Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi
Shqipëria është një katastrofë në organiizimin e zgjedhjeve. Kosova është modeli i kulturës demokratike në këtë proces.
Zgjedhjet në Kosovë po zhvillohen të qeta. Kanë mbetur vetëm 13 ditë nga dita kur qytetarët e Kosovës do të shkojnë sërishmi në kutitë e votimit e megjithatë atmosfera është si në një situatë të qetë jashtë fushatave zgjedhore. A është ky model fryt i kulturës politike apo ligjit? Është e vërtetë se ligji përcakton etapat e të bërit fushatë elektorale nga ana e subjekteve politike. Por e njëjta gjë vlen gjithashtu edhe për vendet e tjera, përshembull, Shqipërinë.
Pavarësisht afateve kohore të zhvillimit të fushatës elektorale, në Shqipëri ato (fushatat) fillojnë së paku katër muaj para ditës së zgjedhjeve. Partitë, sidomos ajo në pushtet, nuk pret afatin kohor njëmujor nga dita e votimeve që të fillojë aksionin elektoral. Në Kosovë ndodh ndryshe. Fushatat çelen ditën, në të cilën përcaktohet me ligj. Parapërgatitja bëhet para asaj dite. Afatet e vendosura nga Komisioni Qendror respektohen me rigorizitet për çdo process, nga regjistrimi i partive dhe koalicioneve, deri te regjistrimi i kandidatëve.
Shqipëria është një katastrofë në organiizimin e zgjedhjeve. Kosova është modeli i kulturës demokratike në këtë proces. Katastrofa e Shqipërisë është e qëllimshme, sepse në një atmosferë rrëmuje dhe përplasjeje manipulimi, vjedhja, grabitja e tjetërsimi i votës bëhet lehtësisht. Në një situatë rregulli dhe rendi në zgjedhje, siç është ajo e Kosovës, nuk mendohet për operacione manipulimi të vullnetit të qytetarëve dhe votuesve. Kjo është e para.
Së dyti, shkurtimi i afatit të të bërit fushatë elektorale në Kosovë shërben thjesht për të qartësuar objektivat e partive politike dhe programet e tyre në qeverisjen e ardhshme katër vjeçare. Nuk shërben për propagandë dhe manipulim të opinionit publik. Në Shqipëri prioritet është propaganda, manipulimi dhe zevendësimi i përmbajtjes me formën. Ndaj dhe gjenden modelet e fyerjeve të tipit “buf kënete” e të tjera si këto. Kosova në këto zgjedhjet që do të zhvillohen pas 13 ditësh, më 28 dhjetor, po shkon qetësisht, pa asnjë përplasje politike, pa retorikë ofenduese dhe rënduese.
Fushata e shkurtër elektorale në kohë nuk të jep mundësi të harrohesh në akuza e kundërakuza, sepse koha të dikton të merresh me alternativën që do japësh.
Kësaj radhe edhe debatet televizive dhe mjetet e informimit në Kosovë janë bërë më të balancuara. Sigurisht që secila palë mbron projektet, programet dhe alternativën e saj. Megjithatë nuk ka një debat që të agravojë në konflikt dhe në përplasje. Do të ishte e mirë që kandidatët për kryeministër të bënin së paku dy debate televizive. E di se është vështirë për Albin Kurtin, i cili do të duhej që i vetëm të përballojë edhe së paku tre kandidatë të tjerë shqiptarë për këtë post, përveçse edhe atë të pakicave, nëse ato kanë përcaktuar një kandidat për kryeministër. Por do ta civilizonte akoma më shumë procesin kjo. Gjithashtu do të jepej një mesazh i jashtëzakonshëm, nëse ky ballafaqim alternativash do të bëhej para publikut. Qytetarët duhet të respektohen dhe një ballafaqim i alternativave përmes kandidatëve për kryeministër është padyshim respekt për ta. Duhet vendosur ky standard, me qëllim që bota të vlerësojë me nota shumë të larta procesin e demokracisë në zgjedhje në Kosovë.
Modeli i refuzimit të ballafaqimit të lidershipit që pretendon shumicën në parlament dhe qeverisjen e vendit është model shqiptar. Vetëm në Shqipëri ndodh që opozita të jetë e gatshme për ballafaqim të alternativës në publik dhe kreu i mazhorancës ta injorojë kërkesën e saj. Në zgjedhje hyjnë të barabartë opozita dhe mazhoranca dhe deri sa të çertifikohet rezultati ato janë në të drejtën e tyre për ta fituar betejën elektorale. Ndërkohë unë besoj se në Kosovë debate favorizon mazhorancën, sepse kjo mazhorancë ka bilanc, ka çfarë tregon. Puna e saj është dëshmi dhe provë suksesi. Aq më tepër kur Kosova ka një mazhoranvë që ka qeverisur vetëm një mandat e disa muaj. Që do të thotë se qytetarët janë të motivuar ta votojnë e ta provojnë edhe në një mandat të dytë.
Të bërit fuushatë moderne dhe pa konflikt e përplasje politike është dhe duhet të mbetet pasqyrë e kulturës politike që dëshmon ose duhet të dëshmojë një vend. Kosova është në rajonin tonë modeli i këtij suksesi. Është dhe sigurisht që do të jetë edhe modeli i organizimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme, përfshirë nxjerrjen e rezultatevenë kohë rekord./Bota Sot