Gjuetarët e paligjshëm të votave, kush fshihet pas tyre?
Gjuetarët e paligjshëm të votave, kush fshihet pas tyre? 09.03.2021 | 09:59
Nga Arife Morina
 
Zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit u konsideruan si ndër zgjedhjet më demokratike dhe më mirë të organizuara ndonjëherë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
 
Mirëpo, ky vlerësim doli të ishte i gabuar, pasi disa ditë pas publikimit të rezultateve përfundimtare nga KQZ, dolën në pah rastet me manipulime dhe vjedhje të votave nga komisionerët zgjedhor, në bashkëpunim me kandidatët për deputetë.
 
Vjedhja e votave e as manipulimi i tyre, nuk është dukuri e re në Kosovë. Mirëpo, ky skandal në Qendrën e Numërimit të Votave, po vërteton që as zgjedhjet e fundit të mos mbeten të pastra.
 
Një video e publikuar në media shpalosi mënyrën e keqpërdorimit të votës së qytetarëve nga komisionerët e partive politike.
 
Në këtë audio dhe video incizim, tregohet se si numëruesi i votave jep çmimin për ndryshimin e votave brenda kandidatëve të listës së një subjekti politik. I dyshuari po ashtu tregon se sa para kishte marrë ai dhe dy persona të tjerë brenda QNR-së, për të ndryshuar votat e një kandidateje për deputete të Kuvendit të Kosovës, që ajo të bëhej pjesë e legjislaturës së VIII.
 
E në tërë këtë skandal, përfshihet emri i ministres në detyrë nga radhët e AAK-së, Meliza Haradinaj, bashkëshorti i së cilës, Dardan Stublla, thuhet se i kishte korruptuar me para tre komisionerëve, për t’i bërë asaj votat e mjaftueshme për të hyrë në Kuvend.
 
Se votat iu vodhën brenda partisë, ankesa kishin edhe bashkëpartiaket e Haradinajt, Florentina Gjergji e Albana Bytyçi.
 
Kurse, Meliza Haradinaj-Stublla njëherë reagoi duke i cilësuar shpifje këto deklarata dhe audio-incizime. Mirëpo, nuk vonoi dhe sot Haradinaj-Stublla, konfirmoi dorëheqjen nga posti i ministres së Punëve të Jashtme.
 
Njohës të çështjeve juridike dhe politike, për gazetën “Bota sot” komentuan skandalin e vjedhjeve të votave, duke e cilësuar si një dukuri të vjetër në Kosovë. Ata kërkuan nga Prokuroria e Shtetit që të merret me këtë rast dhe t’i dënojë personat e përfshirë në këtë çështje.
 
Krasniqi: Skandali me vota, Prokuroria e Shtetit duhet të iniciojë procedurë penale
 
Avokati i shtetit Islam Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar skandalet me manipulimin dhe blerjen e votave, nga kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
 
Krasniqi tha se këto manipulime të votave duhet të merret Prokuroria e Shtetit, pasi po shkelet vullneti i qytetarëve dhe po ndëshkohen individët që meritojnë të jenë pjesë e legjislaturës së re.
 
“Skandali me blerjen e votave apo manipulimin e tyre duhet të merret seriozisht nga institucionet e drejtësisë, saktësisht nga Prokuroria e Shtetit, pasi që po shkelet vullneti i qytetarit dhe po ndëshkohen individët të cilët kanë merituar të jenë pjesëmarrës në legjislaturën e re në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.
 
Në vazhdim, Krasniqi kërkoi që Prokuroria t’i hetojë këto raste, duke iu marrë mandatin atyre kandidatëve për deputetë, të cilët në mënyrë të kundërligjshme tentuan të fitojnë ulëse në Kuvend.
 
“Prokuroria duhet të iniciojë procedurë penale dhe t’i hetojë këto raste duke iu marrë mandatin atyre deputetëve të cilët në mënyrë të kundërligjshme u bënë pjesë e kësaj legjislature dhe që janë pjesë e këtyre aferave korruptive duke e ndryshuar vullnetin e sovranit, e që të mos i shpëtojnë këtij dënimi as partitë politike të cilat i mbushin listat e tyre me individë që vrasin vullnetin e sovranit”, ka vlerësuar Islam Krasniqi për “Bota sot”.
 
Burjani: Liderët e partive politike fajtorë për manipulimin dhe blerjen e votave
 
Kurse, njohësi i çështjeve kushtetuese Blerim Burjani, gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot”, ka theksuar se manipulimi i votave është rast me të cilin duhet të merret Prokuroria e Shtetit.
 
Burjani u shpreh se këto shkelje ndodhin shkaku i liderëve që favorizojnë dhe orientojnë votën pa të drejtë ndaj njerëzve të preferuara të tyre.
 
“Natyrisht ky është roli i Prokurorisë së Shtetit, denoncimet duhet të bëhen nga kandidatët e partive patjetër për të ndalur abuzimin me votat e individëve. Këto shkelje në vazhdimësi i bëjnë partitë përmes liderëve që favorizojnë dhe orientojnë votën pa të drejtë, ndaj njerëzve të preferuar të tyre, ose nxisin persona të përkrahin kandidatët e tyre të preferuar”, është shprehur ai.
 
Juristi tha se blerja e votave është një dukuri e vjetër në Kosovë, pasi gjithmonë në kohë zgjedhjesh vota është në treg. Ai kërkoi që kjo paligjshmëri të ndërpritet dhe të ndëshkohet menjëherë.
 
“Kjo dukuri është e kahershme, si dhe blerja e votave, vota është në treg gjithmonë në zgjedhjet në Kosovë. Blerja e votave, manipulimi, orientimi i paligjshëm i elektoratit duke interferuar në vullnetin e tyre është dukuri e vjetër në Kosovë. Kjo duhet të ndëshkohet dhe të ndërpritet një paligjshmëri e tillë”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.
 
Mehmeti: “Ujku zanatin nuk e harron”
 
Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti, ka komentuar çështjen e skandalit të manipulimit të votave nga kandidatët për deputetë.
 
Mehmeti në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se rasti i Meliza Haradinaj-Stublla është vetëm ‘Maja e Ajsbergut’ në manipulimet në zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Meliza është vetëm Maja e Ajsbergut në manipulimin e madh që ka ndodhur me 14 shkurt. Mirëpo, Meliza atakohet më shumë për shkak të funksionit aktual që e mban, edhe pse për mua nuk është habi një gjë e tillë”, ka vlerësuar ai.
 
Analisti tha se Haradinaj-Stublla nuk do të duhej të zgjidhet Ministre e Punëve të Jashtme, pasi ai kujtoi rastin kur ajo ishte e dënuar me 8 muaj burg me kusht.
 
Mehmeti ironizoi duke thënë se ‘ujku zanatin nuk e harron’.
 
“Të kujtojmë se Meliza është dënuar me 8 muaj me burg me kusht, dhe nuk është dashur fare që të zgjidhet ministre e jashtme një person i dënuar. Kot nuk thonë, ujku zanatin nuk e harron, Meliza ka vazhduar me mashtrimin e radhës, edhe pse nuk është e vetme. Personalisht besoj se Meliza, konkretisht burri i saj është përfshirë në manipulime, bindja ime është e bazuar edhe në videot që po qarkullojnë”, ka theksuar Mehmeti.
 
Ai tha se prokuroria në Kosovë nuk është e pavarur, pasi në vende të tjera për këtë vepër do të shkonin në burg.
 
“Mirëpo, këtu duhet ndryshuar sistem. Prokuroria nuk është e pavarur në Kosovë, po të ishte një vend i zhvilluar për vepra të tilla do shkonin në burg, këtu maksimumi mund të jetë dënim me kusht”, ka deklaruar Faton Mehmeti për “Bota sot.
 
Kujtojmë që Haradinaj-Stublla në letrën e dorëheqjes së saj, ka thënë se e ka ndjerë obligim moral që ta bëjë këtë, derisa për largimin nga partia, ka thënë se është në paqe që po largohem nga prezenca toksike e disa njerëzve që AAK-në e bëjnë parti të pareformueshme dhe kryetarin Haradinaj të izoluar./Bota Sot
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave