Kremtohet festa e Nënë Terezës kudo në trevat shqiptare
Kremtohet festa e Nënë Terezës kudo në trevat shqiptare 09.09.2022 | 15:43
Festa liturgjike e Nënë Terezës u kremtua në të gjitha kishat e trevave shqiptare. Nga katedralja kushtuar asaj në dioqezën e Sapës, në kryeipeshkvinë metropolite të Shkodër-Pultit, në Lezhë, në Administraturën e Jugut, në Tiranë (ku u lidh marrëveshja me bashkinë për ndërtimin e shenjtërores së Nënë Terezës në kodrat e liqenit), në Rrëshen, ku u mblodhën shumë nga motrat e shenjtes shqiptare e në Kosovë, në katedralen e Prishtinës, gjithnjë kushtuar Nënë Terezës.
Festa liturgjike e Nënë Terezës u kremtua sivjet në një përvjetor të veçantë. U mbushën 25 vite nga vdekja e shenjtes shqiptare të bamirësisë, të cilën gjithë bota e kujton për shërbimin shembullor në favor të më të varfërve ndër të varfër. E, me gëzim të veçantë, 5 shtatori, por edhe përvjetori i shenjtërimit, një ditë më parë, u kremtuan në të gjitha trevat shqiptare e kudo ku ka shqiptarë nëpër botë.
 
Në dioqezën e Sapës
 
Në dioqezën e Sapës, katedralja i është kushtuar pikërisht Nënë Terezës. Festa e shenjtes shqiptare u parapri nga tri ditë lutje dhe adhurim në nder të saj. E, gjatë meshës së 5 shtatorit, ditë që përkoi edhe me 10-vjetorin e Shtëpisë së Bamirësisë në këtë dioqezë, të varfrit e të sëmurët ishin në vend të parë. Kremtimin e kryesoi ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli, në bashkëkremtim me kryeipeshkvin e dioqezës italiane Reggio Emilia, imzot Giacomo Morandi, me famullitarin dom Mark Shtjefni e meshtarë të tjerë. Homelia u mbajt nga imzot Morandi, dioqeza e të cilit është mbështetje e fuqishme për Shtëpinë e Bamirësisë. Për t’i shëmbëllyer sadopak Nënë Terezës, siç ndodh shpesh në Sapë, dreka festive u shtrua për njerëzit me aftësi ndryshe në mensën e Karitasit dioqezan. Ndër veprimtaritë e tjera, edhe një koncert, lojra bamirësie e aktivitete kulturore.
 
Në kryedioqezën Shkodër-Pult
 
Në kryedioqezën metropolitane të Shkodër-Pultit, meshën e rastit e kremtoi kryeipeshkvi, imzot Angelo Massafra, në kuvendin e Motrave Misionare të Bamirësisë, që vijojnë punën e Nënë Terezës në gjithë territorin e mbuluar nga dioqeza. Meshë edhe në Lezhë, ndërkaq, në Rrëshen, ipeshkvi, imzot Gjergj Meta, kremtoi meshën dhe festoi të kremten e madhe së bashku me motrat, që shkuan në atë qytet nga Elbasani, Tirana, Durrësi, Puka dhe Shkodra. “Në shtëpitë e tyre – shkruan imzot Gjergj Meta në Facebook - motrat vazhdojnë të kujdesen për të moshuar e të moshuara, për të braktisur e të sëmurë, duke i larë, pastruar e duke u kujdesur për ta. Shpesh mes sakrificash të shumta. Nga ana jonë, përkundër fasadave dhe premtimeve, nevojitet veprim konkret që varfëria e familjeve shqiptare të luftohet, pasi ajo ende mbetet e lartë. Jo vetëm një varfëri materiale, por edhe ajo e vetmisë e sidomos e shëndetit mendor dhe shpirtëror. Kësisoj Nënë Tereza nuk mbetet vetëm simboli i një krenarie boshe, ndërtuar mbi gërmadhat dhe skeletet e varfërisë e të përjashtimit social, por kthehet në burim frymëzimi, që me anë të një dashurie vepruese, vokacioni i përnjmendtë i shenjtërve, të mund të lehtësojmë sadopak barrën e varfërisë”.
 
Në kryedioqezën Tiranë-Durrës
 
Në kryedioqezën metropolite të Tiranë-Durrësit, përveç meshës në katedralen e Shën Palit, në qendër të kryeqytetit, edhe një lajm tjetër i mirë.
 
Bashkia e Tiranës dhe kryeipeshkvia nënshkruan një memorandum për ndërtimin e shenjtërores së Nënë Terezës në kryeqytet. Akoma nuk janë bërë të njohura të gjitha hollësitë, por dihet se shenjtërorja do të ngrihet në kodrat e liqenit.
 
Në Kosovë
 
Së fundi, në Kosovë, në katedralen tjetër kushtuar Nënë Terezës, në Prishtinë, meshën solemne e kryesoi imzot Zef Gashi. Veprimtaritë në nder të shenjtes shqiptare të bamirësisë filluan që dhjetë ditë më parë, duke mbuluar gjithë periudhën që shkon nga 26 gushti, dita e lindjes së Nënë Terezës për këtë botë, deri më 5 shtator, dita e lindjes së saj për Qiell. Ipeshkvi, imzot Dodë Gjergji, u takua shpesh me motrat dhe me besimtarët, të cilët i nxiti të ndjekin shembullin dhe mendësinë e shenjtes në jetën e tyre./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave