Manastiri dhe Vlora, dy shtyllat e bashkimit kulturor e kombëtar të shqiptarëve
Manastiri dhe Vlora, dy shtyllat e bashkimit kulturor e kombëtar të shqiptarëve 17.11.2025 | 03:43
Nga: Prof. dr. Skender Asani
 
Kongresi i Manastirit u shndërrua në themelin e parë të arkitekturës kombëtare. Ai krijoi kodin e komunikimit, simbolin e bashkimit dhe shenjtërinë e shkronjës.
 
Në historinë e kombeve ka ngjarje që ndalojnë kohën dhe i japin drejtim fatit të një populli. Për shqiptarët, Kongresi i Manastirit i vitit 1908 është një nga ato ngjarje që e tejkalon përkohshmërinë e vet dhe bëhet dritare e shpirtit kombëtar. Ai nuk ishte vetëm mbledhje e dijetarëve e patriotëve, por një akt i madh i vetëdijes historike, një përpjekje për ta përkthyer identitetin e shpirtit në formë të shkronjës, për ta shndërruar fjalën në themel të shtetësisë. Në atë tryezë të Manastirit, shqiptarët u bashkuan rreth një ideje që i parapriu pavarësisë politike: bashkimi shpirtëror e kulturor nëpërmjet një gjuhe të përbashkët.
 
Në thelb, alfabeti i miratuar në Manastir ishte më shumë se një instrument shkrimi; ai ishte një akt besimi në qytetërim dhe përkatësi. Duke zgjedhur bazën latine, shqiptarët zgjodhën një drejtim të qartë orientimin drejt Perëndimit, drejt dritës së dijes dhe lirisë. Ishte një zgjedhje e ndërgjegjshme për të hyrë në familjen e kombeve të qytetëruara, për të ruajtur frymën e hapur të një populli që, ndonëse i ndarë në fe e krahina, ka ditur të qëndrojë një në shpirt e në gjuhë. Kjo është arsyeja pse Kongresi i Manastirit nuk mund të lexohet vetëm si akt kulturor, por edhe si manifestim i një harmonie të thellë shpirtërore, që buron nga vetë natyra e qenies shqiptare.
 
Ishte fjala e fuqishme dhe argumentuese e Gjergj Fishtës para delegatëve të Kongresit të Manastirit ajo që krijoi një situatë tejet emocuonuese në sallë. Fjalimin e tij ai përfundoi me këto fjalë:
 
“‘Nuk kam ardhë këtu ta mbrojë ndonjë alfabet të veçantë, por kam ardhë që të bashkohem me ju dhe ta pranoj alfabetin të cilin do ta zgjedhë Kongresi e që do të jetë më i dobishmi për ta zgjuar popullin’. Ai gjithashtu tha: ‘Armiqtë që e rrethojnë Shqipërinë janë të shumtë dhe të gjithë provojnë të na i marrin tokat, por nëse ne nuk mundemi ta mbrojmë atdheun tonë me fuqinë tonë morale, do ta mbrojmë me armë dhe nuk do t’i lejojmë armiqtë e Shqipërisë që ta marrin asnjë pëllëmbë të territorit tonë.’”
 
Pas këtyre fjalëve, të gjithë të pranishmit, myslimanë dhe të krishterë, u ngritën në këmbë dhe me lot në sy i duratrokitën Gjergj Fishtës, dhe kur po zbriste nga podiumi, hoxhë Hafiz Ibrahim efendiu, i cili e përfaqësonte klubin e shqiptarëve të Shkupit, i doli shpejt përpara, e përqafoi dhe e puthi duke i rrjedhur lotët nëpër faqe. Kjo skenë, sa emocionuese, po aq edhe dramatike për nga kuptimi i saj, sipas dëshmive të historiografisë shqiptare dhe të huaj, i dha kahje vendimtare rrjedhës së Kongresit të Manastirit, sepse një hoxhë po e përqafonte një prift në shenjë miratimi të vendimeve përfundimtare që shpien në unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Jo rastësisht po e veçojmë këtë rast, sepse kishte tendenca nga qarqe të ndryshme të shteteve fqinje që iu pengonte suksesi i shqiptarëve në arritjen e alfabetit të përbashkët dhe një propagandë e tillë mundohej madje të mbillte defetizëm dhe përçarje te shqiptarët, duke i nxitur ata, sidomos muslimanët, që ta kundërshtojnë një alfabet latin, i cili sipas tyre ishte i krishterëve.
 
