Sovraniteti me brekë
Sovraniteti me brekë 30.07.2025 | 16:04
Nga Col Mehmeti
 
Vjet, partia në pushtet nisi të organizonte falas ture me militantë bjerrakohës për larje e rrezitje pakorëshe te ura e parë në Liqenin e Ujmanit.
 
Vetëkuptohet, pushteti i Kurtit nuk është që gajlohej për rekreacion të flladshëm për qytetarët e shtetit të mbyllur e pa det.
 
Turet bëheshin me synimin që të prodhoheshin tituj propagande si “Pushuesit lahen në Ujman” ose “Dikur pronë e Radojiçiqit, tash e qytetarëve”.
 
Duke qenë farsa lehtësisht të përgënjeshtrueshme, pushteti i shpërndante ato nëpër media sociale, aty ku gëzon monopol të pakapërcyeshëm në shitjen e gjysmë të vërtetave dhe të pavërtetave.
 
Mirëpo, fotoshkrepjet e tilla kishin një kosto bukur të lartë.
 
Nëse shpenzimet për autobusët, minibusët e mjetet e tjera të transportit hiqeshin prej ‘shpis’, domethënë prej vetë partisë, shtetit i vinte një tjetër faturë.
 
Për plazhin e bërë shpejt-e-shpejt në ato shpatije që nuk janë të bëra për atë punë, njësitë speciale të Policisë së Kosovës ishin vënë në angazhim të sforcuar patrullimesh e vigjilence.
 
Absurdshëm harxhoheshin kohë e resurse për ruajtje të skenave ku incizohej pak propagandë.
 
Kamerat e propagandës fiksonin poshtë militantët e maskuar si ‘qytetarë’, por jo edhe patrullat e Policisë sipër ure që e bënin të mundur plazhin.
 
Narracioni ishte i tillë që sovraniteti barazohej me vullnet për rekreacion e çlodhje. Kaja nanën!
 
‘Ushtarit’ sovranist të partisë në pushtet i nevojiteshin veç brekë të larjes. Demek kaq i fortë ishte dominimi sovranist i Kurtit në veri (sic!)
 
Sikur bota të ishte mbarë e mirë, legjislacioni do të duhej të ishte i tillë që e ndalon ose kufizon larjen, notin apo veprimtaritë e tjera të qejfit në liqene që janë, parasëgjithash, për ujë të pijes.
 
Më e pakta, shteti do të duhej të ishte dora që vë shenja stopi e paralajmërime për rrezikun e hedhjes në ujë ku ka thellësi e vorbulla të paparashikueshme nënujore.
 
Ja që shteti e zëvendësoi logjikën e tij të ftohtë për logjikën e atij që nuk pyet për rregulla e ligje, që kërcen prej urash.
 
Sepse drejtuesit e shtetit më të rëndësishme i kanë dokumentet themeltare të Vetëvendosjes, të cilat me një gojë, në tekst e nëntekst, aspirojnë një gjendje të partisë-shtet.
 
Pasojë e këtij shpirti të mbrapshtë janë edhe ato skena të mjeruara kur edhe çiftit të Arlind Manxhukës i rezervohej vend në ‘shtabin e krizës’ atëherë kur institucionet e sigurisë u përballën me grupin e armatosur terrorist që e zaptoi manastirin e Bajës.
 
Pa asnjë funksion shtetëror mbi vete por vetëm si njeri i partisë, ai pati më shumë peshë vendimmarrëse sesa drejtori i Policisë së Kosovës apo komandantët e njësive speciale.
 
Kjo logjikë cubash e përfshiu gjerazi shtetin dhe aparatin e tij në shkelje pas shkeljesh në emër të krijimit të situatave ku partia dilte mirë në pëlqyeshmëri popullore.
 
Kur këto skena të mjera, si të fshatit Potemkin, filluan të shkaktonin neveri kudo mes ambasadash perëndimore, me sa duket, dikush që nuk i pëlqen lojërat e propagandës në kurriz të sigurisë, hodhi nga largësia nja dy granata dore.
 
Potera e këtyre shpërthimeve ishte e mjaftueshme që të shpërndaheshin si dhéntë mbrojtësit me brekushe të sovranitetit – nga ajo ditë turet e organizuara nën përcjelljen e Policisë u ndërprenë.
 
Por zjarri i harpallëkut dhe budallëkut gjeti një plevicë me kashtë.
 
Ishte ai rasti ku vlen më shumë se kurdoherë e thënmia thumbuese e italianit, Ennio Flaiano se “La madre degli imbecilli è sempre incinta” (Nëna e budallenjve është gjithmonë shtatëzënë).
 
Kësisoj, doktrina e sovranitetit me brekë e brekueshe gjeti pasues edhe në diasporë.
 
Kaq mjafton për t’u ndërmendur pashpresa e së tashmes dhe së ardhmes. Zor, shumë-shumë zor, që këtejpari të ketë normalitet sa kohë që regjimi albinkurtist e ka përmbysur çdo lloj moraliteti.
 
Edhe nëse në një të ardhme jo fort të largët vijnë në fuqi qeveri e formacione të reja me një minimum normaliteti, kjo nuk do ta sjellë esëllinë e nevojshme, çmagjepsjen dhe deradikalizimin e njerëzisë si kusht që ky vend ta rigjejë veten e humbur.
 
Do të ketë plot e plot njerëz që do të kërcejnë simbolikisht e fizikisht nga urat si një ritual gati vetëvrasës për ‘sovranitet’.
 
Në fakt, duket se në këtë dualitet mendor sovraniteti është dyfarësh.
 
Në njërën anë, është sovraniteti faktik që për dalazotës ka KFOR-in dhe vendet perëndimore që me kohë e kanë vënë kufirin te thana. Porse, ky sovranitet nuk është i marketizueshëm për vota e as për rritje rejtingu.
 
Në anën tjetër, është edhe një soj i ri ‘sovraniteti’ që aktualizohet me skena, me teatralizma e propaganda – me hedhje nga ura.
 
Ky sovranitet, s’do mend, që është i marketizueshëm dhe atij fare lehtë i vihen edhe siglat ‘VV’ si mesazh i rremë se kjo parti e ndryshoi veriun./Nacionale
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave