Nga Col Mehmeti
Është një fuqi përtej Atlantikut që shqiptarët i shpëtoi disa herë gjatë shekullit të njëzetë. Ka një vistër arsyesh për të thënë se Shqipëria e Kosova mund të jenë fëmijët e parë shpirtërorë të Shteteve të Bashkuara dhe benevolencës së tyre për lirinë. Toka e të Lirëve nuk e humbi durimin me shqiptarët as kur regjimi militant i Enver Hoxhës përhapi helm e vrer kundër Amerikës. Ajo sikur na foli me zërin e butë e babaxhan të Ronald Reaganit dhe romuzeve të tij në kurriz të komunizmit. Më kot ulurohet gomarçe sesi shqiptarizma i detyrohet këtij e atij shteti, kur filani atje rrëmbehet nga ashku për Turqinë, a fisteku diku tjetër edhe për Iranin. Por për njëqind vjet rresht Amerika ishte dalazotësja e shqiptarëve në Ballkan. Nuk ka shqiptar që të mos i ketë rënë në vesh së paku një herë në jetë vargu i Nolit, “Mbahu, Nëno, mos kij frikë / se ke djemtë n’Amerikë.” Por, poezia e tij, shkruar më 1917, ka edhe një varg tjetër larg më të rëndësishëm: “Trim i mirë do të japë,/ S’kursen jetën as paratë/ Hithni, hithni tok dollarë,/ Të mos mbetemi të sharë.” Vërtet kauzën shqiptare në Amerikë e imponoi puna pedante e plot brezave të aktivistëve shqiptaro-amerikanë.
Por, gjërat nuk shtyhen përpara vetëm pse ato janë të drejta moralisht. Dhjetra e dhjetra aktivistë filantropë paguan qindra e mijëra dollarë në Washington DC. Janë këta dollarë që e blenë vëmendjen amerikane për shqiptarët anipse te dera e Capitol Hillit trokisnin dhjetra kauza e dhjetra popuj.
Col MEHMETI
4 korrik 2025 – “Nuk është e tepërt të thuhet se krijimi i shtetit shqiptar ishte kryesisht vepër e shqiptaro-amerikanëve.”
Kështu shkruante një studim etnografik i bërë më 1930 në Massachusetts mbi shqiptarët në Amerikë. Mund të konsumohet një jetë e tërë pas zhbirimeve në arkiva dhe prapë ky konstantim të qëndrojë i palëkundur me vërtetësinë e tij absolute.
Rrugën e shqiptarizmit drejt Amerikës nuk e gjeti Rilindja, por brezi i parë i politikanëve etatistë në Shqipërinë e re.
Deri në Luftën e Parë Botërore, shteti neofit shqiptar i pati pas vete dy fuqi relativisht benevolente (dashamire): Italinë dhe Austro-Hungarinë.
Kur Lufta e Madhe e asgjësoi prej skenës Austrinë dhe botën gjermanishtfolëse, dhe rrjedhimisht e çakërdisi peizazhin gjeopolitik, Italia u bë mbimbrojtëse (overprotective) ndaj një kafshore Shqipëri.
Ishte punë individësh që me sytë e mendjes e lexuan drejt realitetin gjeopolitik dhe ardhjes së Shteteve të Bashkuara si sipërane mbi Evropën e plakur, dhëmbërënë e të pafuqi.
Kështu, shqiptarizmi i shkëputej orbitës së tepruar të çdo fuqie evropiane dhe mbante distancë të shëndetshme prej tyre pa e bërë kurban qenien e vet evropiane.
Dhe merita për këtë i takon më së shumti Mihal Turtullit të madh (1856-1935).
Mihal Turtulli – babai i pro-amerikanizmit shqiptar
Sado i rritur në El-Fayyūm, në Egjiptin e largët, korçari Turtulli, me profesion oftalmolog, ishte nga ata shqiptarë që u bënë hyzmeqarë të shtetit të ri.
Ndonëse deri në vitet ‘20, emri i tij lakohej në formën e greqizuar si Tourtoulis, profesori nga Cambridge Harold Temperley, me rastin e vizitës së tij në Tiranë më 8 korrik 1921, u mbresua nga regjenti korçar të cilin e përshkroi si “dinjitoz, të ngadaltë, çehrengrysur e të venerueshëm.”
Me kontaktet e shpeshta me shqiptarët e kolonive në Amerikë, doktor Turtulli e kuptoi se vetëm një fuqi perëndimore, por përtejevropiane, siç ishte Amerika, mund të bëhej dalazotëse e Shqipërisë dhe neutralitetit të saj.
Temberley na tregon sesi politikanët shqiptarë të kohës ligjëronin me një frëngjishte të qëruar sesi kujfijtë e Shqipërisë ishin të paprekshëm në “dans son ensemble” (në tërësinë e tyre).
Por, Turtulli e gjeti formulën se kjo devizë mund të funksiononte vetëm te një fuqi e përtejdetit, te Amerika e idealizmit wilsonian.
Sado fjalët e doktorit korçar ngjanin si të pakuptimta për krejt brezin e tij, vizioni i Turtullit doli i fituar mbi të gjithë.
Një superfuqi dashamire, siç qe Amerika e madhe, qëlloi të ishte salvimi (shpëtimi) i shqiptarëve sa e sa herë përgjatë qindvjetëshit të kaluar.
1884: ‘Kolombi’ shqiptar e zbulon Amerikën
Kur shekulli nëntëmbëdhjetë po i afrohej fundit të tij, Amerika po i zbulonte hiret e parezistueshme si tokë e mundësive edhe për popullin më të shtypur nën Perandorinë Osmane.
Si ironi e fatit qëlloi që i pari shqiptar i cili u regjistrua në Shtetet e Bashkuara si imigrant, kishte një ngjashmëri, së paku për nga emri, me Kolombon.
Nicholas Christopher ishte i sapoardhuri i largët që u regjistrua nga nëpunësit e ftohtë në zyrat e ishullit Elis, stacioni i parë për fatkërkuesit evropianë para se të shkelnin tokën amerikane.
Ai ishte, në të vërtetë, Nikollë Kristofori nga fshati Katund në qarkun e Korçës.
Me një vapor grek që çau ujërat e Atlantikut të pafundmë, ai çatisi i pari në një qytet që quhej Boston.
Ishte viti 1884 dhe vendbanimi buzë lumit Charles po rritej nga dita në ditë me shkulme të pasosura emigrantësh irlandezë, gjermanë, polakë, hebrenj e italianë.
Rasti i ‘Kolombit’ shqiptar është tregimi klasik për emigrantin në të gjitha kohërat: nga një njeri që nuk dinte gjuhë tjetër pos shqipes dhe flinte nëpër stacione trenash, disa vite më vonë ai u kthye në fshat i ujdisur si një zotëri i vërtetë me kostum e qostek.
Bashkëfshatarët e tij duhet ta kenë dëgjuar të shastisur, me gojën vesh më vesh, e kështu në mendjen e tyre të lindte fantazia për atë vend gati të përrallshëm që quhej ‘Ameriqi.’
Ekonomia e shtegtimit
Jo ndryshe nga sot, edhe asokohe ‘ekonomia’ e migrimit kishte po të njëjtat përshenja si sot.
Kompanitë e mëdha të vaporëve, për të siguruar fitime nga udhëtimet e emigrantëve, dërgonin agjentë të tyre nga një qytet në tjetrin, gjithandej Shqipërisë jugore. Ata vendosnin shpallje në pazare e mejhane për mënyrën dhe kohën e udhëtimit për në Amerikë.
Ishte si një ‘Work and Travel’ midis shqiptarësh…
Mbase Nikollë Kristofori nuk ka qenë i pari që shkeli në tokën amerikane, dhe para tij të ketë pasur me dhjetra shqiptarë të tjerë, që të gjithë të paemër, që fati i degdisi përtej oqeanit.
Dhe nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe kur shekujt e fundit të mesjetës së vonë dhe e gjithë periudha e paramodernitetit ishte përplot me episode migrimesh masive të shqiptarëve.
Shtegtimi disashekullor shqiptar drejt Greqisë kishte kristalizuar realitete të asisojshme sa Fallmerayeri t’i quante ‘Shqipëri e Re’ viset në Atikë, Beoti, Eube e pjesë të tëra të Moresë.
Shpesh të zalisur e të zverdhur urie, shqiptarët merrnin rrugën edhe drejt Stambollit dhe qyteteve të Azisë së Vogël, sa sulltanët edhe me ‘firmane’ u orvatën ta gardhonin zemrën e perandorisë nga të ardhurit e padëshiruar.
Por zbulimi i Botës së Re shkakëzoi që migrimit t’ia zbulonte një kahje të re.
Kështu, edhe bota shqipfolëse u bë pjesë e madhe e lumit të madh njerëzor që po kërkonte fat të ri në toka të reja, përtej Evropës.
Dy Amerikat me shqiptarë
Si për shumë gjëra të tjera, historia e migrimit shqiptar drejt dy Amerikave fillon pikërisht me arbëreshët.
Ndonëse nuk mund të ftillohet si histori për shkak të mungesës së provave të shkruara, mund të hamendësohet se në mesin e stradiotëve (ushtarë shqiptarë me pagesë) që mbanin banerët dhe flamujt e Mbretërisë spanjolle – asokohe zotëruesja universale e deteve – duhet të ketë pasur edhe ndonjë që veç kishte kuturisur të hipte në luftanijet e “Grande y Felicísima Armada” drejt kontinenteve të sapozbuluara.
Vetë Italia ishte një emër i ndërkëmbyeshëm me migrimin me përpjestime të pabesueshme.
Dhe ethja e të arratisurit drejt një bote të re kaploi edhe italo-shqiptarët.
Vendosjet e para arbëreshe në Shtetet e Bashkuara besohet të jenë qysh në fund të shekullit të 18-të, por shkulme të tjera ikanakësh u barazshpërndanë edhe në vende të tejlargëta të kontinentit të Amerikës Jugore: në Brazil, Rio Grande do Sul, Uruguai dhe Argjentinë.
Përmasat numerike të bashkësive albanofone në dy Amerikat mbetën frustrueshëm të panjohura, por sipas vetë shtypit arbëresh në Amerikë, deri në vitin 1939 kishte rreth 80 mijë italo-shqiptarë në ShBA dhe në Argjentinë.
Një kurbet i ri
Në Shqipërinë katërvilajetëshe, ku jeta po bëhej çdo ditë e më e skëterrshme, Amerika po imagjinohej përrallshëm si një vend i tjetërbotshëm, larg stërmundimeve jetësore.
Në anët e Korçës dëgjohej një si vajtojcë prej kënge për tokën e re që po i zbrazte kasollet nga burrat. Këndonte anonimi popullor: “Ç’u hap një kurbet-o/ Një kurbet i ri,/ Zjarri moj Ameriqí!/ Sebep seç na u bë,/ Kolë Sotiri…”
Ndërsa Amerika po lëshonte shtat si qytetërim i ri, njohuritë e amerikanëve për botën shqiptare ishin gati të hiçta.
Vetëm vrasjet masive që kreu ushtria greke në gjysmën e parë të vitit 1914 në jug të Shqipërisë bënë që publiku amerikan të përftonte përshtypjet dhe informacionet e para për një tokë që quhej ‘Albania.’
Miqësia që filloi me ndihma
Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Fondit për Ndihmë ndaj Shqipërisë, Pil Vil, që e vizitoi jugun shqiptar, shkruante se as që mund ta mendonte “se në Shqipëri do të gjendeshin aq shumë vuajtje të tmerrshme njerëzore.”
I njëjti e thoshte shkoqur se duhet t’u dilej në ndihmë shqiptarëve edhe për faktin se ata “meritojnë po aq simpati dhe ndihmë sa edhe popujt e tjerë evropianë, sepse ata nuk janë lindorë, nuk janë turq, sirianë, arabë apo persianë, por janë perëndimorë. Shumë prej tyre kanë sy të kaltër dhe janë biondë”.
William Howard, duke shkruar për një nga vizitat në Shqipëri në fillim të Luftës së Parë Botërore, shprehej se kishte mbetur me përshtypje të thella nga qëndrimi i shqiptarëve: “Më shikonin me sy, nga të cilët rrezatonte uria që e kam njohur shumë mirë në Amerikën Latine dhe në Kubë, por nuk kërkonin lëmoshë, dhe as ndihmë”.
Në fillim të qershorit të vitit 1915, Fondi për Ndihma ia kishte nisur një letër presidentit amerikan nëpërmjet së cilës ai njoftohej për gjendjen e vështirë në Shqipëri, ku “gjysmë milioni njerëz po vdesin nga uria, ndërsa 100 mijë tashmë kanë vdekur.”
Deri në vitin 1919, valët e migrimit kishin çuar 30 mijë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara.
Shqiptarët organizohen…
Bashkë me lëshimin e rrënjëve në Tokën e të Lirëve, edhe organizimet politike u bënë të pashmangshme.
Shqiptarët shtrënguan radhët e tyre duke krijuar më 1912 federatën panshqiptare ‘Vatra’ e për të vazhduar me organizatën ‘Shqipëria e Lirë’ (1941).
Ndonëse ato nuk shkonin mirë me njëra-tjetrën, të dy këto organizata bashkë me shoqëri të tjera patriotike bënë përpjekje për t’i njoftuar institucionet zyrtare amerikane për gjithëçka ndodhte në Shqipëri e për të siguruar eventualisht edhe mbështetjen e Washingtonit.
“Emigrantët shqiptarë, në përgjithësi, dhe në veçanti ata të Amerikës, mbështetën shumë shpresa tek Konferenca e Paqes dhe sidomos tek presidenti Uilson”, shkruan akademiku boshnjak Haris Silajxhiq në librin e tij “Shqipëria dhe ShBA në arkivat e Washingtonit”.
Edhe ‘Vatra’, në një nga numrat e organit të saj The Adriatic Review, trumbetonte me krenari se “në listën e miqve të Shqipërisë bëjnë pjesë edhe dy njerëzit më të ndritur të Amerikës dhe të botës: presidenti Uilson dhe ish-presidenti Ruzvelt”.
Vetë Fan Noli – i cili më 1908 ia doli mbanë të krijonte një kishë autoqefale shqiptare – pati rastin të zhvillonte një takim me presidentin e asokohshëm amerikan, Woodrow Wilson.
Atij ia paraqiti në mënyrë jozyrtare problemin e Shqipërisë të cilin burrështetasi me origjinë skocezo-irlandeze e dëgjoi “me interesim dashamirës.”
Një brez i ri
Në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore për herë të parë do të krijohej një hendek mes emigracionit dhe Shqipërisë, e cila vajmedet po izolohej në emër të ideologjisë.
Mërgata e shpërndarë në të katër anët e botës u përfyt me një gjendje të vështirë ekonomike.
Këtu bënte përjashtim vetëm diaspora shqiptare në Amerikë ku, si rrjedhojë e pagave më të mira sesa në Evropë, ngriti shtat një shtresë emigrantësh që vunë disa kapitale e ngritën biznese të vogla e të mesme.
Brezi i dytë i emigrantëve përjetoi një rritje cilësore edhe sa i përket arsimit, ku plot të rinj morën diploma ndër universitete amerikane.
Sipas një vlerësimi, në vitin 1952 vetëm 15 për qind e tyre ishin analfabetë.
Me rreth 70 mijë shqiptarë në Amerikë, qendrat kryesore të tyre ishin New Yorku, Washingtoni, Bostoni, Detroiti, San Francesco, Bridgeporti etj.
Studiues të ndryshëm kanë vënë re se veprimtaria politike e mërgatës shqiptare kishte humbur shumëçka nga shkëlqimi i saj.
Ata japin arsye të ndryshme, duke e vënë theksin sa te mbyllja e dyerve të bashkëpunimit nga regjimi i ri komunist, po aq edhe te ardhja e brezave të rinj që nuk kishin lindur në Shqipëri, te humbja e vazhdueshme e gjuhës, përçarjet e brendshme si dhe te organizimet e brishta politike.
Që Shqipëria të ishte e lirë
Sidoqoftë, brezi i vjetër i emigracionit shqiptar zhvilloi një luftë herkuliane në nivel propagandistik për pranimin e Shqipërisë në Konferencën e San Francescos dhe në Kombet e Bashkuara, njohjen e Qeverisë shqiptare, si dhe mbrojtjen e integritetit territorial të shtetit shqiptar kundrejt mëtimeve greke.
Qysh në gusht të vitit 1944, organizata ‘Shqipëria e Lirë’ i kishte kërkuar Qeverisë amerikane që të njihte Qeverinë e re komuniste. Po gjatë atij viti, kërkesa ishte mbështetur edhe nga ‘Vatra.’
Vitin pasues në Amerikë do të krijohej një komision për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë i kryesuar nga Fan Noli.
Me rreth 20 mijë dollarë sa kishte në dispozicion, Komisioni iu përvesh detyrës për t’iu kundërvënë propagandës greke në Amerikë.
Çuditërisht, simpatia që gëzonte shteti shqiptar tek mërgimtarët shqiptarë do të shkonte duke u zbehur gjithnjë e më shumë.
Fan Noli dhe ‘Vatra’ filluan ta shihnin me shqetësim qëndrimin armiqësor të Qeverisë komuniste ndaj Amerikës.
Në mars të vitit 1946, Noli do t’i dërgonte një telegram Enver Hoxhës, në tekstin e të cilit, midis të tjerash, thuhej: “Unë besoj që tani çdo vonesë do ta paragjykojë çështjen tonë. Duke marrë parasysh shqyrtimin e afërt në OKB të kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim, si dhe propagandën intensive greke mbi ‘Epirin e Veriut’, unë sugjeroj të pranohen menjëherë traktatet me ShBA-të. Ky pranim do të sjellë automatikisht njohjen amerikane, do të zhdukë pengesat për pranimin në OKB dhe do të na lehtësojë punën e mbrojtjes me sukses të integritetit tokësor të Shqipërisë.”
Komunizmi nisi t’i vë gurë në rrota miqësisë
Plasaritjet diplomatike po vinin duke u thelluar edhe më.
Qeveria komuniste në Tiranë pengoi dërgimin e ndihmave në Shqipëri nga organizata humanitare ‘Albanian Relief Fund” dhe nga Komiteti Vullnetar Shqiptar.
Pakënaqësia do të arrinte majat kur në vitin 1950 Qeveria shqiptare u vuri taksa të rënda doganore ndihmave që dërgonin mërgimtarët në Shqipëri.
Raportet mes shqiptaro-amerikanëve dhe Qeverisë në Tiranë do të kalonin në nivele të hapura armiqësie.
Misioni shqiptar në OKB si dhe Ministria e Jashtme kaluan në një mësymje të plotë kundër organizatës ‘Vatra.’
Presidenti babaxhan Reagan
Sidoqoftë, armiqësia ideologjike që shpërhapi për dyzet vjet regjimi i Enver Hoxhës nuk arriti t’i bindte shqiptarët se Amerika ishte e keqe.
Përveç kërkesave të pandërprera për demokratizimin e Shqipërisë, veprimtaritë e mërgatës shqiptare nisën të përqendroheshin gjithnjë e më shumë edhe te çështja e të drejtave njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi.
Gati kurrë deri më sot nuk është zënë në gojë e as nuk i është njohur merita mbretit Leka Zogu i cili më 1981 u bë shqiptari i parë që trokiti në dyert e administratës së Ronald Reaganit.
Me mëtimet që çështja shqiptare në ish-Jugosllavi të ndërkombëtarizohej, në prill të vitit 1989 u krijua ‘Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane’, e cila ishte një reagim i drejtpërdrejtë ndaj represionit serb në Kosovë.
“Mos i prekni shqiptarët”
Në maj të vitit 1990, kongresisti me origjinë arbëreshe, Joseph DioGuardi, bashkë me kolegun e tij, Tom Lantosh, vizituan Kosovën dhe Shqipërinë.
Falë përpjekjeve lobuese të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Bob Dole (kandidat për president të SHBA-së më 1996) më 29 gusht 1990 arriti në Prishtinë.
Atë e shoqëruan edhe kolegët e tjerë: senatorë si John W. Warner nga Virginia, Jake Garn nga Utah, Don Nickles nga Oklahoma, Alfonse M. D’Amato nga New York, Steve Syms nga Idaho, si dhe Connie Mack nga Florida.
Pavarësisht përpjekjeve të serbëve të Kosovës në krye me peshkopin Artemije për të manipuluar delegacionin amerikan, senatorët dhanë mesazhe të qarta.
Kur Artemije foli për “terroristët shqiptarë”, Nickels do t’i përgjigjej prerë se “policia serbe është terroriste, jo shqiptarët”, kurse Dole ia tërhoqi vërejtjen: “Mos i prekni shqiptarët!”
“Pse Kosova ka rëndësi për Amerikën?”
Në dhjetor 1992, ish-presidenti amerikan George H. W. Bush në “paralajmërimin e Kërshëndellave” ia tërhoqi vërejtjen homologut të tij jugosllav, Slobodan Milosheviq, se agresioni serb në Kosovë do të sillte një përgjigje unilaterale ushtarake të Shteteve të Bashkuara.
Kjo do të përsëritej disa herë më 1998 edhe nga administrata e Clintonit, e cila me gojën e Madeleine Albright do të deklaronte se: “Ne nuk do të rrimë e të shikojmë autoritetet serbe të bëjnë atë që bënë në Bosnjë”.
Në adresimin e tij para popullit amerikan, më 24 mars 1999, presidenti Bill Clinton do të shpjegonte arsyet pse Kosova kishte rëndësi për Amerikën.
Ai e quajti këtë ndërhyrje si mbajtje të vlerave amerikane, mbrojtje e interesave amerikane dhe avancim i paqes.
“Ne po veprojmë që të parandalojmë një luftë të gjerë, të largojmë një fuçi baruti në zemër të Evropës, që ka shpërthyer dy herë me radhë këtë shekull me pasoja katastrofike”, kishte thënë ai.
88 vjet pas deklaratës së Wilsonit, historia “presidenciale” do të reprizohej.
“Kosova do të jetë e pavarur në një mënyrë ose tjetër”, deklaroi presidenti amerikan George Bush gjatë vizitës së tij në Shqipëri më 10 qershor 2007.
Tetë muaj më vonë lindi Kosova e pavarur dhe sovrane. /Nacionale/