Laiciteti në kontekstin kushtetues dhe shoqëror të Kosovës
Laiciteti në kontekstin kushtetues dhe shoqëror të Kosovës 30.10.2025 | 03:33
Nga: Nijazi Halili 
 
Laiciteti përbën një nga parimet themelore të organizimit demokratik të shtetit modern. Ai nënkupton ndarjen e fesë nga pushteti politik dhe neutralitetin e shtetit ndaj besimeve fetare, duke garantuar lirinë e ndërgjegjes për çdo qytetar, në mënyrë që askush të mos detyrohet të ndjekë ose të mohojë një fe të caktuar (Taylor, 2009). Ky parim nuk është kundër fesë, por një mekanizëm mbrojtës i lirisë individuale dhe i pluralizmit shoqëror.
 
Origjina e laicitetit lidhet me zhvillimet historike të Evropës Perëndimore, veçanërisht me Revolucionin Francez të vitit 1789, i cili synoi çlirimin e shtetit nga ndikimi i Kishës. Ky proces u përmbyll me Ligjin e vitit 1905 për ndarjen e Kishës nga shteti, i cili përcaktoi neutralitetin e institucioneve publike (Baubérot, 2013). Modeli francez, i njohur si laïcité républicaine, mbetet ndër më të rreptët, duke konsideruar hapësirën publike si zonë neutrale nga çdo ndikim fetar. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndarja ndërmjet fesë dhe shtetit është më fleksibile, por thelbësisht e njëjtë në frymë: kushtetuta ndalon çdo ligj që vendos fenë si institucion shtetëror apo pengon ushtrimin e saj (Jefferson, 1802). Ndërkohë, në Turqi, laiciteti u vendos nga Mustafa Kemal Ataturku si bazë e modernizimit të shtetit dhe për shkëputjen përfundimtare nga kalifati osman (Zürcher, 2004).
 
Në aspektin institucional dhe juridik, laiciteti siguron që ligjet dhe politikat publike të bazohen në parime civile, jo fetare. Shteti nuk favorizon asnjë bashkësi fetare dhe nuk e përdor fenë si mjet legjitimimi të pushtetit. Kjo ndarje e qartë e sferës fetare nga ajo shtetërore synon të parandalojë diskriminimin dhe të garantojë barazinë e plotë të qytetarëve para ligjit, pavarësisht bindjeve të tyre shpirtërore apo kulturore (Habermas, 2008).
 
Në kontekstin e Kosovës, parimi i laicitetit është i qartë në Kushtetutë, e cila përcakton:
 
“Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështjet e besimit fetar” (Kushtetuta e Republikës së Kosovës, 2008).
 
Ky formulim shpreh përkushtimin e shtetit ndaj një rendi demokratik ku feja është çështje e ndërgjegjes personale dhe ku institucionet publike nuk mbajnë identitet fetar. Ky neutralitet garanton që të gjitha bashkësitë fetare islame, katolike, ortodokse apo të tjera  të trajtohen me barazi dhe respekt, duke mbrojtur njëkohësisht lirinë e besimit dhe të mosbesimit.
 
Laiciteti, përtej aspektit juridik, është një vlerë etike dhe kulturore. Ai mbron harmoninë shoqërore dhe bashkëjetesën ndërfetare, duke vendosur kufij të qartë ndërmjet pushtetit dhe besimit. Sipas filozofit Charles Taylor (2009), laiciteti nuk duhet të shihet si një betejë kundër religjionit, por si mënyrë për të siguruar barazi midis të gjitha bindjeve në hapësirën publike. Vetëm përmes këtij kuadri mund të ndërtohet një shoqëri e drejtë, ku asnjë ideologji fetare apo politike  nuk uzurpon të drejtën e tjetrit për të ekzistuar lirshëm.
 
Në përfundim, laiciteti në Kosovë reflekton përvojën evropiane dhe mbron lirinë, pluralizmin dhe barazinë qytetare (Nijazi Halili, 2025, Përvoja evropiane dhe laiciteti në Kosovë, kumtesë e paraqitur më 25 Tetor 2025 në tryezën shkencore Feja dhe Shteti, nën patronazhin e Gjeneral Hyen  Gecaj, Prishtinë)./Bota Sot
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave