Pavarësia bashkon Kosovën e Shqipërinë në këngë e valle
Pavarësia bashkon Kosovën e Shqipërinë në këngë e valle 17.02.2024 | 12:00
Dashuria për atdheun, ruajtja e trashëgimisë dhe përcjellja e tyre te brezat e rinj kanë qenë mesazhet e koncertit të përbashkët të ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” të Kosovës dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve i Shqipërisë. “Jemi një!” ka jehuar si mesazh, e bashkimi ka frymuar në skenë.
 
Koncerti i përbashkët i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” të Kosovës dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore i Shqipërisë, ka sjellë nëpërmjet këngëve e valleve popullore xhevahire të çmuar të traditës shqipe. Koncerti me të cilin dy institucionet kanë shënuar 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës ka bërë bashkë trashëgiminë e trojeve shqiptare në skenën e Shtëpisë së kulturës “Xhavit Hajrizi” në Obiliq. Mbi të gjitha ka qenë një lloj bashkimi kulturor i dy institucioneve shqiptare në festën e Kosovës.
 
Shtëpia e Kulturës në Obiliq ka qenë e mbushur të premten mbrëma. Aty kanë qenë të gjitha moshat, që nga fëmijët e deri te të moshuarit. Secilën pjesë koreografike a këngë e kanë përcjellë në ritëm me duartrokitje e brohoritje. Ansamblet e dy institucioneve janë bërë një në interpretimin e këngëve dhe valleve. Dashuria për atdheun, ruajtja e trashëgimisë dhe përcjellja e tyre te brezat e rinj kanë qenë mesazhet e koncertit.
 
Janë përcjellë edhe urimet e nderimet dhe mirënjohja për sakrificën e të flijuarve për liri. Tërë publiku është ngritur në këmbë në shenjë nderimi për familjen Jashari. I biri i heroit Adem Jashari, Bekim Jashari, ka qenë i pranishëm në koncert. Aty kanë qenë edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, deputetja Saranda Bogujevci, nënkryetari i komunës së Ulqinit, Sabri Salaj e drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
 
Zërat e bukur dhe valltarët profesionistë kanë nisur të shpalosin pasurinë e këngëve dhe valleve popullore të trashëguara ndër breza. Çdo varg i këngës, tingull i muzikës e hap i valles kanë sjellë atmosferë harmonike te publiku në kuadër të koncertit festiv.
 
Programi është hapur me vallen festive “Pavarësia” të interpretuar nga trupa e ansamblit “Shota”. Ka qenë valle me ritme tejet të shpejta që përcillet nga ritmet dinamike të muzikës. Me të ka kulmuar festa që në fillim. Xhevahiret e krijimtarisë muzikore janë sjellë nëpërmjet suitës korale nga Alfons Balliçi e më pas, solisti Samir Krasniqi ka interpretuar me çifteli këngën folklorike “Djemtë e shqipes”.
 
Krejt hapësira ka kumbuar kur solisti nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore i Shqipërisë, Lekë Preçnikaj ka interpretuar këngën “Dasma e malësorit” e pas tij, edhe Mirvete Haziri me “Këngë për Skënderbeun”.
 
Salla plot, entuziazmi e duartrokitjet kanë qenë pasqyra e ruajtjes së vlerave të traditës shqiptare. Këngët e kësaj ane e ato të jugut kanë qenë të njohura për publikun. E veçantë ka qenë edhe kënga “Lahutari”. E interpretuar nga Aranit Hoxha me zë të fuqishëm, kori e ka mbajtur ison në prapavijë.
 
Ansambli Popullor i Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë ka sjellë “Vallen Çame” të mjeshtrit të koreografisë, Panajot Kanaçi. Loja e mrekullueshme e Orkestrës ka përcjellë lëvizjet e valltarëve.
 
Tashmë është bërë traditë bashkëpunimi i institucioneve homologe për të shënuar ngjarje të rëndësishme.
 
Drejtori artistik i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, Ylber Asllanaj, ka thënë se këto koncerte të përbashkëta kanë për qëllim të reflektojnë në vëllazëri, unitet dhe art të mirëfilltë shqiptar.
 
“Qëllimi ynë është që ne ta ruajmë, ta bartim dhe ta kultivojmë traditën tonë. Natyrisht qëllimi është ta mbajmë të gjallë, ta përcjellim te gjeneratat që po vijnë. Është lumturi sepse kjo do të thotë se puna jonë, mundi ynë, angazhimi i përditshëm po shpërblehen me duartrokitje, entuziazëm te publiku dhe ky është qëllimi ynë. Prandaj ne ekzistojmë”, ka thënë Asllanaj derisa ka konsideruar se përtej ndarjes me kufij administrativë, dy vendet i bashkon tradita e kultura.
 
“Jemi munduar ta bëjmë një koncert të përbashkët në këtë ditë të shenjtë të kombit. Një nga festat më të veçanta krejt kombit këndej e andej kufijve administrativë të Shqiptarisë. Kemi kufij administrativë, por gjuhën, këngën, vallen, veshjen, e kemi një”, ka thënë Asllanaj.
 
Drejtori i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve, Sokol Marsi, ka thënë se dy vendet kanë folklor të bukur dhe se kur dy institucionet e sjellin së bashku, bëhet më kuptimplotë.
 
“Është gjithmonë kënaqësi e veçantë bashkëpunimi me vëllezërit tanë të ansamblit ‘Shota’. Kemi vite që bashkëpunojmë. I fundit ka qenë ai në Festivalin e Gjirokastrës, por gjithmonë është kënaqësi tepër e veçantë. Edhe titulli i programeve tona në bashkëpunim është ‘Ne jemi një!’ sepse jemi një. Kemi një folklor, një trashëgimi, një komb, këngët dhe gjithçka të bukur bashkë. Kur e demonstrojmë bashkë ajo bëhet akoma më e bukur për publikun në Kosovë e Shqipëri”, ka thënë Marsi.
 
Për këngën “Mora fjalë” që e ka interpretuar Deniza Gjezo krejt publiku është ngritur në këmbë e ka kënduar njëzëri. Ka ngjarë në një lloj homazhi. “Kaçurrelat e tu” e ka interpretuar ansambli i vajzave të Ansamblit Popullor ndërsa këngën “Drenica ime” e kanë sjellë Majlinda Cikaqi dhe kori.
Me zërat e tyre, anëtarët e Korit në përcjellje të vokalit qendror shpesh e kanë përmbushur interpretimin. Koristja Loreta Musliu ka thënë se ka qenë përvojë e mrekullueshme bashkëpunimi me Ansamblin e Shqipërisë.
 
“Jemi kënaqur sonte me këtë publik të jashtëzakonshëm. Edhe sepse kemi qenë në bashkëpunim me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë”, ka thënë ajo.
 
Për koristin Jon Lekaj i veçantë ka qenë dedikimi i koncertit.
 
“Sonte ishte ndjenjë shumë e mirë të interpretojmë para këtij publiku të mrekullueshëm. Ne si koristë kemi qenë shumë të lumtur për bashkëpunimin që kemi bërë me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë. Kemi qenë shumë të kënaqur, kemi kaluar shumë mirë dhe jemi shumë të lumtur”, ka thënë ai.
 
Në pjesën e fundit të koncertit është sjellë kënga “Po vjen lumi”, kolazh jugu interpretuar nga Deniza Gjezo ndërsa këngën “Përballë topit” e ka interpretuar këngëtari Riza Bytyçi. Me “Lufton Drenica”, Liridon Sadriut i është bashkuar edhe publiku.
 
Sadriu ka thënë se interpretimi i këngës i ka sjellë ndjesi të shumëfishta.
 
“Të interpretosh një këngë të tillë pas 25 vjetësh që e ka interpretuar Manjola Nallbani ishte goxha sfidë dhe kënaqësi në të njëjtën kohë. Publiku më dha emocion të veçantë pasi ishte përkrahje fantastike. Ndjenjë e jashtëzakonshme. Normalisht kur dy ansamble bëhen bashkë, mund ta quajmë një lloj bashkim kombëtar. Kënaqësi dhe nder i madh për mua të interpretoj me ta”, ka thënë ai.
 
Trupa e ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” dhe ajo e Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë janë ribashkuar në skenë për të interpretuar këngën “Jem Ilira, jem Teuta”./© KOHA.
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave