Në ditën e fëmijëve kërkohet më shumë të drejta për ta
Në ditën e fëmijëve kërkohet më shumë të drejta për ta 01.06.2023 | 13:37
Sot festohet 1 Qershori Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve. Ndërkaq, fëmijë, prindër, psikologë dhe drejtues të institucioneve për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve po vlerësojnë së në Kosovë Ligji për Mbrojtën e Fëmijëve nuk po gjen zbatim, dhe në shumë raste fëmijët po përballën me shkelje të të drejtave të tyre.
 
Si në shumicën e vendeve të botës edhe në Kosovë, sot festohet 1 Qershori-Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve. E kjo ditë, shumë fëmijë në vendin tonë i gjen të diskriminuar edhe përkundër që Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve ka hyrë në fuqi që nga viti 2020.
 
Se fëmijët kanë nevojë për më shumë të drejta e thonë edhe vetë ata. Fuad Berisha, nxënës në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “ Faik Konica” në Prishtinë i tha Radio Kosovës se fëmijët kanë nevojë për më shumë të drejta për sa i përket sistemit arsimore dhe realizimit të aktiviteteve të lira jashtë shkollore.
 
“ Unë mendoj që duhet të kemi me shumë të drejta në arsim pasi arsimi ka nevojë të zhvillohet në vazhdimësi. Në sistemin arsimor që e kemi tani, më shumë po vlerësohet nota se sa dituria e nxënësve. Duhet të kemi më shumë shëtitje sepse shëtitje realizojmë shumë rrallë, një herë në vit apo në dy vite. Kemi nevojë të vizitojmë vende më shumë për shembull, mësojmë diçka në biologji patjetër duhet të dalim e të marrim më shumë informata rreth asaj teme. Kisha pasur dëshirë të shfrytëzohen më shumë hapësirat në shkolla dhe të ketë më shumë kabinete për realizmin e mësimit.”
 
Po ashtu, edhe prindërit po vlerësojnë se në Kosovë nuk po respektohen në nivelin e duhur të drejtat e fëmijëve, pasi sipas tyre, ka mungesë  të hapësirave për realizimin e mësimit, planprogrami është i ngarkuar, mungesë të aktiviteteve jashtë shkollore e shumë të drejta të tjera të cilat fëmijët në Kosovë nuk i gëzojnë.
 
 “ Të drejtat e fëmijëve respektohen në familje, por kjo varet se në çfarë familje jetojnë ata. K mungesë të hapësirave për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme. Disa shkolla kanë hapësira të mjaftueshme e disa të tjera nuk kanë hapësira as për realizimin e mësimit e mos të flasim për zhvillimin e aktiviteteve të tjera. Janë shumë të ngarkuar fëmijët, nuk kanë hapësirë për të drejta as për lojëra. Është mirë të bëhen ndryshime në sistemin arsimor se pari e mandej me fol për të drejtat. Në Kosovë nuk janë të zbatueshme ligjet. Por janë edhe disa të drejta të tjera për të cilat  kanë nevojë fëmijët. Kanë nevojë për aktivitete kulturore më shumë, për shëtitje dhe për pushim me shumë siç është në vendet e tjera të botës, pasi në Kosovë shkon tre muaj e fëmijët nuk kanë fare pushim.”
 
Edhe psikologët po vlerësojnë se në Kosovë të drejtat e fëmijëve nuk respektohen në nivelin e duhur.  Psikologu Kushtrim Maloku, i tha Radio Kosovës së fëmijët kanë nevojë për më shumë të drejta qoftë në shkollë, por ka edhe raste kur fëmijët detyrohen të punojnë dhe përjetojnë dhunë.
 
“ Të drejtat e fëmijëve nuk po respektohen në nivelin e duhur, pasi vetë fakti që fëmijët po detyrohen të punojnë në mënyra të ndryshme është shumë e rëndë. Por edhe në shkolla të drejtat e fëmijëve respektohen në një masë të madhe, por edhe aty ka nevojë me për më shumë të drejta, se nuk mjafton vetëm e drejta për shkollim. Ka nevojë për të drejtat siç është e drejta për komunikim, për të qenë më të lirë, për të qenë më bashkëpunues dhe për të marrë me shumë njohuri nga mësimdhënësit. Por dhuna e shprehur ndaj fëmijëve i cenon shumë të drejtat e tyre por edhe aspektin socio emocional  dhe psikologjik të tyre”, tha Maloku.
 
Bukureza  Surdulli, nga  Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë, i tha Radio Kosovës se ligji, i cili është në fuqi, nuk po gjen zbatim. Kjo sipas saj, është edhe si pasojë e mungesës se njohurive të drejtueseve të institucioneve të ndryshme, prindërve dhe në përgjithësi shoqërisë për përgjegjësitë që kanë ndaj fëmijëve.
 
 “ Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve ka hyrë në fuqi që nga viti 2020. Për fat të keq, pas punëtorive që janë mbajtur nëpër komuna e kemi parë që  pjesa dërrmuese e pjesëmarrësve nuk kanë njohuri për përgjegjësitë, detyrat dhe obligimet që kanë ndaj fëmijëve të cilat  dalin nga ky ligj”, tha Surdulli.
 
Ajo tha se për herë të parë këtë vit do të fillojë monitorimi i zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.
 
 “ Deri  më tani në Kosovë nuk ka pasur monitorim të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe KOMF do ta bëjë këtë për herë të parë këtë vit. Ky monitorim do të publikohet në fund të vitit sepse tash është duke u punuar në metodologjinë dhe në instrumentet e tjera të monitorimit”, tha ajo.
 