Ky akt i madh shpirtëror dhe intelektual shënoi pikënisjen e një procesi që do të përfundonte katër vjet më vonë në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Midis Manastirit dhe Vlorës kalon një urë e ndërtuar nga dijetarë, mësues, klerikë e patriotë, të cilët e kuptuan se pavarësia politike duhej të paraprihej nga pavarësia shpirtërore dhe kulturore. Alfabeti i Manastirit i dha kombit mjetin për të shkruar veten, për të përkthyer unitetin në fjalë dhe për ta bërë atë të prekshëm në çdo cep të trojeve shqiptare. Pa atë alfabet, nuk do të kishte qenë e mundur as përhapja e arsimit shqip, as krijimi i shtypit kombëtar, as organizimi i lëvizjeve që çuan drejt pavarësisë.
 
Nga Normalja e Elbasanit (1909), e cila u themelua vetëm një vit pas Kongresit, e deri te organizatat e diasporës shqiptare në Bukuresht, Sofje, Kajro e Stamboll, të gjitha u ushqyen me frymën e Manastirit. Mësuesit dhe intelektualët që dolën prej saj u bënë bartësit e gjuhës së re të kombit, të një vetëdije që nuk njihte më ndarje. Pikërisht këta njerëz, të formuar në dritën e shkronjës shqipe, do të ishin ndër firmëtarët e Akteve të Pavarësisë në Vlorë. Ashtu si alfabeti kishte bashkuar fjalën, pavarësia bashkoi vullnetin dhe kështu fjala u bë shtet.
 
Në këtë vazhdimësi, Kongresi i Manastirit u shndërrua në themelin e parë të arkitekturës kombëtare. Ai krijoi kodin e komunikimit, simbolin e bashkimit dhe shenjtërinë e shkronjës. Ndërsa Pavarësia e Vlorës ngriti mbi këtë themel godinën e shtetit shqiptar, duke e bërë realitet politik ëndrrën që Manastiri e kishte artikuluar shpirtërisht. Nuk është rastësi që ndër delegatët e Vlorës gjendeshin shumë prej atyre që kishin qenë pjesë e Lëvizjes së Alfabetit dhe e shkollës së gjuhës shqipe. Manastiri dhe Vlora janë, kësisoj, dy kapituj të të njëjtit libër libri i identitetit shqiptar, që fillon me fjalën dhe përmbyllet me flamurin.
 
Në shekujt që pasuan, shqiptarët ruajtën me dinjitet këtë trashëgimi të dyfishtë të dritës dhe të besimit. Në çdo kohë të trazuar, kur interesat e huaja përpiqeshin të përçanin, ishte pikërisht kjo frymë që i mbante bashkë: shkronja që mëson, dhe feja që fal. Kështu, kultura shqiptare u bë mishërim i një humanizmi unik ballkanik, ku shqiptari mysliman, katolik apo ortodoks e shihte tjetrin si pjesë të vetes. Ky është triumfi më i lartë i qytetërimit shqiptar harmonia si vlerë morale dhe kombëtare.
 
Sot, në kohën e globalizimit dhe të identiteteve të lëngshme, Kongresi i Manastirit mbetet busull që na rikujton se identiteti fillon me shkronjën, ndërsa bashkimi fillon me shpirtin. Alfabeti që unifikoi fjalën shqipe është i njëjti që sot duhet të unifikojë vullnetin për dije, për kulturë dhe për bashkëjetesë. Një komb që ruan gjuhën e vet, por edhe harmoninë e vet shpirtërore, nuk ka pse të frikësohet nga e ardhmja sepse ai e ka gjetur prej kohësh mënyrën për të qëndruar i lirë në mendje dhe në zemër.
 
Në këtë dritë, përvjetorët e Kongresit të Manastirit nuk janë thjesht kujtesë historike, por janë akte vetëdijësimi kombëtar. Ata janë thirrje për të ruajtur atë që na bashkon gjuhën dhe shpirtin dhe për ta shndërruar në vlera diplomatike e kulturore të shekullit të ri. Sepse alfabeti i dritës që u ngrit në Manastir dhe feja e bashkimit që u rrit në zemrën e popullit janë dy shtyllat e përjetshme të identitetit shqiptar një identitet që bashkon tokën me qiellin, historinë me shpresën, fjalën me shpirtin.
 
Osjek, 15 nëntor 2025
(Fjalë e lexuar në akademinë kushtuar festave të nëntorit, organizuar nga komuniteti shqiptar në Osjek)/Bota Sot
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave