cili ofron ndihma humanitare për popullsi në vështirësi në të gjithë botën. Një shembull prekës, që u paraqit nga të gjitha mediat , që ai i një nëne ukrainase me vajzën e saj, në një dhomë të vogël, duke shtrënguar fort një paketë me ushqime, simbol i bujarisë dhe i mbështetjes së Atit të Shenjtë.
Solidariteti pa kufij
Imzot Luis Marín de San Martín, Lëmoshtar i Papës, deklaron për mediat e Vatikanit se solidariteti nuk njeh kufij dhe nuk varet nga kombësia.
Ndihmat duhet të arrijnë kudo ku ka vuajtje dhe nevoja urgjente, sidomos tek më të varfrit. Shpejtësia, konkretësia dhe koordinimi i ndërhyrjeve janë thelbësore për të përcjellë afërsinë dhe butësinë e Atit të Shenjtë. Bamirësia e Kishës, nënvizon imzot Luis është përkëdhelje, që shoqëron dhe mbështet njerëzit në vështirësi.
Ndihmat humanitare në rajone të ndryshme
Ndihmat humanitare, që nisen nga Vatikani, mbërrijnë në gjithë botën. Për shembull, që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë, ndihma janë dërguar vazhdimisht për të mbështetur popullsinë e sfilitur nga lufta. Edhe në Gazë e Liban, bamirësia e Papës ka mbërritur gjithmonë. Vetëm ngarkesa e fundit përmbante rreth 15.000 paketa me ilaçet më të nevojshme. E gjeografia e shpërndarjes së nismave bamirëse nuk përfshin vetëm zonat në luftë, por edhe ato, që preken nga katastrofa natyrore, dhunë të përditshme dhe varfëri. Kisha vazhdon t’u përgjigjet emergjencave me përkushtim, pa dallime gjeografike, ose kulturore. Impenjimi i Papës Leoni XIV dhe i Dikasterit për Shërbimin e Bamirësisë përfaqëson një farë shprese dhe një shembull solidariteti për popullatat më të ligështa në të pesë kontinentet.
Nga Qiproja, udhëkryq i rrugëve migratore në Mesdhe, ku një projekt i Bashkësisë së Shën Egjidit për azilkërkuesit u siguron atyre ushqime, pako higjienike dhe mbështetje psikologjike në kampet e pritjes, deri te ndihma konkrete në Gjeorgji me dërgimin e furnizimeve për të përfunduar me ndërtimin e një shtëpie për fëmijët e varfër në Tbilisi, një projekt me pjesëmarrjen personale të Papës Françesku, që po përfundohet nga Leoni XIV.
Në Bangladesh, ndihma e Papës shkon për Cox’s Bazar, kampi më i madh i refugjatëve në botë, si edhe në dioqezën e Chattogram, prekur nga përmbytjet që ende vazhdojnë. Në Siri, ndihma ekonomike e Vatikanit ka të bëjë me bashkësinë e krishterë, e cila jeton nën presion e nën kërcënime të heshtura. Pastaj, projekte mjekësore e shëndetësore në Burkina Faso, afrësia me fëmijët e braktisur në Kenia, financimi i përgjigjes për shkatërrimet e ciklonit Gezani në Madagaskar, kurimi i një të plagosuri, që s’mund të ecte më, në Tanzani. E kështu edhe në Argjentinë, në Haiti, në Venezuelë, pas tërmetit shkatërrimtar, që goditi vendin.
Ndërhyrja dhe reflektimi mbi shkaqet e varfërisë
Secila prej nismave mbështet impenjimin e mëtejshëm, sepse siç thekson Lëmoshtari: "bamirësia nuk kufizohet vetëm në lehtësimin e menjëhershëm" të varfërisë, por fton për "reflektim mbi shkaqet e saj, për të kontribuar në shndërrimin e padrejtësive, të shënuara nga mëkati, që sjellin përjashtim dhe vuajtje". Dikasteri për Shërbimin e Bamirësisë, përfundon imzot Luis Marín de San Martín, është thellësisht i vetëdijshëm se "dashuria është çelësi i jetës së krishterë. Dhe urgjenca e bamirësisë, e jetuar si përgjigje ndaj Ungjillit, na shtyn çdo ditë të jemi pranë vëllezërve dhe motrave tona, duke ndarë vështirësitë dhe shpresat e tyre si Kishë"./Radio Vatikani