Se ligji nuk po gjen zbatim e thotë për Radio Kosovën edhe Egzona Gashi, koordinatore në  Qendrën Ditore për Fëmijët në Situatë Rruge
” Terre Des homes”, në Prishtinë.  Ajo tha se të gjithë fëmijët në vend  po privohen nga disa të drejta. Ndërsa, një kategori e fëmijëve janë pak më të lënë anash nga institucionet që merren më fëmijë, tha Gashi.
 
 “ Përveç që në shkolla publike fëmijët që vijojnë mësimin e rregullt janë të privuar nga disa të drejta dhe këtu  zbatueshmëria e ligjit çalon.
 
Sidomos fëmijët që vijnë nga komunitetet e margjinalizuara   si romë, ashkali dhe egjiptianë e komunitete të tjera dhe fëmijët e cenueshëm siç janë fëmijët viktima potenciale  të trafikimit dhe dhunës e fenomeneve të tjera janë një kategori pak e lënë anash nga institucionet që merren me punën në përgjithësi me fëmijë”, u shpreh Gashi.     
 
Gashi, tha se vitin e kaluar janë rreth 200 fëmijë që kanë marrë shërbime nga qendra për fëmijë e të cilët janë fëmijë që  detyrohen të punojnë punë të rënda. 
 
 “ Vitin e kaluar ne kemi pasur rreth 200 fëmijë që kanë marrë shërbime të rregullta në qendrën tonë. Këta janë fëmijë që punojnë ose kryejnë veprimtari të tjera në rrugë si shitja e gjësendeve, pastrimi i xhamave të veturave dhe punë të tjera”, tha ajo.
 
E kategoria e fëmijëve të cilët përballën me së shumti me shkeljen e të drejtave janë fëmijët me nevoja të veçanta. Se me të vërtetë këta fëmijë përballën me shumë sfida në kohën kur janë të përfshirë në procesin edukativo arsimor e thonë edhe prindër të fëmijëve me nevoja të veçanta.
 
Mimoza Ramadani, prind i fëmijës më nevoja të veçanta, i tha RTK-së se djali i saj detyrohet shpesh të ndërpresë mësimin për shkak të mungesës së kushteve të papërshtatshme në objektet shkollore.
 
 “ Urani është nxënës i klasës së tetë këtë vit. Kohëve të fundit ka shumë probleme për shkak të largësisë së shkollës, mungesës së infrastrukturës së duhur, asistentit, tualeteve ku vetëm një pjerrinë ekziston te shkolla e e cila nuk po mjafton. Por edhe qëndrimi i gjatë në karrocë dhe mungesa e tualetit, po e bën të pamundur që kohëve të fundit Urani të jetë pjesë e klasës”, u shpreh Ramadani.
 
Se këta fëmijë nuk kanë as kushte minimale për të qenë pjesë e procesit të rregullt mësimor e thonë edhe drejtues të organizatave për personat me nevoja të veçanta. Fazile Bungu, nga organizata për personat me nevoja të veçanta “Hendifer”, në Ferizaj, i tha Radio Kosovës se fëmijët me nevoja të veçanta nuk arrin të kenë rezultate si pasojë e mungesës se stafit adekuat dhe mungesë të infrastrukturës të përshtatshme për këta fëmijë.
 
 “ Fëmijët e përfshirë në arsimin e rregullt, mund të them se rezultatin që ata e arrin është i barabartë më zero.  Kanë shumë nevojë për logopedë dhe psikologë. E shkollat edhe pse i kanë nuk merren fare me këta fëmijë. I marrin i çojnë nëpër shoqata e thonë që nuk mund të punojnë me ta. Po ashtu nuk ka infrastrukturë të përshtatshme për nevojat e tyre”, tha Bungu.
 
Edhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj, i tha Radio Kosovës se nuk është duke u respektuar ligji, sidomos parimi i gjithëpërfshirës së fëmijëve me nevoja të veçanta në procesin edukativ.
 
 “Në anën tjetër kemi parë një qasje të reduktuar në arsim dhe nuk është duke u respektuar parimi i gjithëpërshirjes në arsim për këta qytetarë.
 
Pastaj, sfidë tjetër është qasja në punësim, qasja në ofrimin e shërbimeve publike, në transportin publik dhe shumë probleme të tjera me të cilat përballën”, tha Qelaj.
 
Vitin e kaluar Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve ka bërë të ditur se 22.8 për qind e fëmijëve në Kosovë  jetojnë në varfëri përderisa 7.2 për qind  e tyre jetojnë në varfëri ekstreme.
 
Kjo ditë nuk është vetëm ditë festive, por njëherësh 1 qershori shërben për të sensibilizuar dhe për t’i thënë jo dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve.
 
Konventa Ndërkombëtare e Fëmijëve parasheh garantimin e të drejtave për çdo fëmijë pa dallim pavarësisht nga raca, ngjyra, gjinia, gjuha, feja, opinioni politik ose çdo opinion tjetër, nga origjina kombëtare, etnike ose shoqërore, pasuria, paaftësia, prejardhja familjare apo çdo gjendje tjetër e fëmijës ose prindërve të tij ose përfaqësuesve të tij ligjorë.
 
1 Qershori- Ditë e fëmijëve u vendos në datën 1 qershor, sepse në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në vitin 1925.
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave