Pse të krishterët e festojnë Krishtlindjen?
Pse të krishterët e festojnë Krishtlindjen? 22.12.2025 | 03:52
Nga: Dedë Palokaj
 
Një reflektim historik, arkeologjik, fetar dhe shpirtërorÇfarë është Krishtlindja dhe pse festohet?
 
Krishterimi është një fe që, në thelbin e saj, mbështetet në dëshmi historike, si dhe në burime biblike dhe arkeologjike. Ai bazohet në pohimin se Jezusi i Nazaretit ishte një figurë historike reale, që jetoi dhe veproi në një kontekst të caktuar kohor dhe gjeografik. Ungjijtë vendosin lindjen dhe veprimtarinë e Tij brenda kuadrit të sundimit të Perandorisë Romake, gjatë mbretërimit të Herodit të Madh (37 para Krishtit - 4 pas Krishtit), dhe në lidhje me regjistrimin e popullsisë të përmendur në burimet biblike. Këto referenca tregojnë se besimi i krishterë lidhet ngushtë me ngjarje historike konkrete, të lokalizuara në kohë dhe hapësirë, të cilat në parim mund të verifikohen edhe përmes burimeve historike dhe arkeologjike jashtë teksteve biblike.
 
Krishtlindja, prandaj, nuk është thjesht një festë folklorike, as një traditë e bukur dimri apo vetëm një kohë familjare. Ajo është përvjetorja e një ngjarjeje që ndryshoi rrjedhën e historisë njerëzore: Mishërimi i Birit të Zotit. Për të krishterët, Krishtlindja nuk përkujton vetëm lindjen e Jezusit në Betlehem, por çastin kur Hyji hyri në kohë, zbriti në historinë njerëzore dhe mori natyrën tonë për t’i sjellë botës shpëtim, dritë dhe paqe. Në shtallë të Betlehemit, Hyji rrëzon logjikën e botës: aty ku njerëzit presin madhështi, Ai zgjedh thjeshtësinë; aty ku pritet frikë, Ai sjell butësi; aty ku kërkohet pushtet, Ai ofron dashuri. Kjo është logjika e Mishërimit: Hyji bëhet njeri jo për t’u ngritur mbi njerëzit, por për të qenë me ta dhe si ata.
 
Në këtë mister të madh zbulohet një e vërtetë themelore e fesë së krishterë: Zoti nuk mbetet larg, i paarritshëm apo i heshtur. Ai afrohet, bëhet i prekshëm, i dëgjueshëm dhe i pranishëm në jetën njerëzore. Krishtlindja dëshmon se Hyji nuk flet më vetëm nga lartësitë e qiellit, por ecën ndër njerëz, ndan jetën me ta dhe i fton të ecin në dritën e Tij.
 
Për këtë arsye, Krishtlindja është një ftesë e përhershme për të hapur zemrën ndaj pranisë së Hyjit, për të rindërtuar marrëdhënien me Të dhe për të shëruar marrëdhëniet mes njerëzve. Ajo na kujton se çdo fillim i ri është i mundur, sepse Hyji ka bërë tashmë hapin e parë drejt nesh.
 
Arkeologjia dëshmon Krishtlindjen
 
Arkeologjia nuk flet me gjuhën e predikimit, por me heshtjen e gurëve. E megjithatë, pikërisht kjo heshtje e thellë i jep Krishtlindjes një zë edhe më bindës. Kur zbret në rrugicat e Betlehemit, kur sheh themelet e lashta të banesave të gdhendura në shkëmb, apo shpellat që përdoreshin si stalla për bagëtitë, nuk ke të bësh me legjenda të largëta, por me një realitet konkret, tokësor. Krishtlindja del nga sfera e abstraktes dhe hyn në historinë e prekshme të njerëzimit.
 
Gërmimet arkeologjike në Betlehem kanë zbuluar struktura banimi të shekullit I, shpella të përdorura si pjesë e shtëpive dhe hapësira për kafshët – pikërisht ai kontekst i thjeshtë dhe i varfër që përshkruajnë Ungjijtë. Në Nazaret, arkeologët kanë zbuluar shtëpi modeste, enë balte, puse uji dhe mjete bujqësore, që dëshmojnë jetën e zakonshme të një fshati periferik hebre. Këtu nuk ka pallate mbretërore, por varfëri, heshtje dhe përditshmëri – dhe pikërisht këtu, sipas besimit të krishterë, Zoti zgjodhi të hyjë në histori.
 
Edhe rrugët romake, ende të dukshme në disa segmente, na kujtojnë se lindja e Jezusit ndodhi në një botë të sunduar nga perandoria, nga regjistrimet e popullsisë dhe nga pushteti politik. Varret e hershme të krishtera, simbolet e para të kryqit dhe mbishkrimet e thjeshta funerare dëshmojnë se ky besim nuk lindi në vakum, por në një realitet historik konkret, shpesh armiqësor. Krishtlindja nuk ishte një ide poetike; ajo ishte një ngjarje që u përball me dhunën e historisë, me frikën e Herodit dhe me pasigurinë e njerëzve të thjeshtë.
 
Në këtë dritë, arkeologjia dhe feja nuk janë kundërshtare, por aleate të heshtura. Guri nuk e zëvendëson besimin, por e ndihmon atë të mos fluturojë në abstraksion. Besimi, nga ana tjetër, i jep kuptim gurit, duke e shndërruar në dëshmi. Krishtlindja nuk është thjesht një datë në kalendar apo një simbol shpirtëror; ajo është një ngjarje e rrënjosur në tokë, në kohë dhe në histori. Dhe pikërisht për këtë arsye, ajo mbetet kaq e fuqishme: sepse Zoti nuk erdhi në një botë imagjinare, por në botën reale – në varfëri, në errësirë, në një stallë – për ta ndriçuar atë nga brenda.
 
Pse lindja e një Fëmije ndryshoi botën
 
Krishtlindja është përvjetorja e një fakti unik: Hyji u bë njeri. Në Betlehem, Fjala e përjetshme e Hyjit mori trup njerëzor për t’u bërë rilindja e njerëzimit. Ky akt hyjnor është themeli i krejt besimit të krishterë.
 
Pa Mishërimin nuk ka Pashkë. 
Pa lindjen e Krishtit nuk ka Kryq, Ringjallje e Shpëtim.
Pa hyrjen e Hyjit në botë, njeriu do të mbetej në errësirën e mëkatit dhe të vdekjes.
 
Prandaj të krishterët e festojnë Krishtlindjen jo për hir të një date kalendarike, por për hir të një të vërtete që ndryshoi përgjithmonë fatin e njerëzimit. Popujt që përqafuan Ungjillin përjetuan një ndryshim rrenjësor të pakthyeshëm: nga një botë e mbështetur mbi frikën, në një botë të themeluar mbi dashurinë; nga logjika e dhunës, në logjikën e faljes; nga pushteti që shtyp të dobëtin, në mbrojtjen e të pambrojturve dhe nderimin e dinjitetit njerëzor.
 
Prandaj, me plot të drejtë mund të thuhet se ata popuj ishin me fat – jo sepse u bënë të përsosur, por sepse iu dha një mundësi që tejkalon çdo kufi njerëzor: mundësia për të hyrë në një mënyrë të re të të menduarit, të jetuarit dhe të dashurit, të hapur nga drita e Krishtlindjes. Kjo dritë nuk është vetëm një kujtim i së shkuarës, por një thirrje e përhershme për t’u kthyer te thelbi i njerëzores: te zemra që fal, që ngrihet, që kërkon të vërtetën dhe që nuk dorëzohet para errësirës.
 
Edhe sot, në epokën e krizave të thella morale dhe shpirtërore, kthimi i vështrimit drejt historisë së kombeve që pranuan Krishtin na kujton një të vërtetë themelore: asnjë komb, asnjë kulturë dhe asnjë zemër njerëzore nuk është e humbur përgjithmonë, mjafton të hapet ndaj së Vërtetës së Zotit.
 
Ringritja është gjithmonë e mundur atje ku Hyji lejohet të hyjë.
 
A festoheshin ditëlindjet në botën e lashtë pagane? – Një korrigjim i një miti të përhapur
 
Shpesh thuhet se të krishterët kanë marrë traditën e festimit të ditëlindjeve nga paganët. Por një pohim i tillë nuk qëndron dhe nuk përputhet aspak me faktet historike. Në botën e lashtë pagane, ditëlindjet personale festoheshin rrallë dhe në shumë kultura nuk kishin asnjë rëndësi të veçantë shoqërore. Nderimi i ditëlindjeve lidhej kryesisht me kultin e hyjnive dhe të perandorëve të hyjnizuar, jo me jetën e përditshme të njerëzve.
 
Grekët e lashtë, romakët e hershëm, hebrenjtë dhe popujt e Lindjes së Afërt pothuajse nuk i shënonin fare ditët e lindjes së fëmijëve të zakonshëm.
 
Përjashtim bënin vetëm figura të caktuara si mbretërit ose perandorët, dhe këto festime kishin më tepër arsye politike sesa fetare apo familjare.
 
Pikërisht për këtë arsye, nuk mund të thuhet se Krishtlindja ka lindur nga traditat pagane. Ajo nuk rrjedh nga zakonet e lashta të kultit, por nga reflektimi i thellë fetar i Kishës dhe nga dëshira për të kremtuar hyrjen e Hyjit në historinë njerëzore. Kjo ngjarje tejkalon çdo imagjinatë pagane dhe shënon një pikë kthesë të papërsëritshme në rrjedhën e shpëtimit. Paganët nuk e kuptonin se Krishterimi nuk është thjesht një sistem idesh apo një filozofi morale, por një marrëdhënie e gjallë me Zotin – një marrëdhënie dashurie. Pikërisht kjo i mungonte paganizmit: jo ritet, jo mitet, por lidhja personale, e drejtpërdrejtë dhe shpëtimtare me Hyjin, që hyn në histori dhe i flet njeriut si Atë.
 
Në mitologjitë pagane hasim festa që lidhen me “lindjen” ose “ringjalljen” e perëndive, por këto nuk përfaqësonin ditëlindje në kuptimin modern. Ato ishin rite simbolike, të rrënjosura në ciklet natyrore – si solstici dimëror (kthesa dimërore), stina e pjellorisë së natyrës ose rregullsitë e dukshme astronomike, pra fenomene të përsëritura çdo vit në qiell. Këto rituale nuk kishin asnjë lidhje me një datë historike të lindjes së një personi real, por shërbenin si shprehje mitike të ritmeve të kozmosit dhe të botës së natyrës.
 
Edhe të krishterët e hershëm nuk festonin ditëlindjet e shenjtorëve, e aq më pak të Jezusit. Vëmendja e tyre ishte e përqendruar te misteri qendror i besimit: Ngjallja e Krishtit – festa e Pashkëve. Vetëm më vonë, kur u thellua reflektimi mbi misterin e Mishërimit dhe u kuptua më qartë se lindja e Krishtit është hapi i parë i veprës së Shëlbimit, lindi edhe nevoja për ta kremtuar këtë ngjarje me një festë liturgjike të veçantë.
 
Në botën e lashtë nuk festoheshin ditëlindjet personale
 
Në shumicën e kulturave të lashta, njerëzit e zakonshëm nuk festonin fare ditëlindjet. Kjo vlen më tepët për:
 
Grekët e lashtë – festonin festat e hyjnive.
Romakët – festat publike dhe jo ditëlindjet individuale.
Hebrenjtë – përqendroheshin te ngjarjet fetare dhe jo te datat personale.
Egjiptianët – vetëm faraonët dhe elitat të lidhura me statusin e tyre hyjnor.
Arsyeja: datat e lindjes nuk regjistroheshin saktë, fëmijët shpesh nuk mbijetonin, dhe vetë koncepti i ditëlindjes kishte pak rëndësi shoqërore.
 
Kush i festonte ditëlindjet?
 
Vetëm figurat hyjnore.
Faraoni egjiptian festohej si i lindur nga perënditë – një figurë hyjnore në tokë.
Grekët e lashtë kremtonin ditëlindjet e hyjnive si Zeusi, Athena, Dionisi, Hermesi, Apfrodita, Apolloni etj.
Romakët festonin ditëlindjen e perandorit (dies natalis), sepse ai shihej si i lidhur me hyjninë dhe me rendin kozmik të perandorisë.
Në të gjitha këto raste, ditëlindjet ishin ngjarje politike, jo festime personale të njerëzve të zakonshëm.
 
Hebrenjtë nuk festonin ditëlindjen
 
Hebrenjtë në lashtësi nuk festonin ditëlindjet. Judaizmi i hershëm nuk kishte një kulturë të shënimit të lindjes së individëve, por përqendrohej te “ditët e çlirimit” – ngjarje ku Zoti ndërhynte në histori, si Pashka (Pesach) ose çlirimi nga Egjipti – si dhe te Ditët e Mbledhjes, Ditët e Kthimit dhe Dita e Pajtimit. Asnjë profet në Bibël nuk ka një ditëlindje të shënuar si festë. Shumë mendimtarë hebrenj e konsideronin festimin e ditëlindjeve si një zakon të huaj, pagan, jo pjesë të traditës së tyre fetare. Për këtë arsye, edhe të krishterët e hershëm nuk festonin ditëlindjen, përfshirë edhe atë të Jezusit.
 
A lidhet Krishtlindja me festa pagane?
 
Ky është një tjetër keqkuptim i madh modern. Në thelb, të thuash që Krishtlindja u vendos vetëm për të zëvendësuar festa pagane është një thjeshtësim terësisht i gabuar dhe tregon mosnjohje të fakteve historike, arkeologjike dhe etnologjike. Jezusi nuk lindi më 25 dhjetor sipas ndonjë burimi biblik; Ungjijtë nuk japin asnjë datë të saktë të lindjes së Tij. Zgjedhja e datës 25 dhjetor u bë shumë më vonë nga Kisha për arsye liturgjike dhe simbolike, duke lidhur lindjen e Krishtit me periudhën e dimrit, kur ditët fillojnë të zgjaten dhe simbolizojnë dritën që vjen në botë. Për më tepër, traditat që sot i lidhim me Krishtlindjen, si pemët e dekoruara dhe dritat, kanë rrënjë kulturore të ndryshme dhe u përshtatën gradualisht në kontekstin fetar të krishterë.
 
Pse u zgjodh 25 dhjetori për lindjen e Jezusit
 
Data 25 dhjetor për lindjen e Jezusit u zgjodh për arsye fetare, liturgjike dhe simbolike, dhe jo thjesht për t’u përshtatur me paganizmin. Në Romën e lashtë, më 25 dhjetor festohej Dies Natalis Solis Invicti (dita e lindjes së Diellit të Pamposhtur), një festë e lidhur me kultin e diellit dhe me periudhën pas solsticit të dimrit, kur ditët fillojnë të zgjaten. Disa studiues dëshmojnë se përkimi me këtë festë ndihmoi në kalimin nga paganizmi në krishterim, por kjo nuk është shpjegimi i vetëm. Në traditën e hershme të Kishës ekzistonte bindja se Jezusi u ngjiz më 25 mars (data e përllogaritur e Kryqëzimit), dhe sipas një logjike simbolike të përhapur në atë kohë, lindja e tij duhej të ndodhte nëntë muaj më vonë, më 25 dhjetor. Për më tepër, Shkrimet e Shenjta e përshkruajnë Jezusin si “Drita e Botës” (Gjn 8:12), dhe vendosja e lindjes së tij në periudhën kur drita fillon të fitojë mbi errësirën (rritja e dritës pas solsticit) kishte një kuptim të thellë fetarë. Gjatë shekullit IV, nën Papën Juliani I (337–352), data 25 dhjetor u vendos zyrtarisht si festa e Krishtlindjes duke ndihmuar në standardizimin e kalendarit liturgjik të Kishës.
 
Festa pagane e Sol Invictus (kthesa dimërore)
 
Festa pagane e Sol Invictus binte në të njëjtën periudhë me 25 dhjetorin, por ka disa dallime të rëndësishme: nuk ishte një “ditëlindje” njerëzore, por lidhej me ciklin diellor dhe me ringjalljen e diellit pas ditëve më të shkurtra të vitit; gjithashtu, festa e Sol Invictus është historikisht më e vonshme se dëshmitë më të hershme të krishterëve që lidhnin lindjen e Jezusit me këtë datë. Pra, përputhja midis tyre ishte kryesisht simbolike dhe praktike, dhe jo arsyeja kryesore që u zgjodh 25 dhjetori.
 
Kjo është arsyeja pse shumë festa të lashta pagane lidhen me diellin, hënën, dimrin, pranverën – jo sepse besonin në krijuesin, por sepse natyra shihej si hyjni. Edhe kur krishterimi hyri në botën romake, ju deshën shekuj për të shenjtëruar mentalitetin e popujve, sepse paganizmi ishte i gërshetuar me institucionet dhe traditat.
 
Pse të krishterët e hershëm nuk festonin Krishtlindjen?
 
Sepse ata jetonin nën persekutim dhe e kishin vëmendjen e tyre të përqendruar tek Kryqi dhe Ringjallja. Në gjeneratat e para, identiteti i krishterë ndërtohej rreth festës Pashkëve – rreth ngjarjes që ndryshonte gjithçka.
 
Festoheshin ditët e martirëve, jo ditëlindjet e tyre.
Vdekja shihej si “lindja për në qiell”, prandaj edhe quhej dies natalis.
Festa qendrore ishte Pashka, jo lindja e Krishtit.
 
Vetëm më vonë, ndërmjet shekujve II–IV, kur Kisha nisi të thellonte gjithnjë e më shumë misterin e Mishërimit dhe të mbrohej kundër herezive që mohonin hyjninë e Krishtit, Krishtlindja filloi të marrë formë si festë zyrtare. Ajo u shndërrua në kremtim të së vërtetës themelore se “Fjala e Amshuar u bë trup dhe banoi ndër ne (Gjn 1,14). Për të krishterët e hershëm, vetë fakti i lindjes nuk kishte rëndësi qendrore; përkundrazi, Pashka ishte zemra e identitetit të tyre dhe boshti i jetës shpirtërore, sepse aty shpallej fitorja e Krishtit mbi mëkatin dhe vdekjen.
 
Thelbi i fesë: Zoti që zbret drejt njeriut – misteri i Mishërimit
 
“Fjala u bë trup dhe banoi ndër ne”. Kjo është arsyeja e ekzistencës së Krishtlindjes. Zoti nuk mbetet më i paarritshëm, por hyn në brishtësinë e natyrës njerëzore: me trup, me frymë, me vuajtje, me gëzim, me dashuri.
 
Jezusi nuk erdhi si politikan, filozof apo lider ushtarak. Ai erdhi:
 
jo për të gjykuar, por për të shpëtuar;
jo për të sunduar, por për të shërbyer;
jo për të ndëshkuar, por për të shëruar.
jo për të luftuar, por për të pajtuar.
Drita që triumfon mbi errësirën
 
“Populli që ecte në errësirë pa një dritë të madhe” (Is 9, 1). Krishtlindja është çasti kur drita hyjnore thyen errësirën e botës dhe zemrës njerëzore. Ajo shënon fitoren e dritës mbi errësirën e mëkatit, frikës, dhunës dhe dëshpërimit. Në Natën e Shëlbimit, Zoti zbret ndër ne për t’i dhënë njeriut guxim, shpresë dhe një fillim të ri – sepse aty ku lind Krishti, errësira humbet fuqinë e saj. Të krishterët e përjetojnë këtë mister në jetën e tyre të përditshme: në mënyrën si shpresojnë, falin, duan dhe ngrihen përsëri. Për ata që ende nuk e njohin Krishtin, kjo dritë shpesh mbetet e fshehur – jo sepse mungon, por sepse nuk është zbuluar ende në zemrat e tyre.
 
Krishtlindja dhe Pashkët – dy pole të një të vetmit mister
 
Në Betlehem Zoti zbret drejt njeriut; në Pashkë njeriu ngrihet drejt Zotit. Në Krishtlindje Hyji hyn në historinë e njerëzimit; në Pashkë Ai e ngre historinë drejt jetës së përjetshme.
 
Krishtlindja është fillimi i shëlbimit, Pashkët janë përmbushja e tij. Në Krishtlindje shfaqet dashuria që bëhet e prekshme; në Pashkë shfaqet fuqia e dashurisë që triumfon mbi errësirën, mëkatin dhe vdekjen. Pa Krishtlindjen nuk ka kryq; pa Kryqin nuk ka Ringjallje. Në to dyja, Hyji na zbulon fytyrën e vet dhe rrugën tonë drejt shpëtimit.
 
Pikërisht për këtë arsye, Krishtlindja nuk kishte urgjencë për komunitetet e para të krishtera. Ajo nuk mohohej, por thjesht nuk zinte vendin qendror. Besimi i hershëm ishte thellësisht i përqendruar te kryqi, te varri i zbrazët dhe te pritja e Mbretërisë së Zotit. Lindja e Krishtit merrte kuptimin e saj të plotë vetëm në dritën e Pashkëve. Predikimi i apostujve fillon gjithmonë me fjalinë: “Edhe pse nuk gjetën asnjë faj për vdekje, e kërkuan që të vritej. Por Zoti e ngjalli prej së vdekurish” (Vap 13, 27–30).
 
Krishtlindja – një kohë reflektimi shpirtëror
 
Krishtlindja është momenti kur ndalemi për të parë brenda vetes dhe për të reflektuar mbi jetën tonë. Pyetjet që mund të na ndihmojnë të rishikojmë veprimet dhe qëllimet tona janë:
 
A kam lënë pas gabimet dhe mëkatet e mia?
A kam dashur dhe falur më shumë?
A kam kultivuar falënderim dhe mirënjohje çdo ditë?
A kam jetuar me thjeshtësi, pa lakmi ndaj të tjerëve?
A kam shfaqur durim dhe mirëkuptim edhe kur situata ka qenë e vështirë?
A kam përdorur talentet dhe kohën time për të bërë botën më të mirë?
A kam pranuar kritikat dhe kam mësuar nga gabimet e mia?
A kam qenë i sinqertë me veten dhe të tjerët në të gjitha marrëdhëniet e mia?
A jam bërë më i mirë, më i durueshëm, më i dashur dhe më i drejtë ndaj të tjerëve?
A kam sjellë paqe në familje apo kam krijuar tensione dhe mosmarrëveshje?
A jam bërë dritë për të tjerët, duke ndihmuar dhe duke u treguar shembull i mirë?
A kam mundur të fal dhe të harroj ofendimet?
A kam kërkuar drejtësi dhe dashuri në vend të egoizmit dhe krenarisë?
 
Këto pyetje nuk janë vetëm një ushtrim vetë-reflektimi, por një udhëzues i heshtur që na fton të ndërtojmë një jetë më të pasur me dashuri, paqe dhe mirësi. Krishtlindja na kujton se çdo ditë mund të nisë sërish – me një zemër më të pastër, një shpirt më të hapur dhe një dëshirë të re për të bërë mirë./Bota Sot
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave