Nga Berat Buzhala
Qysh edhe mujtet me e pa në video, Agroni, derisa vraponte sa te njëri polic sa te tjetri, bënte tetshe nëpër asfalt – simptoma klasike të një personi të dehur.
Qartazi, ai nuk po e rrezikonte jetën e kërkujt, as të policëve rrotull tij. Sa prej jush – dhe këtu po e fus edhe veten – kur jeni pi, keni bërë veprime qesharake, me të cilat jeni skuqur kur ju ka dalë rakia? Keni bërë fjalë, jeni rrahur me ndokënd, keni thyer gota e shishe, keni thyer xhama, dhe në mëngjes keni pyetur: “Unë kështu kam bërë, a?Kurrgjë s'po mbajsha mend.”
Kurse, policia është organizata e vetme e autorizuar dhe e specializuar për me u marrë në mënyrë profesionale me ne, me fëmijët tanë, kur i kalojmë vijat e kuqe të prishjes së rendit publik.
Policia trajnohet me paratë tona që me na mbrojtë edhe kur e kemi gabim, edhe kur e prishim rendin publik, edhe kur i shajmë – qysh thuhet që ka bërë ai burri në Klinë që iu turren policia.
Ky është dallimi themelor ndërmjet policive në shtetet demokratike dhe atyre në shtetet jodemokratike. Policia e shteteve jodemokratike është represive, është hakmarrëse, është pasionante.
Shumë njerëz janë të prirë me e krahasuar rastin e Agronit në Lipjan me rastin e George Floyd-it në Amerikë. Megjithatë, në mes të këtyre dy rasteve ka dallim.
Dhuna e policisë ndaj George Floyd-it ka pasur motive racore, kurse dhuna e policisë ndaj Agronit, motivin e vetëm e ka pasur mungesën totale të taktit dhe profesionalizmit. Kjo e bën rastin në Kosovë edhe më të shëmtuar dhe më kronik.
Është tjetër gjë me e ditur që po e kalon vijën e kuqe të përdorimit të forcës, por ta bësh këtë sepse ke urrejtje ndaj ngjyrës ose fesë së qytetarit, është krejt tjetër gjë sesa me përdorur dhunë ndaj qytetarit sepse ti, si polic, je i bindur që e ke këtë të drejtë.
Kjo tregon që diku një hallkë është këputur, sepse në fund të fundit nuk ishte vetëm një polic, por qenë disa, dhe asnjërit prej tyre nuk i bënte përshtypje trajtimi jonjerëzor që po i bëhej një qytetari.
Kjo është e frikshme, marrë parasysh faktin që për shumë kohë jemi krenuar me “policinë më të mirë në rajon”.
Por gjithashtu, kjo është e pritshme, kur dihet kush është sot në krye të policisë. Ne e kemi parë vetë ministrin Sveçla, qysh i kruhet me u kacafytur sapo përballet me një pyetje të pakëndshme.
Në anën tjetër, në vend se të shkonte te familja e Agronit të ndjerë për t’u shprehur keqardhje në emër të shtetit, sot kryeministri Kurti kishte shkuar në ara për të ngrënë bostan./Nacionale